Ndërlidhjet

NATO zotohet për mbrojtjen e civilëve


Refugjatë nga Misrata
Refugjatë nga Misrata
NATO-ja sot ka shprehur përkushtimin për të bërë çdo gjë të mundshme për ta mbrojtur popullatën e Libisë, e rrethuar në qytetin Misrata, që është bazë e kryengritësve kundër regjimit të Muamer Gadafit.

Zëdhënësja e NATO-s, Carmen Romero, tha sot se Misrata është “prioritet numër një”, pasi kryengritësit në Libi e kishin akuzuar aleancën për dështim që t’i mbrojë civilët në Misrata, që është qyteti i tretë për nga madhësia në Libi.

Abdel Fatah Junes
Komandanti i forcave kryengritëse, Abdel Fatah Junes, tha mbrëmë se aeroplanët e aleatëve nuk kanë bërë asgjë, derisa forcat lojale të Gadafit, për 40 ditë me radhë e kanë bombarduar me artileri qytetin Misrata, që është 200 kilometra në lindje të kryeqytetit Tripoli.

Ai është kërcënuar se do të raportojë për NATO-n në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ish ministri i brendshëm i regjimit të Gadafit, Junes, i cili kishte kaluar në anën e kryengritësve, gjatë një konference për shtyp mbrëmë në Bengazi, tha se ngadalësia e dyshuar e NATO-s në ndërmarrjen e aksioneve i ka lejuar forcat e Gadafit të avancojnë dhe të vrasin njerëz në qytetin Misrata.

Në përgjigjje të pretendimeve të zotit Junes, NATO-ja ka thënë se po e plotëson mandatin e saj, në linjë me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
(f.b.)
XS
SM
MD
LG