Ndërlidhjet

Prishtina dhe Beogradi me mospajtime para takimit të radhës


Foto nga takimi i fundit në mes të kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Foto nga takimi i fundit në mes të kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Prishtina dhe Beogradi pritet të zhvillojnë të martën në Bruksel raundin e ri të bisedimeve në nivel kryeministrash.

Paraprakisht, gjatë ditës së hënë, palët kanë zhvilluar bisedime në nivelet teknike, ku sërish është diskutuar për marrëveshjet që po përgatiten në lidhje me telekomin, energjinë, lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Valon Murtezaj, këshilltar për politikë të jashtme i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Prishtina insiston që palët të arrijnë marrëveshje në pako për këto katër çështje.

"Kosova synon që të zbatojë qasjen e arritjes së marrëveshjeve në pako, që do të thotë secila marrëveshje, nëse arrihet të bëhet marrëveshje, të nënshkruhet individualisht e pastaj pajtueshmëria bëhet në pako për katër temat. Pra, kjo është strategjia e Kosovës", ka thënë Murtezaj.

Çështja më e ndjeshme në këtë fazë të negociatave, mbetet ajo e krijimit të Asociacionit të Komunave ne shumicë serbe.

Pala serbe, insiston që ky Asociacion, të cilin e quan Bashkësi, të ketë një shkallë më të gjerë të kompetencave.

Marko Gjuriq, i ngarkuar nga Qeveria e Serbisë si shef i Zyrës për Kosovën, ka thënë se përmes këtij trupi serbët e Kosovës do t'i realizojnë të drejtat e tyre jetike.

"Bashkësia e Komunave serbe për popullin serbë në Kosovë, është instrument dhe mjet i mbijetesës", ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, ky organ do t'i mundësojë komunitetit serb që të komunikojë me institucionet qendrore në Prishtinë duke përfaqësuar interesat e komunitetit serb.

Ai e ka hedhur poshtë mundësinë që përmes këtij trupi, Serbia po krijon një autonomi për serbët e Kosovës, duke thënë se e gjithë Kosova është një krahinë e Serbisë dhe ajo nuk do të ndahet.

Në anën tjetër, Prishtina zyrtare, sipas Valon Murtezajt, nuk do të lejojë që Asociacionit t'i vishen kompetenca ekzekutive, ngaqë kjo do të binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

"Qëndrimi i Kosovës është shumë i qartë, çfarëdo lloj marrëveshje lidhur me Asociacionin do të nënkupton që ai nuk do të ketë në asnjë mënyrë kompetenca ekzekutive, nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit dhe këto janë zgjidhje që janë të kushtëzuara edhe nga Kushtetuta e Kosovës, e cila i njeh komunat dhe Qeverinë e Kosovës si nivele të organizimit të pushtetit. Askush nuk mund të dalë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës", ka theksuar Murtezaj.

Ndërkohë, publicisti Halil Matoshi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pala e Kosovës në bisedime, në vend të kërcënimeve për reciprocitet, do të duhej të kërkonte nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, që të garantojë fillimisht zbatimin e marrëveshjeve të arritura para se të synojë marrëveshje të reja.

XS
SM
MD
LG