E enjte, prill 24, 2014 Kosova 07:50

Lajmet

LDK dhe VV, kundër zgjedhjes së anëtarëve të politizuar të Bordit të BQK-së

Foto ilustrueseFoto ilustruese
x
Foto ilustruese
Foto ilustruese
Madhësia e shkronjave - +
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe ata të subjektit politik Vetëvendosje, sërish nuk po marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për të votuar për zgjedhjen e një anëtari jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri tha se deputetët e tyre, nuk do të votojnë për kandidatët e propozuar, pasi që sipas tij, ata persona janë të politizuar.

“Po e përsërisim, nuk do të marrim pjesë në votim dhe nuk do të votojmë për ata që janë kandidatë e që kanë librezë partiake”, tha Beqiri.

Edhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, tha se nëKuvendin e Kosovës, po tentohet të instalohet një praktikë, e cila është e papranueshme për çfarëdo demokracie.

“Për shkak se kur po kemi borde të pavarura, në të cilat duhet të vijnë njerëz profesionistë, partia në pushtet po i shkatërron votat në mënyrë që ta dëmtojë procesin, siç ishte rasti me Gjykatën Kushtetuese. Kurse, kur po sjellin njerëz të tyre me përkatësi të qartë partiake, po kërkojnë që opozita ta krijojë kuorumin. Ne nuk pranojmë që të jemi pjesë e këtij kuorumi dhe nuk do të qëndrojmë në sallë për këtë votim”, tha Konjufca.

Kurse, deputetët e AAK-së kanë qëndruar në seancë dhe kanë thënë se do të votojnë për kandidatët, sipas bindjeve që kanë.

Sido që të jetë, me 48 vota Bedri Peci u zgjodh nga Kuvendi si anëtar joekzekutiv i Bordit të BQK-së dhe emri i tij tash i dërgohet për miratim.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta vazhdojë seancën e ndërprerë javën e kaluar, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës ishte votimi për një anëtar të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.