Ndërlidhjet

Kosova me pako të re fiskale


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kosova nga 1 shtatori i këtij viti do të fillojë së zbatuari pakon e re fiskale.

Në ndryshimet e pakos së re fiskale janë përfshirë ndryshimet në Ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, Ligjin për tatimin në të ardhura personale, si dhe Ligjin për tatimin në të ardhura të korporatave.

Ndryshimet më të mëdha janë bërë në Ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, i cili përcakton dy norma të TVSH-së, si: norma standarde e TVSH-së 18 për qind, si dhe norma e reduktuar e TVSH-së 8 për qind.

Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar para këtyre ndryshimeve ka qenë 16 për qind për të gjitha produktet.

Kjo pako e re fiskale, nga analistë të çështjeve ekonomike po konsiderohet si një veprim i mirëseardhur, por që në të ardhmen Qeveria e Kosovës, sipas tyre, duhet që këtë pako fiskale ta fus në konkurrencë me vendet e rajonit.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi vlerëson se hyrja në fuqi e pakos se re fiskale, do të mundësojë shpërndarjen proporcionale të të ardhurave duke i tatimuar më tepër mallrat luksoze, siç janë, duhani, alkooli dhe duke i tatimuar më pak produktet ekzistenciale.

“Kosova ka qenë vendi i vetëm jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, që ka pasur shkallë të njëjtë tatimore, sikur për mallra luksoze ashtu edhe për mallrat ekzistenciale, dhe ky është një veprim i mirëseardhur sa i përket uljes së kostos së jetesës së qytetarëve, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme sa i përket komunitetit të biznesit”, thekson Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Autoritetet e Kosovës, shton Gashi, duhet të ndërmarrin hapa të mëtejmë për të bërë Kosovën një vend më atraktiv sa i përket politikës fiskale për investimet e jashtme, të cilat janë jashtëzakonisht të nevojshme për Kosovën.

“Çka duhet të bëjë qeveria në të ardhmen është që pakoja e re fiskale të futet në një konkurrencë edhe më të ashpër me vendet e rajonit për arsye se ne si anëtarë të CEFTA-s, jemi në konkurrencë të drejtpërdrejtë me vendet e rajonit, si Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi dhe disa vende të tjera, dhe në këtë mënyrë vendi ynë në fushën e politikës fiskale duhet të jetë konkurrentë me vendet e rajonit”, vlerëson Gashi.

Pakoja e re fiskale e cila do të hyjë në fuqi në Kosovë edhe pak ditë, për ish ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, nuk do të ketë ndonjë efekt të madh, pasi që siç thekson ai edhe ndryshimet janë të vogla dhe jo aq shumë në favor të qytetarëve dhe bizneseve.

“Efekti kryesor do të jetë në rritjen e deri në 40 milionë euro të të hyrave buxhetore, kurse në lirimin e artikujve të shportës së konsumatorit nuk besoj që tregtarët do ta zbresin çmimin për 3 apo 4 cent për një kilogram bukë, apo 7 cent për një litër vaj etj. Ndonjë efekt mund të ketë tek shërbimet publike. Zbritja e TVSH-së nga 16 për qind në 8 për qind mund të lirojë kilovatin për energji elektrike”, shton ai.

Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nuk është e lartë krahasuar me vendet e rajonit, shton Shatri, por që problemi në Kosovë qëndron në faktin si niveli i zhvillimi ekonomik dhe të ardhurat që i kanë qytetarët e Kosovës, janë në nivel shumë të ulët.

“Në vështrim të vlerës absolute nuk i kemi tarifat e larta, por kur e shikojmë në kuptim relativ se çka ndikon ajo në konsumin familjarë megjithatë është e ndjeshme pasi që i kemi 30 për qind të popullsisë që jetojnë në kushte të varfërisë dhe çfarëdo barre ata i rëndon. TVSH-në e paguajnë edhe të pasurit edhe të varfrit”, vlerëson Shatri.

Ndryshe, Administrata Tatimore e Kosovës, ka kërkuar tashmë që të gjithë tatimpaguesit të cilët janë deklarues të TVSH-së, nga data 1 shtator 2015 duhet të aplikojnë normën 8 për qind dhe 18 për qind varësisht nga furnizimi i mallit apo shërbimit.

XS
SM
MD
LG