Mbretëresha Elizabeth ka thënë të mërkurën se Qeveria britanike do të kalojë ligjin që i hap rrugën referendumit për anëtarësinë e vendit në Bashkimin Evropian.
“Legjislacioni i ri do të sigurojë referendumin për anëtarësinë në BE deri në fund të vitit 2017”, ka thënë Mbretëresha në një fjalim para Parlamentit britanik.
“Qeveria ime do të rinegociojë marrëdhënien e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në dhe do të ndjekë reformën e BE-së për të mirën e të gjitha vendeve anëtare”, ka shtuar ajo.
Kryeministri i Britanisë, David Cameron, i cili është rizgjedhur më 7 maj, është zotuar se do të negociojë një “marrëveshje më të mirë” për Mbretërinë e Bashkuar dhe se do të mbajë referendum për anëtarësinë në BE më 2017.