E shtunë, gusht 30, 2014 Kosova 06:13

Forum

Adem Mikullovci përgjigjet në pyetjet tuaja

x
Të nderuar lexues, mysafiri ynë i radhës në rubrikën "Intervista online" është aktori, regjisori dhe skenaristi Adem Mikullovci.

Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ai, pasi të jetë mbyllur forumi.

Adem MIKULLOVCI është i lindur në Vushtrri, më 21.12.1941. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka kryer në Mitrovicë, ndërkaq shkollimin e lartë e vazhdoi në Akademinë për Teatër, Film dhe Televizion në Beograd. I ka ndërprerë studimet për shkaqe materiale dhe kthehet në Kosovë. Në shtatorin e vitit 1968 punësohet në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë dhe punon si aktor deri në vitin 1990, kur si delegat i Kuvendit të Kosovës, pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, më 2 korrik, dhe Kushtetutës së Kaçanikut, detyrohet të largohet nga Kosova bashkë me delegatët tjerë, për shkak se policia serbe shpalli fletarrestin për të. Në vitin 1991, burgoset nga policia serbe, por pas 8 ditësh lirohet nga burgu i Valevës që të mbrohet në liri. Adem Mikullovci i kthehet jetës normale, por jo më në Teatrin Popullor Krahinor, por si aktor dhe krijues i lirë. Gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur një numër rolesh bartëse dhe episodike në shumë shfaqje teatrore, siç janë: ”Po shkoj në gjah”, “Hotel Kashta”, Duke pritur Godonë”, “Dashuria”, “Revizori”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Moza në vesh”, “Fundi i botës”, “Shoku Niçifor”, “Mosha e bardhë”, “Pas vdekjes”, “Përqafimi”, “Engjëlli i stacionit”, “Mbikëqyrësi”, “Ora” etj. Ka luajtur edhe në filmat ”Kur pranvera vonohet”, “Përroi vërshues”, “Sulmi i kuq” etj. Ka bërë regjinë e disa shfaqjeve, si dhe asistoi në disa regji të tjera. Ai është regjisor dhe skenarist i disa filmave, dramave dhe serialeve televizive, siç janë: “Një palltë për babën tim në burg”, “Qëndresa”, “Ngjyra jete”, "Mahmutovitë e Rexhepovitë”, “Burrë me tri gra”, “Zogjtë e luftës” e shumë të tjera. Aktualisht luan në njërin prej serialeve më të popullarizuar në Kosovë “Kafeneja jonë”.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Faqja e komenteve nga 1
E ardhshmja
Nga : ALBANI Prej : Gjermani
29.12.2008 12:00
I nderuar z ADEM MIKULLOVCI, përshendetje nga zemra e një mërgimtari shqiptar! Jeta e gjatë qoft me Ju. Gëzimi, hareja dhe çdo e mirë e Zotit qoft në Familjen tuaj!Deri me tani, suksesi shumë i çmuar ishte dhe mbeti i pashterrshem. Lat gjurmë të çmuara në kulturën dhe historinë shqiptare. Na edukuat dhe gëzuat në çdo Familje shqiptare. Na gëzove edhe kur ishim të hidhëruar. Jeni shembull edhe për gjeneratat që do vijnë edhe me dekada të pasme-kurse për këtë aktualen jeni promotor i pamohueshem. Shkurt, jeni dhe do mbeteni AUREOLË e artit, kultures dhe kinematografisë shqiptare. Fryti juaj dha e po jep jo vetem rezultate kulturore në dramaturgjinë tonë, por Ju i dhat grusht të fortë edhe okupatorit shekullor, i cili u përpoq të na çbëj nga kjo Tokë stërgjyshore. Ishim por dhe jemi krenarë që ju kemi.
Çka mendoni për Artin dramaturgjik shqiptar sot në përgjithësi?
Po të vëjmë një paralele: tematikat sot dhe dikurë?
Ku është Teatri sot?
Çfar vlerësimi keni për Shtëpitë e Kultures sot?
Çbën Qeveria e Kultures sot për të mirën e dramaturgjisë sot?
Si i çmon rolet tuaja sot me ato të viteve kundërvenëse ndaj pushtuesit, e që u rrezikohej edhe lirija, edhe ashtu e cunguar.
Edhe pse po vërej ca pyetje politike, kisha me ju thënë: se, Ju jeni aq vlerëmadh saqë nuk e devalvoni veten e të mirreni me politikë. Po te keni pyetje të këtij karakteri kaloju sipërfaqësisht! Jua them këtë sepse, Ju më shumë jani i yni sesa i vetvetes suaj.
Së fundi, ju pyes edhe: A mendoni në të ardhmen që tër veprimtarinë tuaj të çmueshme ta përmbledhni në një Libër enciklopedik përmbledhës, sepse e meriton fryti i juaj.

Shëndet, suksese dhe jetë të gjatë ju dëshuron mërgimtari!

Me respekt,
Albani
Në përgjigje

Nga : Moderatori
29.12.2008 11:00
Arti dramatik në Kosovë po ballafaqohet me mungesë të mjeteve dhe fatkeqësisht, kryesisht, këtu është e meta, sepse përndryshe unë kam një besim të plotë se do të arrijmë rezultate shumë të mira. Tematikat, sot dhe dikur, janë të ndryshme, por edhe kanë ngjashmëri shumë të madhe. Tematikat dikur ishin kryesisht si të lirohemi nga okupatori. Tash, kur jemi liruar nga okupatori, tematikë duhet të jetë përditshmëria jonë dhe lufta jonë për ndërtimin e vendit, barabarsinë, si të them, të varfërisë dhe të pasurisë, të pasurit dhe të varfërit. Ka tema plot, plagë të hapura, të cilave duhet t’u kushtojmë kujdes të madh, për mbylljen, sanimin dhe shërimin e plagëve që na ka lënë lufta. Kjo duhet të jetë, sipas mendimit tim, tematika kryesore e ditëve tona. Teatri sot është pak më mbrapa sesa që ka qenë përpara (Teatri Kombëtar), por tash, me zgjedhjen e dy drejtorëve të rinj, dy djem që kanë vullnet shumë të madh dhe janë vërtet punëtorë të mëdhenj, unë besoj se e ka një të ardhme të ndritshme. Kjo do të vërtetohet shumë shpejt. Me forcimin e Teatrit Kombëtar, dalëngadalë do të forcohen edhe teatrot tjera, ai i Gjakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Ferizajt. Shtëpitë e kulturës, një kohë, kanë qenë të nevojshme dhe kanë qenë si qendra në të cilat rinia ka gjetur një lloj argëtimi, tendencë për të krijuar diçka. Këto shtëpi kulture duhet të ekzistojnë edhe sot, por kanë mbetur të shkreta, sepse nuk po punohet në to dhe aspak nuk po shfrytëzohen. Ministria e Kulturës po bën pak…shumë pak. Por, nuk ka mundësi të bëjë më shumë. Gabimi është në thelb. Pse të mos jetë Ministria e Kulturës e ndarë prej Sportit dhe prej Rinisë? Tjetër është sporti, e tjetër është arti dhe kultura. Këto mjete që ka Ministria e Kulturës dhe Sportit janë të vogla vetëm për kulturë dhe për art, por kur këtu i shtojmë edhe kërkesat e sportit dhe të rinisë, atëherë çka po na mbetet? Po mbetet shumë pak. Kur je në zor dhe kur je ngushtë nganjëherë, më tepër punon dhe më tepër krijon. Mendoj se kam qenë më i frytshëm në atë kohë sesa tash.
Alban... të them të drejtën, kjo që më pyetët për librin - më ke prekur aty ku shpesh po mendoj. Kam pasur oferta prej shumë njerëzve, besa edhe Enti i Botimeve, që disa drama të mia t’i mbledh dhe t’i botoj, sepse s’i kam botuar asnjëherë, ndërkaq që kam të shkruara shumë drama. Kam pasur kërkesa, posaçërisht që “Mahmutovitë dhe Rexhepovitë” ta bëj një libër, t’i botoj, por nuk e di. Kisha pasur dëshirë që t’i botoj vetëm këto punët e mia. Për më tepër jo. Nuk do ta quaja enciklopedi, por si një përmbledhje e dramaturgjisë sime… Kisha pasur dëshirë ta bëj, por nuk po kam mundësi.

Nga : OXXO Prej : ketu
29.12.2008 09:16
Zoti Mikullovci, respekt dhe pershendetje. A mund te na tregoni se si ndjeheshit per veten dhe per Kosoven e gjithe popullin shqiptar gjate kohes se luftes? Ku ishit gjate asaj kohe? Kam degjuar se nje kohe ishit ne nje fshat te Malit te Zi... Si keni kaluar, cfare keni bere, si ndiheshit?. Ju pershendes shume dhe jete te gjate e suksese me tutje!
Në përgjigje

Nga : Moderatori
29.12.2008 08:16
Gjatë luftës… Unë nuk ika menjëherë prej Kosovës me fillimin e luftës, përderisa nuk erdhi fqinji im serb, nga një kat më poshtë, dhe ja mbështeti revolen në kokë djalit tim dhe më tha: “Nese nuk e lëshon banesën për 2 minuta, ta vras djalin”. Atëherë ika dhe dola. Më ndihmuan disa tjerë, boshnjakë, dhe dola në Mal të Zi. Shkova në Ulqin dhe vërtet që kam qenë në një fshat të Ulqinit. Aty kam kaluar për mrekulli, përderisa nuk erdhi kryetari dhe kryebashkiaku i Ulqinit dhe më mori, më vendosi në banesë në Plazhin e Madh dhe kam kaluar shumë mirë. Por, si gjjthë të tjerët, digjesha dhe përvlohesha se çka po ndodh me të tjerët. Në mesin e të parëve jam kthyer menjëherë në Kosovë.

Nga : ganiu Prej : gjermanija
28.12.2008 20:38
Baca Adem jeni i pazevendesueshem si aktor, humorist, njashtu edhe si skenarist dhe regjisor, te lumte per te gjitha qe i ke bere per neve. Te uroj 67 vjetorin e jetes suaj dhe te deshiroj edhe shume ditelindje te tjera. Tung nga llapjani.
Në përgjigje

Nga : Moderatori
28.12.2008 19:38
Ooo faleminderit o llapjan. E kam pasë bërë njëfarë seriali, “Sadri llapjani, burri me tri gra” hahahaa… Faleminderit shumë.

Nga : Beqir Halimi Prej : GJermani
28.12.2008 18:00
Pershendetje zoti Mikullovci, sa jeni te kenaqur me qeverine THAQI?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
28.12.2008 17:00
Të them të drejtën, me Qeverinë Thaçi jam bukur i kënqur. Njerëzit po harrojnë se këta kanë hasur në probleme të trashëguara nga qeveria e parë dhe e dytë. Kjo qeveri është më e mira që e kemi pasur deri sot. Ta jap besën se nuk jam anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës e as nuk jam anëtar i asnjë partie. Dhe, nuk kam aspak nevojë ta lavdëroj Hashim Thaçin ose bashkëpunëtorët e tij, Fatmir Limën, Hajredin Kuçin dhe krejt qeverinë në tërësi, por këta djem po mundohen. Kanë trashëguar vështirësi shumë të mëdha dhe e kanë vështirë deri sa t’i qesin të gjitha goglat në vendin e vet.

Nga : bini Prej : kabashi
28.12.2008 15:05
I nderuar z. Adem Mikullovci,
Pyetja: cka mendon per aktoret kosovare ne pergjithesi, ku kane qene dhe ku jane? Dhe pytja e 2-te - Pse ju aktoret me te vjeter keni qene shume me te suksesshem me heret se tani?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
28.12.2008 14:05
Aktorët e Kosovës, ku kanë qenë, ishin, por se do të jenë edhe më lart të vlerësuar, për këtë ta jap besën, sepse kanë filluar regjisorët e ndryshëm nga Evropa të na shohin. Po angazhojnë aktorë prej Kosovës dhe ata do të arrijnë bukur më larg sesa që kemi arritur ne. E tash, a kemi qenë më të mirë ne gjenerata e vjetër sesa këta të rinjtë, kjo është vërtet temë për diskutim, sepse as këta aktorët e rinj nuk kanë pasur mundësi sa kemi pasur ne, gjenerata ime. Janë të mrekullueshëm. Por, ne kemi qenë më pak në numër, por kemi pasur mediume më shumë. Kemi pasur 3-4 programe në Radio Prishtinë, kemi pasur Kosova-filmin, kemi pasur televizionin, kemi pasur teatrin… Kështu që kemi qenë më pak, më tepër të angazhuar, më tepër të eksponuar, më tepër kemi pasur mundësi që t’i shprehim aftësitë tona si aktorë, në krahasim me këta të rinjtë, që kanë kufizime më tepër.

Nga : Krenar Sylaj Prej : ShBA
28.12.2008 13:27
Meriton respekt per kontributin tuaj ne artin skenik, por me fal qe po ta them por nuk eshte per ty qe te luash ne serialin "kafeneja jone", serial ky pa asnje vlere as artistike, as edukative. Jo qe duhet te terhiqesh nga ky serial, por duhet qe te ndikosh qe te nderpritet fare emitimi i tij.
A te kujtohet baca Adem njefare Ejup Hogja - profesor i gjeografise? Ai me pati thene njehere se si nxenes nuk keni qene edhe bash i rehatshem. Keni qene "zavrak"...
Në përgjigje

Nga : Moderatori
28.12.2008 12:27
O Krenar Syla, shiko, je i treti ose i katërti që po më thua që të mos luaj në “Kafeneja jonë”. Si të them more burrë? Po ta kisha një punë tjetër, ndoshta do ta lija “Kafenenë”. Por, nuk besoj që është aq e dobët “Kafeneja”, aq zhgënjyese sa që të mos jem në të. Mendoj se “Kafeneja” mund të jetë më e mirë dhe këtu pajtohem plotësisht; por pasi që nuk kemi më mirë, edhe “Kafeneja” hahet. Kur nuk ka shi, edhe breshër nganjëherë (vetëm mos të jetë kokërrmadh) na bën hajër.
Më kujtohet profesori Ejup Hoxha… E vërtetë që si nxënës nuk kam qenë fort i rahatshëm. E kam pasur njëfarë dreqi në mua, që nuk më ka lënë rehat. Jam angazhuar pak tepër edhe me sport, edhe me shfaqje, edhe me programe. Ndoshta edhe në klasë asnjëherë nuk kam qenë më i urti e as nxënësi më i mirë në klasë, por edhe nuk kam ngelur asnjëherë. Herë kam kaluar shkëlqyeshëm, herë shumë mirë. Kështu disi… Si thonë, me pikë të zorit e kam kryer atë pak shkollë.

Nga : sami Prej : drenasi
25.12.2008 08:03
nga sami drenas: 25.12.2008
Nuk ka zevendesim deri me tani baca Adem. Ti je i pazevendesueshem, une te pershendes shume dhe te uroj fat, nuk kam koment per ty, tung.
Në përgjigje

Nga : Moderatori
25.12.2008 07:03
Ooo Sami… Dëgjoje Adem Mikullovcin. Ka zëvendës. Edhe shumë e shumë të tjerë ka. Por, kështu e ka koha dhe jeta. Njerëzit që janë gjallë, i duam, por kur të vdesin, pas pak kohe i harrojmë. Nuk di a ke pasur rast të shohësh në skenë Istref Begollin, Shani Pallaskën, Muharrem Qenën, Abdurrahman Shalën… Po ta jap besën se ata kanë qenë aktorë të mrekullueshëm, e sot askush nuk i përmend. Kështu e ka jeta e aktorit. Sa është gjallë, rron - kur të vdesë, harrohet.

Nga : Kadri Kelmendi Prej : Finland
23.12.2008 23:03
Baca Adem, pershendetje. Ne prag te nderrimit te motmoteve, urime dhe suksese ne vitet ne vijim dhe po them ne vitet ne vijim, sepse po kam deshire qe te kemi edhe per shum vite. Per mos ta zgjatur me shume, do te kisha pyetur se a do te kemi ndonje ADEM MIKULLOVCI te dyte ndonjehere, sepse, sipas mendimit tim, nuk po di kompliment me te madh per ty se kjo pyetje.
Me nderime KADRIU!(Sibovc-Kastriot)FIN

Në përgjigje

Nga : Moderatori
23.12.2008 22:03
Ooo Kadriu i Sibovcit, e tash në Finlandë… Dëgjo ore burrë - jo që po e them, por po ta jap besen, sepse kështu mendoj - jo vetëm që ka trashëgimtarë të Ademit, por ka edhe shumë, besa edhe më të mirë se Ademi. Por, koha e ka bërë të veten që unë kam qenë pak më tepër si për herë të parë, se ka plotë Adema. Është një anekdotë, kur gruaja ia pren kënduesin burrit për darkë. I thotë burri: “Po kush më këndon mua nesër”? I thotë gruaja: “Hajt ore njeri se këndojnë këta kënduesit tjerë që po vijnë pas tij, sa që të kënaqin. Këndojnë më mirë se ai kënduesi që ta kam prerë mbrëmë për darkë”.

Nga : Tefik Fazliu Prej : Podujevë
23.12.2008 19:00
I nderuari dhe i respektuari bac Adem Mikullovci, cka kishit ndryshuar ne jeten tuaj nese edhe njehere ishit kthyer prapa, d.m.th. po te ishit bere edhe njehere i ri?
Në përgjigje

Nga : Moderatori
23.12.2008 18:00
Hmmm… Ka qenë një moment kyç në jetën time kur kam shkuar në Akademi, në Beograd. Unë kam shkuar së pari në provim pranues në Fakultetin e Mjekësisë, nuk e kam dhënë provimin, e pastaj kam shkuar në Akademi. Po ta ktheja në fillim, ndoshta do të isha bërë mjek, por s’jam i sigurt. Më duket, me siguri se jam kah gënjej, sepse prapë do të isha bërë ky që jam, Adem Mikullovci, aktor.

Nga : selimi Prej : zvicsr
23.12.2008 12:29
Urime ditelindja o baca Adem e i befsh 100!
Në përgjigje

Nga : Moderatori
23.12.2008 11:29
Oooo Selim aga... Shumë janë 100 vjet, shumë. Nëse më mban shëndeti edhe ndonjë vit, faleminderit.
Faqja e komenteve nga 1
E ardhshmja