E mërkurë, tetor 22, 2014 Kosova 15:50

Aktuale

HRW: Kosova, pa përmirësime të rëndësishme

Në raportin më të ri të organizatës Human Rights Watch thuhet se Kosova nuk ka shënuar ndonjë përmirësim të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vitin 2012.

Tensionet në qytetin e ndarë të Mitrovicës thuhet se kanë kaluar në dhunë, ndërsa komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian ka mbetur i margjinalizuar dhe diskriminuar.

Sipas raportit, sistemi gjyqësor mbetet i varfër, ashtu si edhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Mbrojtja e minoriteteve

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët mbesin grupet më të cenueshme në Kosovë. Ata vazhdojnë të përballen me diskriminim, si në strehim, arsim, ashtu edhe në qasje te shërbimet publike.

Një raport i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), i publikuar në qershor të vitit 2012, ka gjetur se rreth tre e katërta e komunitetit RAE është e papunë, krahasuar me 45 për qind të popullsisë së përgjithshme. Shumë nga ta janë të zhvendosur dhe nuk janë në gjendje të rindërtojnë apo të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Tensionet midis komunitetit serb dhe shumicës shqiptare kanë qenë po ashtu të larta në vitin 2012, sidomos në qytetin e ndarë të Mitrovicës, në veri të Kosovës. Në muajin prill, një shpërthim në lagjen Tre Rrokaqiejt ka vrarë një shqiptar dhe ka plagosur fëmijën e tij. Në kohën e krijimit të raportit, policia ka qenë duke hetuar rastin.

Në muajin korrik, ndërkaq, një aktivist i komunitetit serb, Milovan Jevtiq, dhe gruaja e tij janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e tyre, në jug të Prishtinës. Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe autoritetet lokale kanë qenë duke hetuar së bashku incidentin.

Policia e Kosovës ka regjistruar vetëm 16 incidente ndëretnike gjatë tetë muajve të parë të 2012-ës, çfarë paraqet rënie nga viti 2011, kur janë shënuar 60 incidente të tilla.

Në mesin e vëzhguesve ndërkombëtarë ka pasur shqetësime se shumë incidente ndëretnike nuk raportohen, nuk regjistrohen ose nuk klasifikohen.

Kthimi i refugjatëve dhe i personave të zhvendosur brendapërbrenda

Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2011, Zyra e Komisionarit të Lartë për Refugjatë e OKB-së ka regjistruar 785 të kthyer vullnetarë, përfshirë të zhvendosurit jashtë Kosovës dhe brenda, krahasuar me 989 të kthyer gjatë periudhës së njëjtë kohore në vitin 2011.

Dëbimet në Kosovë nga vendet e Evropës Perëndimore kanë vazhduar. Në periudhën janar-shtator, UNHCR-ja ka regjistruar 1,717 të kthyer me detyrim në Kosovës, shumica nga Suedia dhe Gjermania.

Ndërkaq, zbatimi i dy strategjive kombëtare, të dizajnuara për të lehtësuar integrimin e të kthyerve, ka shënuar pak përparim.

Mosndëshkimi, përgjegjshmëria dhe qasja në drejtësi

Më 29 nëntor, Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi la liruar Ramush Haradinajn, ish-kryeministër i Kosovës, dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, ish-komandantë të UÇK-së, pas rigjykimit për krime kundër njerëzimit ndaj civilëve serbë, romë dhe shqiptarë, në kampin e Jabllanicës, më 1998.

Ekipi special i EULEX-it ka vazhduar hetimet e disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë zyrtarë të lartë të Kosovës, të dyshuar për përfshirje në rrëmbimet e pasluftës, zhdukjet e detyrueshme, vrasjet e serbëve dhe trafikim të organeve.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2012, gjykatësit e EULEX-it kanë bërë tre gjykime për krime lufte, ndërsa, në të njëjtën periudhë kohore, gjykatësit vendorë kanë shqiptuar 20 dënime të tjera.

Në muajin nëntor, Gjykata Supreme e Kosovës ka urdhëruar rigjykimin e Fatmir Limajt dhe tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së nën akuzat për krime lufte.

Liria e mediave

Kërcënimet ndaj gazetarëve kanë vazhduar të jenë problem serioz. Në muajin qershor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Kodin Penal pa rishikimin e neneve kontestuese, të cilat kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet, duke rritur shqetësimet për lirinë e mediave.

Aktorët kyçë ndërkombëtarë

Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës në muajin shtator ka rezultuar me mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare, ndërkohë që mandati i EULEX-it është zgjatur deri në vitin 2014.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në muajin shkurt, ka shprehur shqetësime për përshkallëzimin e tensioneve etnike në veri të Kosovës.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, ka theksuar nevojën për përparim në sundimin e ligjit, reforma në administratën publike dhe reforma zgjedhore.

Një raport i Komisionit Evropian, i publikuar në tetor, ka rekomanduar hapjen e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Po në tetor, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, ka theksuar rëndësinë e një hetimi efektiv të akuzave për trafikim organesh, që përmend në raportin e tij senatori zviceran, Dick Marty.

***

Në raportin 665 faqesh, Human Rights Watch ka analizuar situatën me të drejtat e njeriut në më shumë se 90 vende. 

Në lidhje me ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, të njohura si Pranvera Arabe, HRW ka thënë se krijimi i një shteti që respekton të drejtat humane, mund të jetë një punë e mundimshme, e cila kërkon ndërtimin e institucioneve efektive të qeverisjes, themelimin e gjykatave të pavarura dhe krijimin e policisë profesionale.

Ndërkaq, për Rusinë dhe Kinën, HRW ka vlerësuar se nuk pretendojnë të ndjekin shembullin demokratik. Në vend të kësaj, ato janë të preokupuara me parandalimin e frymëzimeve nga Pranvera Arabe brenda vendeve të tyre, ka vënë në pah Human Rights Watch.

Valona Tela

valonateliqi+gmail.com

Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum