Ndërlidhjet

Japoni: Nuk ka negociata me Kinën për ujëdhesat kontestuese


Anijet e Rojës bregdetare japoneze i largojnë anijet tajvaneze të peshkimit afër ujëdhesave Senkaku
Anijet e Rojës bregdetare japoneze i largojnë anijet tajvaneze të peshkimit afër ujëdhesave Senkaku
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha sot se ky vend nuk do të zhvilloj negociata me Kinën lidhur me ujëdhesat kontestuese të pabanuara në Detin Lindor Kinez.

Pronësinë ndaj ujëdhesave Senkaku, që aktualisht janë nën kontroll të Japonisë, e pretendojnë, poashtu, edhe Kina e Tajvani, ku ato quhen Diaoyu dhe Tiaoyutai.

Abe, i cili në këtë post është zgjedhur muajin e kaluar, e ka kritikuar Pekinin për lejimin e protestave të dhunshme lidhur me këtë mosmarrëveshje.

Vendimi i Tokios për t’i blerë ujëdhesat nga pronarët privatë japonezë, në muajin shtator, ka shkaktuar protesta në Kinë dhe sulme kundër bizneseve japoneze. Poashtu janë bojkotuar edhe disa prodhime të Japonisë.

Deklarata e kryeministrit Shinzo Abe u bë pasi mediat japoneze kanë raportuar dje se disa aeroplanë luftarakë kinezë janë parë afër hapësirës ajrore mbi ujëdhesat.

Në shenjë të përgjigjjes, ushtria japoneze i ka ngritur aeroplanët luftarakë F-15.

Aeroplanët luftarakë kinezë ishin larguar dhe nuk kishin hyrë në hapësirën ajrore të ujëdhesave.
XS
SM
MD
LG