Ndërlidhjet

Beogradi reagon për "bashkimin kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë"


Ilustrim
Ilustrim

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka premtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se Kosova dhe Shqipëria, "nuk do të bashkohen kurrë, siç është thënë, në formën klasike".

“U lutem liderëve shqiptarë që të ndalen së provokuari jostabilitetin në rajon”, ka thënë Vuçiq, në rrjetin social Twitter.

Edhe drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë sot se deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, “janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe thirrje e rrezikshme për ripërcaktim kufijsh në Ballkan”.

Në atë që ai e quajti konferencë të jashtëzakonshme, Gjuriq ka thënë se Serbia asnjëherë nuk do të lejojë “bashkimin klasik kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës”.

Në këtë formë në fakt është transmetuar deklarata e zotit Rama nga ana e mediave serbe, duke shkëputur një pjesë të intervistës që ai ia ka dhënë një televizioni vendor në Kosovë, “Klan Kosova”, së bashku me zëvendës-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri shqiptar ka thënë se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm".

"Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?”.

“Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë”, ka thënë zoti Rama.

“Dhe nëse Evropa e shikon Ballkanin dhe zhvillimin në Ballkan si gjëra palidhje me fatet e saj dhe nëqoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë që proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon duhet t’ia bashkojë edhe vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mund vërtetë të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorik”, ka thënë kryeministri shqiptar, Edi Rama.

XS
SM
MD
LG