Ndërlidhjet

Kuvendi në kërkim të votave për Gjykatën Speciale


Kuvendi i Kosovës pritet të përballet këtë të premte me një nga vendimet e mëdha, e që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese për t'i hapur rrugën themelimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Për miratimin e këtyre ndryshimeve, amandamentet e propozuara nga Qeveria e Kosovës duhet të marrin fillimisht dy të tretat e votave nga 120 deputetë sa ka Kuvendi, që llogaritur në numra i bie 80 vota.

Por, njëherësh, Kuvendi duhet të sigurojë edhe dy të tretat e votave të deputetëve të pakicave, që nënkupton 14 vota për nga 20 sa janë gjithsej.

Publicisti dhe analisti politik, Halil Matoshi thotë se deputetët duhet të marrin vendim për themelimin e kësaj gjykate, ngaqë e kundërta e kësaj do të ishte bartja e vendimmarrjes tek Këshilli i Sigurimit.

Matoshi, shprehet i zhgënjyer me pjesën më të madhe të opozitës, e cila është deklaruar se nuk do ta mbështes themelimin e kësaj gjykate.

"Pothuajse të gjitha partitë, përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje e cila ka qenë kategorike nga fillimi për mos votimin e gjykatës, të tjerat kanë qenë për, deri në momentin kur është krijuar koalicioni i ri qeverisës. Kështu që mua më duket se tërheqja nga vota për gjykatën është një inat politik për mos pjesëmarrje në qeveri", ka thënë Matoshi për Radion Evropa e Lirë.

Partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë deklaruar publikisht se do ta mbështesin themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, ndonëse deputetë invidual janë shprehur kundër.

Nga PDK-ja, sot nuk kishte një përgjigje, pos asaj që është thënë të premten përmes një komunikate, ku potencohej se ky subjekt politik e mbështet themelimin e kësaj gjykate.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka konfirmuar votën e partisë së tij, por pa hyrë në detaje tjera nëse koalicioni i ka apo nuk i ka 80 votat e mjaftueshme për t'i miratuar fillimisht ndryshimet kushtetuese.

"LDK-ja siç ka vepruar dhe ka bërë përpjekje në çdo rast që të veprojë në interes të vendit dhe qytetarëve do të veproj edhe në këtë rast dhe do ta votojë gjykatën. Tash, më së paku mund të jetë ajo se i keni apo nuk i keni votat. Po flasim për një çështje që është e ndjeshme", ka theksuar Beqiri.

Një rol të veçantë në amandamentimin e kushtetutës do të ketë Lista Serbe, si subjekti që përfaqësohet me 9 deputet në Kuvend.

Javën e kaluar, udhëheqësit e kësaj liste kanë biseduar me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

Aty, sipas mediave në gjuhën serbe, krerët e Listës i kanë dhënë mbështetje themelimit të Gjykatës Speciale.

Edhe analisti Halil Matoshi beson se Lista Serbe po e ndryshon qëndrimin, pasi që ky subjekt politik, sipas tij, deri vonë ka mbështetur themelimin e Gjykatës përmes Këshillit të Sigurimit në mënyrë që të sfidohej tutje sovraniteti dhe shteti i Kosovës.

Por, mbi të gjitha, ai pret që specialja të merr fillimisht mbështetjen e shumicës.

"Opozita shqiptare në Kuvendin e Kosovës, sidomos, do të duhej të reflektonte rreth kësaj mundësie dhe gjykata të votohet dhe të funksionoj sipas normave perëndimore e jo sipas atyre të Këshillit të Sigurimit ku influenca e Rusisë, Serbisë, por edhe Kinës, mund të jetë fatale për imazhin e Republikës së Kosovës", ka vlerësuar Matoshi.

Krahas amandamenteve kushtetuese, pritet që të premten të procedohet për miratim edhe ligji për Gjykatën Speciale për Krime Lufte, i cili për një kohë të gjatë është negociuar ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Gjykata Speciale do të hetojë dyshimet e supozuara në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty, për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat u hetuan më pas nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare.

Hetimet përfshijnë periudhën e viteve 1999 - dhe fillimin e vitit 2000.

Selia e Gjykatës Speciale për Krime Lufte pritet të jetë jashtë Kosovës, kurse në përbërjen e saj do të ketë prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG