Ndërlidhjet

Hulumtim i punës së televizioneve të Kremlinit


Pak media globale kanë nxjerrë opinione të tilla të polarizuara si rrjeti televiziv rus, RT, të cilin një diplomat i lartë amerikan e ka quajtuar “pajisje propaganduese” për Kremlinin, gjatë krizës në Ukrainë.

Tani, një grup i studentëve të diplomuar në një shkollë të gazetarisë në SHBA është duke ndjekur transmetimet dhe postimet e këtij rrjeti, për të parë nëse kritikat ndaj RT-së se shërben si burim i Kremlinit për dezinformim, justifikohen.

“Nëse shikoni shifrat dhe shihni se sa shumë njerëz shikojnë RT-në, krijohet përshtypja se edhe nëse akademikët perëndimorë ose njerëzit në qarqet e politikës së jashtme në Uashington e nënvlerësojnë kanalin, RT-ja ka audiencë të rëndësishme. Askush nuk po e vlerëson se çfarë po bën. Dikush duhet ta bëjë”, ka thënë Pola Lem, një studente e Shkollës Pasuniversitare të Universitetit të Kolumbisë në Nju Jork.

Lem dhe disa studentë të tjerë kanë lansuar këtë muaj një blog, të titulluar “RT Watch”, që është pjesë e lëndës Audienca dhe Përfshirja, e cila ligjërohet nga Ann Cooper, korrespondente veterane, e cila në vitet 1980 ka shërbyer si shefja e parë e byrosë në Moskë e Radios Publike Kombëtare.

Studentët kanë analizuar mbulimin që u ka bërë RT disa ngjarjeve, nga konferencat e nënpresidentit amerikan, Joe Biden, deri te shpërndarja e korrespondetëve të luftës në terren, në lindje të Ukrainës.

Postimet e tjera të “RT Watch” flasin për mbulimin që u ka bërë RT vuajtjeve të rublës ruse dhe pohimeve të liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, se vendet perëndimore kanë “pjellur” militantët e Shtetit Islamik, “për të nxitur urrejtjen e Islamit në zemrat e njerëzve në gjithë planetin”.

“Artikulli i RT-së ka raportuar me besim të plotë teoritë e Kadyrovit, pa skepticizëm”, ka shkruar Casey Michel, kontribues i projektit, në postimin e tij për këtë raport të RT-së.

Michel, i diplomuar në Institutin Harriman të Kolumbisë për Studime të Rusisë, Euroazië dhe Evropës Lindore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se bëhet fjalë për reagime të pamenduara ndaj çdo diskutimi për RT-në.

“Ajo çfarë po bëjmë përpjekje të zbulojmë është nëse (raportimi) bazohet në realitet, a është përgjigjja e duhur e atyre që u është kërkuar të komentojnë për RT-në”, ka thënë Michel.

Ligjëruesja Cooper i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo iniciativë pritet të zgjasë edhe për disa javë të tjera.

I lansuar në vitin 2005 dhe paraprakisht i njohur si Russia Today, rrjeti televiziv RT ka shërbyer si platformë e profilit të lartë për përcjelljen e pozicionit të qeverisë ruse. Rrjeti thotë se siguron një “perspektivë alternative për ngjarje të mëdha globale dhe ka një audiencë ndërkombëtare me pikëmaje ruse”.

RT është kritikuar ashpër nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë, të cilët e akuzojnë për mbulim të shtrembëruar të aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe të konfliktit të armatosur midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës.

Në muajin prill, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e ka cilësuar këtë rrjet si pajisje propaganduese për Kremlinin, për promovimin e fantazisë së presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë.

Kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, është përgjigjur duke thënë: “Në këtë kohë të vështirë dhe të turpshme, Kerry nuk ka asgjë tjetër për t’u shqetësuar vetëm për kanalin tonë televiziv”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG