Ndërlidhjet

Panairi me 1000 tituj të rinj


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Prej 3 deri më 8 maj, në Prishtinë do të mbahet Panairi i parë ndërkombëtar i librit. Këtë panair e organizon Unioni i Botuesve të Kosovës. Megjithatë, shitësit e librave dhe disa qytetarë vlerësojnë se interesimi për librin, në Kosovë po shënon rënie.


Panairi i parë ndërkombëtar i librit në Prishtinë, i cili nis të martën nën organizimin e Unionit të Botuesve të Kosovës, sjell në kryeqytetin kosovar produktet letrare të rreth 100 shtëpive botuese të hapësirave ku jetojnë shqiptarët, por edhe të disa vendeve evropiane.

Behxhet Bici, drejtues i Unionit të Botuesve të Kosovës, thotë se ideja për organizimin e një panairi ndërkombëtar të librit ka ekzistuar që më parë dhe këtë ide tashmë po e realizon Unioni që ai drejton.

“Janë paraqitur shtëpi botuese nga Anglia, Gjermania dhe Turqia. Pjesa dërmuese janë nga Shqipëria. Do të thotë me ata të Kosovës, Shqipërisë dhe të huaja, janë afër 100 (shtëpi botuese). Plus, duhet ta kemi parasysh edhe një fakt, se është bërë traditë që disa nga botuesit të paraqiten në ditën e fundit, gjë që na shkakton probleme, sepse hapësira, në të cilën mbahet panairi i librit, është vërtet shumë e ngushtë. Përveç dy sallave të zakonshme ku mbahet panairi, këtë vit e kemi planifikuar edhe platenë para ‘Sallës së kuqe’, në Pallatin e Rinisë”, tregon Bici.

Ndryshe, Bici sqaron se Panairi ndërkombëtar i librit në Prishtinë, nuk është vazhdimësi e të ashtuquajturit “Panairi i librit shqip”, të cilin në dhjetë vjetët e fundit e kishte organizuar Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Megjithatë, ai pret që në këtë panair të ketë numër të mjaftueshëm të botimeve të reja krahasuar me një vit më parë në “Panairin e librit shqip”.

“Nëse fillojmë me radhë, i bie që është Panairi i parë ndërkombëtar i librit - Prishtina 2011. Është pak ndryshim, për të mos gjetur pretekst se po e prishim traditën e një panairi, të cilin e ka bërë më herët Shoqata e Botuesve të Kosovës”
.

“Nëse 100 shtëpi botuese, mesatarisht i nxjerrin secila nga 10 tituj në vit, supozojmë, së paku 1 mijë tituj duhet të jenë të rinj, krahasuar me vitin e kaluar e deri më tash. Risi tjetër është se do të ketë promovime më shumë se çdo vit. Do të jenë pjesëmarrës edhe shkrimtarë të ndryshëm nga hapësira gjithëshqiptare”, shpjegon Bici.

Në Panairin ndërkombëtar të librit, sipas Bicit, do të përfshihen të gjitha shtëpitë botuese, të cilat kanë shfaqur interesimin për të marrë pjesë, përfshirë këtu edhe shitësit ambulantë të librave.

Por, këta të fundit kanë mendime të ndryshme lidhur me pjesëmarrjen në këtë panair. Mirsad Krasniq, shitës ambulant i librave në Prishtinë, thotë se nuk sheh ndonjë leverdi nga pjesëmarrja në panairin e librit.

“Jo, nuk do të marr pjesë. Në këtë panair, jo, sigurisht. Nuk shoh ndonjë interes. Ka rënë shumë interesimi për librin. Faktikisht, është kohë e keqe për librin. Sivjet, do të ketë shumë më pak shitje se vitin e kaluar. Kështu po ndodh gjithmonë, secilin vit, po bie shitja, sepse është varfëruar popullata”,
shprehet Krasniqi.

Por, ndryshe mendon Liridon Mexhani, po ashtu shitës ambulant i librave:

“Ftesa na është bërë paraprakisht. Ne e kemi pranuar ftesën. Ne do të marrim pjesë në këtë panair. Është një rast. Do të thotë, panairi e ka atë karakteristikën e vet. Në panair mundësohet që të blihen librat me një përqindje më të lirë. Është mundësi që dikush që dëshiron të blejë më shumë libra, e ka përqindjen e zbritur. Zakonisht, pas luftës, sa herë që janë bërë organizimet e panaireve, librat janë me 20 për qind më lirë ose edhe më shumë”.

Në anën tjetër, ata që lexojnë libra, thonë se do ta vizitojnë panairin, por, sipas vlerësimeve të tyre, interesimi për librin, në përgjithësi ka shënuar rënie.

Jeton Karpuzi thotë se do të kërkojë vetëm librat e domosdoshëm për të.

“Do të shkoj, mirëpo, do të shikoj për libra që i përkasin profesionit tim”
, thotë Karpuzi.

Ngjashëm shprehet edhe Skënder Musa. Ai vlerëson se janë dy faktorë që kanë ndikuar në rënien e interesimit për librin.

“Më interesojnë botimet e reja, sa i përket letërsisë, filozofisë dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare. Por, interesimi për librin, kohëve të fundit, duket se ka rënë. Me siguri se e ka bërë të veten edhe interneti, por edhe çmimet e shtrenjta të librave. Një pjesë e mirë e intelektualëve nuk kanë mundësi t’i blejnë”,
thotë Musa.

Panairi ndërkombëtar i librit në Prishtinë, do të jetë i hapur deri më 8 maj.
XS
SM
MD
LG