Ndërlidhjet

Rama dhe Vuçiq përplasen për Kosovën


Kryeministrat e të dy vendeve, Serbisë dhe Shqipërisë, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama, kanë polemizuar në konferencën për media, e cila është organizuar pas takimit të tyre, në kuadër të vizitës që kryeministri shqiptar po i bën Serbisë.

Kryeministri serb, Vuçiq, ka theksuar se është ndjerë i provokuar rëndë nga kryeministri shqiptar, Rama, për shkak se ky i fundit, në konferencë për media, e ka përmendur Kosovën si vend të pavarur, të njohur ndërkombëtarisht dhe si një realitet të pamohueshëm.

“Para së gjithash, dua të them se nuk kam pritur provokim nga zoti Rama dhe nuk kam pritur se do të bisedoj për Kosovën. Unë nuk e di se çfarë lidhjesh ka ai me Kosovën. Më duhet t’i përgjigjem atij, se nuk do t’i lejoj askujt që ta poshtëroj Serbinë në Beograd".

"Kosova është pjesë e Serbisë, sipas kushtetutës së Serbisë. Nuk ka pasur asnjë lidhje me Shqipërinë dhe nuk do ta ketë. Më vjen keq që zoti Rama e shfrytëzoi këtë rast për të folur për një temë , për të cilën nuk jemi marrë vesh dhe nuk kemi biseduar”, ka theksuar kryeministri serb Vuçiq.

Në fjalimin e tij drejtuar medieve, kryeministri shqiptar, Rama, ka theksuar se Shqipëria dhe Serbia kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme për Kosovën.

“Realiteti është një dhe i pandryshueshëm. Kosova e pavarur dhe e njohur deri më tash nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë".

"Është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm, rajonal dhe evropian. Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet, e integrimit evropian dhe euro-atlantik”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar ka insistuar në faktin që pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të Shqipërisë dhe Serbisë lidhur me Kosovën, kjo nuk duhet të jetë pengesë që ia thonë në sy njëri tjetrit këto qëndrime.

Kryeministri Rama, e ka ftuar kryeministrin serb Vuçiq që ta vizitojë Shqipërinë në vitin e ardhshëm.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të medieve shqiptare, të cilat ishin prezente në konferencë, Vuçiq ua bëri me dije se në vizitën që do ta bëjë në Shqipëri, do t’ia kthejë kryeministrit Rama, me të njëjtën monedhë, siç e quajti ai, provokimin.

“Unë jam njeri me krah të gjerë. Shikoni se si ju kam pritur dhe u kam treguar mikpritjen e vërtetë serbe. E ju vini dhe më flisni për Kosovën. E shikoni se çfarë është mikpritja serbe? Unë pres mikpritje të njëjtë në Tiranë, ku do të flasim edhe për Kosovën serbe dhe për mënyrën se si ne dëshirojmë t’i përparojmë marrëdhëniet”, tha Vuçiq.

Në anën tjetër, kryeministri shqiptar, Rama, i ka thënë kryeministrit serb, se në Tiranë nuk do të ndjehen të provokuar nga qëndrimi i tij për Kosovën.

“Mikpritja jo vetëm do të jetë reciproke, por ju siguroj se ju do të ndjeheni shumë mirë në Tiranë dhe në asnjë mënyrë, asnjë fjalë e thënë prej jush nuk do të konsiderohet provokim, pavarësisht se mund të jetë tërësisht e ndryshme nga ajo çfarë ne do të prisnim për një temë apo për një temë tjetër”, tha Rama.

Ndryshe, në fillim të takimit, Vuçiq e ka cilësuar vizitën e shefit të qeverisë së Shqipërisë në Serbi të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë dhe për Serbinë, por edhe për gjithë rajonin.

Vizita e zotit Rama në Beograd shënon të parën e një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej 68 vjetësh.

Zoti Rama, mes tjerash ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë, siç ka thënë “që fëmijët të mos vuajnë në të ardhmen, për shkak të së shkuarës së hidhur”, duke pasur si synim të përbashkët Evropën.

Të dy kryeministrat kanë paralajmëruar nënshkrimin e disa marrëveshjeve ndërshtetërore, përfshirë këtu edhe qarkullimin e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve dhe bashkëpunimin rinor.

Në mbrëmje Rama pritet të vizitojë Bashkinë e Beogradit, kurse të martën kryeministri shqiptar ka paralajmëruar edhe një vizitë në Preshevë, për të zhvilluar një takim me qytetarët në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti.

Vizita ishte përcaktuar që më parë për në datën 22 tetor, por dhuna e ushtruar në ndeshjen Serbi – Shqipëri, bëri që vizita të shtyhej për datën 10 nëntor.

Ndeshja Shqipëri-Serbi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit më 2016, e cila u mbajt në Beograd është pezulluar dhe ndërprerë në minutat e fundit të pjesës së parë të lojës, për shkak të tensioneve në stadium.

XS
SM
MD
LG