Ndërlidhjet

Pronësia e “Trepçës” përplas pozitën dhe opozitën


Ilustrim, foto nga arkivi
Ilustrim, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës të hënën në mbrëmje, me procedurë të shpejtë ka miratuar ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t'i hapet rrugë riorganizimit të kompleksit metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë.

Ky projektligj është miratuar vetëm me votat e pozitës, pasi deputetët e opozitës e kanë braktisur seancën për shkak të heqjes nga rendi i ditës çështjen e pronësisë se kombinatit “Trepça”, kjo në kuadër të diskutimeve për ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike.

Me ndryshimin e këtij ligji, Trepça – ndërmarrje shoqërore që menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit - do të bëhej pronë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, gjatë seancës partitë e koalicionit arsyetuan ndryshimin e ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara, pasi sipas tyre, ligji i miratuar në parim parandalon falimentimin e kompleksit “Trepça”, pa dashur të diskutohet statusi i saj, ashtu siç kishte premtuar qeveria javën e kaluar.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se qëllimi i ndryshimit është që Trepça të funksionojë në mënyrë normale dhe të parandalohet marrja e vendimit për likuidim të kësaj ndërmarrje.

“Qëllimi themelor i propozimit të këtij ligji është që ne të krijojmë kushte në mënyrë që Trepça të punojë në mënyrë normale, të përgatitet plani për organizim dhe strategjia lidhur me 'Trepçën'. Po ashtu, si qeveri ne kemi vendosur që t’iu ofrojmë edhe ligjin për ndërmarrjet publike me të cilin ne kemi definuar organizimin e Trepçës më ligj të veçantë", ka thënë Mustafa.

Në emër të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Besim Beqaj, ka ftuar deputetët që të votojnë këtë ligj, pasi sipas tij, parandalon likuidimin e ndërmarrjes.

“Pra, nuk flasim shumë për avancim të drejtpërdrejt të ndonjë procedure dhe statusi të saj. Ligji i cili na ka ardhur për ndërmarrjet publike dhe i cili është tërhequr ka ardhur me nguti, pa analiza të nevojshme politike dhe profesionale, dhe si i tillë është tërhequr nga qeveria dhe besoj se bërë mirë që është tërhequr”, ka thënë Beqaj.

Në anën tjetër, para se të lëshonin seancën, deputët e opozitës kanë kritikuar qeverinë se agjendën e Kuvendit të Kosovës po e përgatit Qeveria e Serbisë.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se ndryshimi i shqyrtimit të ligjit në Kuvend është realizuar pas ndërhyrjes që ka bërë qeveria e Beogradit.

“Dhe në këtë drejtim ne e shohim si ndryshim të kursit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të ju përshtatur kërkesave të Qeverisë se Republikës së Serbisë duke iu nënshtruar asaj politikisht edhe në këtë çështje", tha Ymeri.

Me kritika të ngjashme është drejtuar edhe deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj - Bujupi.

“Deputetët e Aleancës do të votojnë vetëm ligjin i cili ka qenë i paraparë të votohet sot në mëngjes, për kthimin e Trepçës në ndërmarrje publike, më qëllim të evitimit që Trepça të merret nga Serbia".

"Të gjitha veprimet tjera që po kalkulohen në përpjekje për të evituar sjelljen e ndryshimit të këtij ligjit, në fakt janë rënie nën presion para Serbisë dhe deklaratave që dëgjuam dje nga zyrtarët e saj”, ka thënë Kadaj Bujupi.

Edhe Jakup Krasniqi, nga partia Nisma për Kosovën reagoi, duke kritikuar mënyrën e qeverisjes.

“Po i drejtohem kryeministrit, kabinetit qeveritar, ministrave të fushës se financave dhe ekonomisë, a e dinë se çka kanë sjell paradite në Kuvend dhe çka po sjellin pasdite. Çka është kjo hallakamë te ju zoti kryeministër. Kujt po i frikësoheni, popullit apo dikujt tjetër? Ose jeni të frikësuar ose shantazhuar nga dikush, cilado që të jetë, çoftë frika apo shantazhi, vendi në këtë mënyrë nuk mund dhe nuk duhet të qeveriset”, tha Krasniqi.

Ndryshe, vendimi i javës se kaluar për ta bërë Trepçën pronë të Qeverisë së Kosovës ka zemëruar qeverinë e Serbisë, e cila madje kishte paralajmëruar se një vendim i këtillë "do të rrezikonte bisedimet" për normalizim marrëdhëniesh Kosovë - Serbi dhe do të mund të "destabilizonte situatën e sigurisë në veriun e Kosovës".

XS
SM
MD
LG