Ndërlidhjet

Shteti Islamik pushton qytetin antik Palmira


Militantët e Shtetit Islamik kanë marrë nën kontroll qytetin antik të Sirisë, Palmira – një fitore kjo e madhe për grupin vetëm pak ditë pasi i njëjti ka pushtuar qytetin strategjik Ramadi, në Irak.

Rrënojat në Palmira janë ndër lokacionet më të famshme historke në botë dhe ekziston frika se ekstremistët do t’i shkatërrojnë ato, ashtu siç kanë bërë me shumë vende arkeologjike në Irak.

Palmira, qytet nën mbrojtjen e UNESCO-s, është e njohur për galeritë 2,000-vjeçare të epokës romake dhe për artefakte të vlefshme. Para luftës, mijëra turistë në vit e vizitonin atë.

Rënia e qytetit në duart e militantëve të Shtetit Islamik, pas një javë luftimesh, është një humbje e madhe për qeverinë, jo vetëm për shkak të rëndësisë së tij kulturore, por edhe për faktin se ai u hap rrugën ekstremistëve që të avancojnë në zonat që kontrollohen nga qeveria, përfshirë Damakun dhe bregdetin sirian në jug.

Pranë Palmirës ka po ashtu fusha të rëndësishme të gazit dhe naftës.

Me rënien e Palmirës, Shteti Islamik kontrollon rreth 40 për qind të Sirisë dhe pothuajse të gjitha fushat e naftës, të cilat janë një burim i madh i të ardhurave për grupin militant.

“Jam i tmerruar”, ka thënë drejtor i përgjithshëm i muzeve në Siri, Maamoun Abdulkarim, për të shtuar se Shteti Islamik do që të shënojë fitore kundër qytetërimit, duke shkatërruar rrënojat e lashta.

Rënia e Palmirës vetëm disa ditë pasi militantët e Shtetit Islamik kanë marrë nën kontroll Ramadin e Irakut tregon aftësitë e ekstremistëve për të përparuar në fronte të ndryshme.

Ajo po ashtu hedh poshtë pohimet se humbjet e fundit të Shtetit Islamik në Tikrit dhe gjetkë i kanë dhënë goditje të madhe grupit.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut ka raportiuar se forcat qeveritare kanë kolapsuar përballë sulmeve të Shtetit Islamik dhe janë tërhequr nga qyteti të mërkurën vonë. Beibares Tellawi, aktivist në provincën Homs, ka konfirmuar se ekstremistët kanë nën kontroll Palmirën.

Ai ka thënë se militantët kanë arritur në burgun famëkeq Tadmur, ku mijëra disidentë sirianë janë burgosur dhe torturuar për vite të tëra. Ditë më parë, qeveria ka evakuuar ata që i ka konsideruar si të burgosur të rëndësishëm, por fati i rreth 1,000 të burgosurve të tjerë mbetet ende i panjohur.

Televizioni shtetëror sirian ka raportuar se forcat pro-qeveritare janë tërhequr nga Palmira, ndërsa agjencia e lajmeve Aamaq, që është e lidhur me Shtetin Islamik, ka thënë se qyteti “është nën kontrollin e plotë të luftëtarëve të Shtetit Islamik”.

Militantët po ashtu kanë marrë kontrollin e fushës së naftës Jazl në Homs, ka raportuar Aamaq.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG