Ndërlidhjet

Politika e jashtme, e ndarë në 6 shtylla


Prishtinë
Prishtinë
E kritikuar gjatë për mungesë suksesi, sidomos në fushën e njohjes, politika e jashtme e Kosovës sot është shpërndarë në të paktën 6 shtylla institucionale. Kushtetuta përcakton presidenten si udhëheqëse të politikës së jashtme.

Në propozimin dhe zbatimin e politikës së jashtme merret edhe kryeministri, i cili ka emëruar edhe dy zëvendëskryeministra për këtë punë - njërin për çështje të njohjes, ndërsa tjetrën për dialog.

Pesha më e madhe duket se bie mbi Ministrinë e Punëve të Jashtme, edhe pse të paktën në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, ndihmë jep edhe Ministria e Integrimeve.

Skënder Hyseni
Ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, nuk mendon se përfshirja e sa më shumë njerëzve do të sjellë domosdoshmërisht edhe efikasitet.

“Shumë eksponentë të politikës së jashtme apo ekzekutues nuk do të thotë se do të sjellin më shumë efikasitet. Unë kam drojë që do të pengohet, apo do të zbehet efikasiteti me më shumë eksponentë. Unë nuk do të nxitohem të flas njëherë... Preferoj t’i jap pak më shumë kohë këtij ministri dhe kësaj qeverie, të shoh se çfarë do të bëjnë ata në politikën e jashtme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Skënder Hyseni.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se në 100-ditëshin e parë të kabinetit Thaçi, nuk shihen shenja optimiste.

“Më duhet të them se shenjat e para nuk janë shumë premtuese me vetë faktin se qeveria, kryeministri ka grumbulluar aq shumë ekzekutues në politikën e jashtme, pa e pasur të qartë se çfarë do të bëjnë të gjithë ata”, thotë Hyseni.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se është duke hartuar një strategji, në bazë të së cilës do të dihet saktë se kush me çka do të merret. Këshilltari në këtë ministri, Artan Behrami, thotë se sa më shumë të përfshirë, aq më i madh do të jetë suksesi.
Sa më shumë që të kemi të involvuar në politikën e jashtme, aq më i madh do të jetë suksesi.

“Kjo tregon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që do ta ketë për politikën e jashtme, në veçanti për sjelljen e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës. Si pjesë e strategjisë për lobim, për të cilën jemi në përfundim të hartimit, janë përcaktuar shumë qartë rolet edhe të presidentit, edhe të zëvendëskryeministrave, edhe të ministrave dhe të gjithë të tjerëve që do të jenë pjesë e politikës së jashtme”.

“Ne vlerësojmë se sa më shumë që të kemi njerëz, sa më shumë që të kemi të involvuar në politikën e jashtme, aq më i madh do të jetë suksesi”,
thekson Behrami.

Kosovën deri më sot e kanë njohur 75 shtete. Kritikat më të mëdha në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë shkuar kryesisht në këtë drejtim.

Ardian Arifaj, nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se nëse nuk hartohet strategjia për bashkërendim të aktiviteteve, atëherë të gjithë të emëruarit për politikë të jashtme, do të shndërrohen në pengesë për njëri-tjetrin.
Nëse nuk ka strategji dhe koordinim, të gjithë këta zyrtarë do të fillojnë t’i zënë rrugën njërit-tjetrit.

“Nëse përgatisim një strategji dhe i definojnë qartë kompetencat e secilit, nuk do të jetë pengesë, por do të arrihet më shumë. Por, nëse nuk ka strategji dhe koordinim, të gjithë këta zyrtarë do të fillojnë t’i zënë rrugën njërit-tjetrit, t’i pengojnë njëri-tjetrit dhe të mos funksionojë politika e jashtme e Kosovës”, thotë Arifaj.

Sipas tij, të gjithë këta të përfshirë në politikën e jashtme, duhet të angazhohen për përmirësimin e imazhit të vendit, i cili ka muaj të tërë që është zbehur.

Arsye për këtë fillimisht ishin zgjedhjet e manipuluara të 12 dhjetorit, për t’u pasuar me akuzat e Dik Martit për trafikim organesh, që përfshinin edhe kryeministrin.

Rënies së imazhit, sipas Arifajt, i kontribuuan edhe shkrimet e njëpasnjëshme negative për Kosovën në mediat me renome ndërkombëtare.

Dështimi i parë ishte prezantimi më i mirë ndërkombëtarisht, sigurimi i më shumë njohjeve dhe përmirësimi i imazhit të Kosovës. Por, këto duhet të bëhen nga njerëz kompetentë, të përgatitur dhe që e dinë punën”, thotë Arifaj.

Prioritet për Ministrinë e Punëve të Jashtme mbesin njohjet. Ndërkaq, ndarjen e politikës së jashtme në shumë shtylla, Artan Behrami e sheh si të domosdoshme për arritjen e këtij qëllimi.
Kosova u takon të gjithëve dhe të gjithë duhet të përfshihen në sjelljen e njohjeve, në përmirësimin e imazhit dhe në lidhjen e marrëdhënieve mes popujve.

“Unë realisht nuk i kam shumë të qarta dyshimet për involvim të shumë njerëzve. Më herët politika e jashtme është kritikuar, për shkak se nuk ka pasur involvim dhe përfaqësim të shumë njerëzve. Qasja jonë është që të kemi më shumë njerëz, sa më shumë përfaqësim”.

“Mendojmë se Kosova u takon të gjithëve dhe të gjithë duhet të përfshihen në sjelljen e njohjeve, në përmirësimin e imazhit dhe në lidhjen e marrëdhënieve mes popujve”,
thotë Behrami.

Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili përfundoi në korrik të vitit të kaluar në favor të Kosovës, është parë si një nga penguesit kryesorë të njohjeve të reja të shtetit kosovar.

Por, edhe pse parashikimet ishin për valë njohjesh, as pas 22 korrikut, Kosova nuk pa një proces të tillë. Sfidë më e madhe mbeten 5 vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, çka i bën të vështira proceset integruese në union.
XS
SM
MD
LG