Ndërlidhjet

Thaçi: Projekti i Nikolliqit - i parealizueshëm


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se projekt i presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolliq është i parealizueshëm në territorin e Republikës së Kosovës.

Një ditë më parë, është raportuar se Nikolliq në platformën për Kosovën, do të propozojë krijimin e një entiteti serb në veri, siç është Republika Serbe ne Bosnjë.

Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë, e ka quajtur këtë projekt, si “vazhdimësi të planeve të vjetra të Beogradit në raport me Kosovën”.

Ai ka thënë se ky “është një plan që kthen prapa Serbinë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës, është një plan që në asnjë rrethanë nuk do të mund të realizohet me apetitet me ndonjë autonomi në Kosovë apo ndarje territoriale, është një plan antievropian, është një plan kundër paqes, dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon”, citohet Thaçi në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

“Mund të them lirisht se ai projekt do të mbetet në sirtarët e dëshirave të Beogradit, siç kanë qenë të dështuara të gjitha projektet, nga Garashanini deri tek presidenti aktual, Nikolliq”, ka theksuar ai.

Thaçi tashmë ka zhvilluar tri takime me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, që siç ka thënë ai, kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
XS
SM
MD
LG