Ndërlidhjet

Havel: Ishte historia ajo që na tejkaloi


Ish presidenti i njderë i Çekisë, Vaclav Havel
Ish presidenti i njderë i Çekisë, Vaclav Havel

Në vitin 1989, dramaturgu, disidenti Vaclav Havel, ishte i rëndësishëm për rrëzimin e komunizmit në vendlindjen e tij, Çekosllovakinë. Njëzet vjet dhe një mandat presidencial më pas, Radio Evropa e Lirë i kërkoi zotit Havel të kujtojë si ndodhi ajo që quhet Revolucioni i Kadifenjtë.

(Shënim editorial: kjo është pjesë e intervistës me presidentit çek Vaclav Havel, në vitin 2009)

Radio Evropa e Lirë: Të fillojmë më një kthim prapa, në vitin 1989. Politikologu Timothy Garton Ash shkruan në një artikull [2009] që kontributi kryesor i dy superfuqive – Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik – në atë vit, qëndron në atë që këto vende nuk e kanë bërë. Në muajt që shpien deri te nëntori i vitit 1989, shkruan ai, këto shtete u sollën si “mamitë pasive”. Si e shihni ju këtë, dhe si e patët perceptuar në atë kohë?

Vaclav Havel: Timothy Garton Ash i ka në qejf këto hiperbolizime, këto kthime të frazave. Edhe mua më pëlqejnë dhe ato gjithmonë e kanë kapur një të vërtetë të caktuar. Patjetër, ka pak ekzagjerim, por edhe është pjesërisht e vërtetë. Shtetet e Bashkuara me të vërtetë nuk kanë provuar të provokojnë ndonjë revolucion; ata kanë mbështetur aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kanë shprehur solidaritet ndaj tyre.

Kur zyrtarët amerikanë erdhën këtu, ata u takuan me disidentët, por nuk u përfshinë në proceset revolucionare, definitivisht jo. Sa për Bashkimin Sovjetik, duke pasur parasysh krizën e thellë të sistemit, [Mikhail] Gorbachev mori rrugën e “perestrojkës” dhe “glasnostit” dhe çfarëdo ndërhyrje do ta shndërronte në shaka politikën e tij.

Politika e tij përjashtonte çfarëdo intervenimi të drejtpërdrejtë. Kjo nënkupton që edhe ai, vetëm i vëzhgoi zhvillimet. Pra, Timothy ka të drejtë në një mënyrë.

Radio Evropa e Lirë: Në fillimin të nëntorit 1989, ju dhe autorë të tjerë të peticionit “Disa fjali” njoftuat për një tubim më 10 dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut. Por çdo gjë filloi të lëvizte me shpejtësi dhe më 17 nëntor, u duk që studentët ju tejkaluan. A ja u merrte mendja në fillim të nëntorit që regjimi do të rrëzohej aq shpejt?

Vaclav Havel: Para së gjithash, nuk do të thosha se na tejkaluan. Kjo nuk ishte një garë se kush do të tejkalonte kë dhe kush do të ishte i pari. Studentët gjithashtu nuk kishin planifikuar ndonjë konfrontim radikal. Ata vendosën të marshojnë në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve.

Ata nuk mund të parashikonin se si kjo gjë do të merrte kthesën dhe se si kjo do të bëhej topi i borës që do të shkaktonte ortekun. Natyrisht, as ne nuk e dinim. Kur them “ne”, flas për nënshkruesit e “Kartës 77”, disidentët.

Çfarë ishte e qartë, megjithatë -- dhe unë kam folur e kam shkruar për këtë më parë -- ishte që herët apo vonë ky top i borës do të fillonte të rrotullohej dhe të kthehej në ortek. Askush nuk e dinte se çfarë do të ishte ai top i borës dhe kur do të ndodhte me siguri. Në nuk ishim parashikues. Por, ishte e qartë se herët a vonë do të ndodhte. Nuk ishin studentët që na tejkaluan, ishte historia.

Radio Evropa e Lirë: Revolucioni në Çekosllovaki ka qenë dhe mbetet i admiruar nga bota për shkak që ishte aq “i kadifenjtë”. Njëzet vjet më vonë ju keni vënë në pah problemet-- përfshirë mungesën e moralit dhe etikës, si dhe mungesën e interesimit për t’u ballafaquar me të kaluarën. A mendoni se këto probleme aktuale janë pjesërisht pasojë e një revolucion kaq të “kadifenjtë”?

Vaclav Havel: Është e kundërta. Mendoj se divergjencat burojnë që nga koha jonë. Ajo kohë kishte një atmosferë të veçantë të solidaritetit, të vetë-sakrificës, të idealit. Ishte e qartë që ajo atmosferë nuk do të zgjate shumë.

Kjo ka qenë gjithmonë çështja në historinë tonë moderne, që shoqëria bëhet së bashku për diçka që është e admirueshme, dhe pastaj ajo frymë ngadalë tretet dhe vetëm pas 10 apo 20 vjetësh, kur një gjeneratë tjetër rritet dhe vjen përsëri një moment i ngjashëm. Ishte e qartë se atmosfera nuk do të zgjaste.

Por nuk ishte e qartë, dhe ne nuk e kuptuam në atë kohë, se çdo gjë do të merrte teposhtëzën në mënyrë aq të ashpër -- nuk do të thosha nga ato idealet, por nga atmosfera dhe klima sociale e asaj kohe -- që do të ndryshonte në mënyrë radikale.

Kjo ishte diçka që nuk e kishim parashikuar. Ndoshta disa njerëz pak a shumë e dinin se do të vinte. Por kjo iu ka ndodhur të gjitha vendeve pas-sovjetike, në mënyra paksa të ndryshme në secilin vend, nga Ukraina deri te Hungaria.

Është diçka që me siguri është e lidhur me privatizimin e pashembullt të ekonomisë, sepse nuk mund të gjenit një rrethanë më të mirë, në të cilën tiparet negative të njeriut të dilnin në pah.

Kjo është diçka e paprecedent në histori, një privatizimi masiv i tërë ekonomisë. Nuk kishte asnjë përvojë të mëparshme për këtë. Dhe shpesh ne mund të befasohemi me shkallën në të cilën mafia ka përfshirë ekonominë, por unë nuk mendoj se atmosfera në atë kohë ka shkaktuar gjendjen e tanishme. Unë do të thosha se është krejt e kundërta.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG