Ndërlidhjet

Mbi 230 qytetarë nga Kosova luftojnë në Siri dhe Irak


Mbi 230 qytetarë nga Kosova thuhet se u janë bashkuar organizatave terroriste në Siri edhe Irak, duke e renditur Kosovën në vendin e tetë nga numri i shteteve, qytetarët e të cilave u janë bashkuar luftërave të huaja.

Këtë shifër e ka dhënë Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë përmes një raporti që ka hulumtuar "shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak".

Sa i përket numrit të luftëtarëve të huaj për kokë banori, Kosova llogaritet të jetë e para, me 125 luftëtarë për një milion banorë.

Autori i raportit, Shpend Kursani tha se strukturat e dobëta shtetërore në Kosovë, politika e paqëndrueshme, korrupsioni, varfëria, sistemi i dobët ekonomik janë ndër shkaktarët kryesorë të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në grupe ekstremiste në Siri dhe Irak.

“Më të prekurit që janë në mesin e këtyre luftëtarëve, kryesisht janë të varfër, me kushte të tmerrshme shoqërore dhe kryesisht janë të izoluar. Për shembull, në një takim që kemi pasur më vëllanë e njërit që ka vdekur në Siri, atë fqinjët e kishin izoluar, duke i thënë se është terrorist”, tha Kursani.

Sipas raportit, shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar në Siri kanë të përfunduar kryesisht shkollat e mesme. Të njëjtit, thuhet se nuk kanë pasur ndonjë punë të përhershme më parë.

Përfaqësuesit e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë thanë se individë nga grupe ekstremiste, përbëjnë potencial të lartë të rrezikimit të sigurisë nacionale dhe sfidojnë rendin kushtetues të Kosovës.

Sipas tyre, shumica e luftëtarëve të huaj nga Kosova u janë bashkuar konflikteve në Siri gjatë vitit 2013.

Në raportin e përkrahur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë thuhet se ideologjia e "Tekfirizmit" është ajo që e ka joshur shumicën e qytetarëve të Kosovës në ato vatra lufte.

Ideologjia “Tekfiriste”, njihet si lëvizje që arsyeton dhunën dhe vrasjen e personave të "pafe", madje edhe vetë besimtarë të fesë islame, të cilët sipas pasuesve të kësaj ideologjie, konsiderohen të pafe.

Tekfirët refuzojnë shtetin, shoqërinë, përfshirë këtu edhe myslimanët të cilët nuk janë ndjekës të ideologjisë së tyre.

Raporti gjithashtu vë në dukje vijën dalluese ndërmjet praktikuesve liberalë dhe konservativë të islamit, si dhe të pjesëtarëve të “Tekfirit”.

“Ata gjithashtu janë kundër të gjitha institucioneve shtetërore, të policisë, ushtrisë; janë kundër votimit, kundër dhënies së dorës ndaj policit ose ushtarit, sepse, në një rast të tillë, menjëherë konsiderohesh i pafe”, tha Kursani.

Raporti thotë se kjo ideologji është shfaqur në Kosovë në vitin 2005 përmes imamëve nga Shkupi, të cilët ishin viktima të “Tekfirit” gjatë studimeve të kësaj ideologjie në Egjipt.

“Ata kanë vepruar goxha gjatë te ne, ndërkohe që askush nuk i ka njohur apo vërejtur, as Bashkësia Islame e Kosovës, e as institucionet e tjera shtetërore. Natyrisht që janë disa imamë [të Kosovës], nuk janë shumë në numër, por janë një numër i vogël, të cilët kanë rënë pre e këtyre imamëve nga Shkupi dhe [ata] janë nga rajoni i Gjilanit”, theksoi Kursani.

Raporti i publikuar nga QKSS-ja ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për mosveprime të duhura karshi kësaj situate.

Institucioneve vendore, laike me Kushtetutën e vendit, u rekomandohet të bashkërendojnë përpjekjet me liderët fetarë, për të de-radikalizuar elementet e dhunshme në shoqëri.

Në raport përmendet fakti se deri tani, institucionet e Kosovës, megjithatë kanë marrë një numër hapash në përpjekjet e tyre për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm.

Raporti përmend ndër të tjera arrestimin e më shumë se 80 personave nën dyshimet se janë përfshirë në veprime ose organizata terroriste, por gjithashtu ceket se më shumë se 60 për qind nga personat e arrestuar janë liruar për shkak të mungesës së provave për akuzat që janë ngritur kundër tyre.

Lidhur me këtë çështje Fatos Makolli, drejtor i Anti-Terrorizmit në Policinë e Kosovës tha se policia vepron duke respektuar normat ligjore.

“Disa nga imamët, përveç që akuzohen për nxitje të urrejtjes, akuzohen edhe për involvim direkt për organizim dhe rekrutimin e personave që marrim pjesë në luftimet e Sirisë. Këta imamë janë kryesisht jashtë ombrellës së BIK-ut. Ndërsa, imamët e tjerë të cilët nuk i kanë kryer këto vepra penale, akuzohen për nxitje të urrejtjes apo edhe për shtytje për ta përqafuar një ideologji të tillë”, tha Makolli.

Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, tashmë kanë konfirmuar se po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj 135 personave.

Më 12 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin që sanksionon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.

Lexoni edhe këtë: Nuk kemi gjak të njomë për të ujitur shkretëtirat arabe

XS
SM
MD
LG