Ndërlidhjet

Rritja e ekonomisë së Maqedonisë, joreale


Shkup...
Shkup...

Parashikimet e Bankës Popullore për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë asnjëherë nuk kanë qenë reale.

Projektimet e tilla ambicioze janë korrigjuar thuajse çdo vit, ashtu siç ndodhë edhe tani me parashikimin për vitin e ardhshëm për rritjen e ekonomisë vendore, që ulet nga 4.7 në 4.1 për qind, thonë njohësit e çështjeve ekonomike duke komentuar vendimin e Bankës Qendrore të Maqedonisë për ndryshimin e parashikimeve ekonomike.

Izet Zeqiri, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, dyshon në realizimin e parashikimit për rritjen ekonomike edhe për këtë vit, që sillet në 3.7 për qind.

“Është shumë indikative që të realizohen këto parashikime ekonomike në kushte kur borxhi publik ka arritur në katër miliardë euro, apo në kushte kur në bazë të disa informacioneve rreth 4 miliardë euro është borxhi ndaj kredive të qytetarëve, kompanive apo kur rreth 600 milion euro janë në hipotekë. Pra, nëse mblidhet i gjithë ky borxh, i kompanive, i qytetarëve në raport me sektorin bankar, atëherë del se janë 4 miliardë dhe 4 miliardë të tjera borxh publik i shtetit, atëherë kemi 8 miliardë euro, aq sa është prodhimi i përgjithshëm bruto“, thotë Zeqiri.

Ai arsyeton rekomandimet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për uljen e shpenzimeve dhe rritjen e kursimeve në shtet, dhe si rrjedhojë ndryshimin e parashikimeve për rritjen ekonomike.

“Mendoj se janë të drejta sugjerimet korrigjuese të faktorëve relevant monetar ndërkombëtar të cilët sugjerojnë që Maqedonia të heq dorë nga këto parametra planifikues. Janë të qëndrueshme edhe sugjerimet e tyre për racionalizimin e të dalave publike, dmth të shpenzimit të parave në atë mënyrë që parashikimet nuk do të realizojnë buxhetin e planifikuar që është afër 3 miliardë euro, i cili për çdo vit shënon rritje e cila nuk është në korelacion me rritjen ekonomike dhe prodhimin e përgjithshëm bruto“, thotë Zeqiri.

Tome Nenovski, ekspert i ekonomisë, thotë rritja e ekonomisë së Maqedonisë, nuk varet vetëm nga faktorët e brendshëm, por edhe nga ato të jashtëm dhe me një qasje më të mirë parashikimet e tilla mund të realizohen.

Qeveria, sipas tij, duhet ti kushtoj më shumë vëmendje sektorit privat përmes të cilit mund të realizoj projektimet ekonomike.

“Tani duhet ti lihet më shumë hapësirë veprimi sektorit privat. Pra kushtet që tani po krijohen apo që do të krijohen në të ardhmen më shumë duhet të kenë parasysh forcimin e nismave të sektorit privat dhe në këtë mënyrë të relizojnë rritjen ekonomike për këtë vit“, thotë Nenovski.

Ndërkohë, Guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov, është optimist për të ardhmen e vendit, përkundër ndryshimit të parashikimit për rritjen ekonimike.

“Këtë vit mbetemi në projektimet për rritjen ekonomike prej 3.7 për qind ndërsa sa i përket vitit tjetër ato janë më të ulëta se parashikimet tona, pra presim rritje 4.1 për qind në vend të 4.7 për qind. Kjo para së gjithash ka të bëj kërkesat e jashtme dhe performansat e ulëta ekonomike. Investimet e jashtme, shfrytëzimi më i madh i kapaciteteve si dhe investimet në infrastrukturë pritet të jenë faktori kryesor për rritjen e ekonomisë vendore“, ka deklaruar Dimitar Bogov, Guvernator i Bankës Popullore të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG