Ndërlidhjet

Hagë: Absolutisht të pavërteta raportet për vrasjen e dëshmitarëve


Tribunali i Hagës për Krime të Luftës ka kumtuar sot se nuk është vrarë asnjë dëshmitar në proceset kundër Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, duke i përgënjeshtruar raportet e ditëve të fundit në mediat serbe.

Në njoftimin me shkrim, përfaqësuesja e Tribunalit të Hagës, Nerma Jellaçiq, ka theksuar se “janë absolutisht të pavërteta pohimet se dëshmitarët e Tribunalit të Hagës janë vrarë gjatë gjykimeve të Haradinajt dhe Limajt”.

“Asnjë person nga lista e dëshmitarëve ose person, të cilit Gjykata ndërkombëtare i ka lejuar masat e mbrojtjes, në këto dy lëndë, nuk është vrarë”, ka thënë ajo, duke komentuar, siç është shprehur ajo, “raportet e pavërteta lidhur me sistemin e mbrojtjes së dëshmitarëve” para Tribunalit, dhe në rigjykimin e Haradinajt, të cilat gjatë “ditëve të fundit i kanë publikuar disa media në Serbi”.

Nerma Jellaçiq ka precizuar se prej afro 4 mijë dëshmitarëve, sa kanë dëshmuar deri tash para Tribunalit, për 1 mijë prej tyre, ishin përcaktuar masat e caktuara të mbrojtjes.

Këto komente u bënë pasi prokurori i Serbisë për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq, i ka thënë gazetës beogradase Kurir, se “më tepër se 40 dëshmitarë në proceset Haradinaj dhe Limaj, janë vrarë ose frikësuar”.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG