Ndërlidhjet

Kuvendi miraton rezolutë për rastin e Haradinajt


Rezoluta

Rezoluta:

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6.1 të Rregullores së Kuvendit, i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në mbledhjen plenare të mbajtur më 18 qershor 2015, të miratojë këto:

1. Qeveria dhe Presidentja e Kosovës urgjentisht të kërkojnë nga autoritetet sllovene, që Deputetit të Kuvendit të Kosovës. ish-kryeministrit të Qeverisë së Kosovës dhe Kryetarit të AAK-së, tani deputetit të Kuvendit të Kosovës z. Ramush Haradinaj pa asnjë kusht dhe menjëherë t’i kthehet pasaporta diplomatike dhe t’i lejohet kthimi në Kosovë;

2. Qeveria e Kosovës të kërkojë urgjentisht nga Brukseli pastrimin e menjëhershëm të listave, respektivisht të fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia për ish-ushtarët e UÇK-së;

3. Drejtimin i notës së protestës shtetit slloven nga institucionet e Kosovës

Në një seancë të jashtëzakonshme, ligjvënësit e Republikës së Kosovës kanë miratuar një rezolutë, për rastin e deputetit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është ndalur nga e mërkura në aeroportin ndërkombëtar të Lubjanës në Slloveni.

Rezoluta në raundin e parë të votimit fitoi 51 vota për dhe 7 abstenime, por për t'u miratuar i duheshin 61 vota.

Në raundin e dytë, rezoluta fitoi 65 vota për dhe 8 abstenime.

Votimi pasoi një debat mes ligjvënëse për pikën e fundit të rezolutës, me të cilën kërkohet që shtetit Slloven, shteti i Kosovës t'i dërgojë një notë proteste.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, kanë kundërshtuar pikën fundit të rezolutës, duke thënë se raset si ky me Ramush Haradinajn “nuk duhet të ndikojnë në raportet me Slloveninë”.

Ndryshe, rezoluta kërkon që zoti Haradinajt t'i mundësohet kthimi i menjëhershëm në Prishtinë dhe i bën thirrje Prishtinës zyrtare që përmes Brukselit të spastrojë listat që përmbajnë emrat e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në bazë të fletarresteve të Serbisë.

Zoti Haradinaj është ndalur nga autoritetet sllovene, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia, në vitin 2004.

Atij i është marrë pasaporta diplomatike nga një gjykatë sllovene. Haradinaj është në pritje të procedurave ligjore për lirimin e tij.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, gjatë seancës së Kuvendit tha se ndalimi i Ramush Haradinajt nga policia sllovene është veprim "irritues dhe i papranueshëm".

Gjatë seancës, shefat e grupeve parlamentare kanë dënuar ndalimin e Ramush Haradinajt nga autoritete e rendit në Slloveni.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, e ka quajtur provokim të rëndë ndalimin e kryetarit të AAK-së nga shteti slloven.

“Kemi të bëjmë me një provokim të rëndë dhe aq me tepër kur kemi parasysh proceset nëper të cilat po kalon vendi ynë. Rasti i tillë është një provokim i rëndë që po i bëhet të gjitha institucioneve të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës dhe po e rëndon jetën tonë edhe ashtu të rënduar”, ka thënë Grabovci

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se veprimet e autoriteteve sllovene ndaj kreut të AAK-së janë "të papranueshme".

“Është veprim që deshëm apo nuk deshëm, dëmton raportet tona me një shtet që kemi vlerësuar dhe vlerësojmë se ka qenë korrekt karshi Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në momentet e rënda. Ndalimi i zotit Haradinaj në një mënyrë e dëmton këtë opinion dhe bindjet e qytetarëve dhe Kosovës për shtetin slloven”, tha Beqiri.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se arrestimi i Ramush Haradinajt nuk është hera e parë që po i ndodh një luftëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Kjo që ndodhi nuk mund ta amnistojë as Qeverinë e Republikës së Kosovës. Çfarë është kjo qeveri e jona që nuk po e din apo nuk po i rregullon këto çështje me shtetet e rajonit? Mos të harrojmë se nuk është hera e parë që po na ndodh", tha Konjufca.

Ndërkohë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, simpatizantë dhe disa qytetarë kanë protestuar para ambasadës se Sllovenisë në Prishtinë, për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndalimit të zotit Haradinaj në Lubjanë.

Interpoli

Ndryshe, fletarrestet e lëshuara nga Serbia, anëtare e Interpolit, kundër disa udhëheqësve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë qenë arsye edhe në të kaluarën që disa nga këta udhëheqës të ndalohen në aeroporte të disa vendeve anëtare të Interpolit.

Rasti i fundit ishte në vitin 2009, kur autoritetet e Bullgarisë patën ndaluar ish udhëheqësin e UÇK-së, Agim Çeku.

Numri i saktë i qytetarëve të Kosovës, kundër të cilëve Beogradi zyrtar ka lëshuar fletarrest nuk dihet. Prokuroria e këtij vendi asnjëherë deri më tash nuk ka dalë zyrtarisht me të dhëna për këtë numër.

Kosova nuk është ende anëtare e Interpolit dhe si e tillë, nuk mund të kërkojë e vetme shfuqizimin e fletarresteve të Serbisë, të cilat autoritetet në Kosovë në vazhdimësi i kanë cilësuar si të pavlefshme dhe politike.

Arsyeja e mosanëtarësimit të Kosovës në policinë ndërkombëtare, Interpol, por edhe atë evropiane, Europol, ka të bëjë me mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës nga së paky dy të tretat e vendeve anëtare të këtyre dy institucioneve ndërkombëtare të rendit.

XS
SM
MD
LG