Ndërlidhjet

Logoja që i ngjan fjalës “Allah”


Ilustrim
Ilustrim

Ragbi nuk është një sport që bën rregullisht tituj në Republikën Çeke.

Megjithatë, ky sport ka gjetur veten në qendër të medias vendase për shkak të një polemike fetare në Pakistan dhe keqpërdorimit të perceptuar të fjalës “Allah”.

Në kuadër të marrëveshjes së sponsorizimit me kompaninë e veshjeve dhe aksesorëve sportivë, Adidas, Shoqata e Ragbit në Çeki ka porositur topa për ekipin e saj ndërkombëtar dhe ligat kombëtare.

Por, për fat të keq, firma pakistaneze e tekstilit, e cila merret me këto lloje të porosive për kompaninë Adidas, ka refuzuar papritur prodhimin e topave, për shkak të përdorimit të simbolit shtetëror të Çekisë në logon e Asociacionit të Ragbit.

Me sa duket, versioni në ragbi i luanit, i cili ndodhet në shumicën e mallrave të ekipit kombëtar, përmban fjalën “Allah” të shkruar në arabisht. Dhe këtë, shumë myslimanë e konsiderojnë si përdhosje të hyjnisë së tyre.

Edhe pse – siç e tregon fotoja – ka ngjashmëri të dukshme midis asaj se si shkruhet Allah në arabisht dhe dy bishtave të luanit çek, këto pohime për blasfemi kanë qenë goditje për autorët çekë të logos, krijimi i të cilëve ka fituar disa çmime ndërkombëtare të dizajnimit.

“Do të thosha se kjo logo është parë nga dhjetëra mijëra ekspertë në të gjithë botën dhe të gjithë ata e kanë parë atë në mënyrë pozitive”, ka thënë për televizionin çek Martin Charvat, nga Konektor PR, agjenci çeke për marrëdhënie me publikun.

Sido që të jetë, këto nuk janë polemika që i dëshiron dikush tani, në kohën e ndjeshmërive fetare, të cilat kanë pasuar sulmin vdekjeprurës të militantëve islamistë në revistën satirike franceze, Charlie Hebdo, për shkak të publikimit të karikaturave të Profetit Muhammad.

Eksperti çek fetar, Ivan Odiko Stampach, thotë se kundërshtimet e Pakistanit duhet të respektohen.

“Bishti i luanit është rastësisht i ngjashëm me atë se si shkruhet Zoti, ose Allahu, në arabisht. Nuk mendoj se është menduar si lloj fyerjeje. Personalisht, mendoj se ata janë bërë shumë të ndjeshëm, por, në këtë rast, do të respektoja ndjenjat e tyre, sepse është çështje biznesi”, ka thënë Stampach.

Edhe Muneeb Hassan Alraw, kryetar i Unionit të Organizatave Myslimane në Çeki, mendon se ankesa duhet të merret seriozisht.

“Firma pakistaneze definitivisht ka të drejtë të kërkojë që dikush tjetër ta bëjë atë punë”, thotë ai.

Por, sekretari i përgjithshëm i Asociacionit Çek të Ragbit, Pavel Mysak, ka thënë se shoqata ka vendosur që të heqë logon nga topat dhe ata të mbajnë thjesht fjalët “Ragbi çek”.

Ai ka thënë se dizajni i ri është “zgjidhje më praktike e polemikave” dhe nuk ka gjasa të shkaktojë fyerje. (v.tela)

XS
SM
MD
LG