Ndërlidhjet

logo-print

Kina kundër, Kroacia pro Kosovës


Hagë

Hagë

Kina dhe Qiproja kundërshtuan pavarësinë e Kosovës, duke insistuar në parimin e paprekshmërisë së tërësisë territoriale. Kroacia e Danimarka mbrojtën shtetin e ri, duke elaboruar edhe proceset politike që kanë çuar te krijimi i tij.



Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, fillimisht është paraqitur Kina. Ambasadorja e këtij vendi në Holandë, Su Hançin, duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ka thënë se “ajo fton për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë”.

Su Hançin i është kthyer vitit ’99, duke pohuar se “NATO-ja kishte intervenuar në Kosovë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit dhe kishte shkaktuar katastrofë humanitare”.


Sipas saj, “Rezoluta 1244 ka ftuar për autonomi substanciale të Kosovës” dhe “shpallja e pavarësisë ishte shkelje e Rezolutës 1244”.

Përfaqësuesja e Kinës ka thënë se “respektimi i integritetit territorial është parim fundamental i OKB-së dhe OSBE-së” dhe se “shkelja e këtij parimi gjithnjë ka çuar drejt tensioneve dhe konflikteve”.

Edhe përfaqësuesja kineze ka pranuar se “e drejta ndërkombëtare nuk e ndalon dhe as nuk e sanksionon çështjen e secesionit”, por, megjithatë, ajo ka konstatuar se “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk mund të jetë neutrale rreth kësaj problematike në rastin e Kosovës”.

Su Hançin ka thënë se “vetëvendosja mund të miratohet në rastet e kolonive dhe okupimeve të jashtme dhe jo në raste të pjesëve integrale dhe multietnike të një shteti sovran, siç është rasti me Kosovën”.

Përfaqësuesja e Kinës ka mbyllur ekspozenë e saj me pohimet se “Pekini gjithnjë është angazhuar për zgjidhje politike dhe të pranueshme për palët e konfrontuara në Ballkan”.

Qiproja në këtë seancë është përfaqësuar me tre përfaqësues dhe, në thelb, argumentet e tyre ishin në anën e Serbisë.

Ata thanë se “secesioni nuk është akt neutral dhe, rrjedhimisht, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë duhet të deklarohet për këtë çështje”. Aspekti tjetër i ngritur nga ky vend është fakti se “Qiproja mohon se Kosova ishte rast ‘sui generis’ dhe se vetëvendosja nuk u takon pakicave, siç i kanë cilësuar ata shqiptarët e Kosovës”.

Pas Qipros ka folur përfaqësuesja e Kroacisë, Andreja Metelko Zgombiq, që ka mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

Ajo ka thënë se "pavarësisë së Kosovës i ka paraprirë një proces politik" dhe ka shtuar se "Kosova është një rast ‘sui generis’".

Andreja Metelko Zgombiq ka pohuar se "pos Kroacisë, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur edhe vendet tjera fqinje që ishin pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë".

"Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, ajo ka qenë në harmoni me normat ndërkombëtare", ka thënë Andreja Metelko Zgombiq, për të shtuar se "nuk ka asnjë rregull në të drejtën ndërkombëtare që ndalon ose sanksionon secesionin".

Ajo ka thënë se "shpallja e pavarësisë nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244, sepse ajo nuk prejudikonte epilogun e procesit politik", për të shtuar se ekzistimi i Kosovës si shtet është “fakt ndërkombëtar”.

Përfaqësuesja e Kroacisë i ka bërë një vështrim pozitës së Kosovës brenda ish-Jugosllavisë dhe represionit e dhunës që ishte ushtruar mbi shqiptarët.

"Me Kushtetutën e vitit 1974 , Kosova ishte njësi federale dhe kishte shumë atribute shtetërore", ka thënë Andreja Metelko Zgombiq.

Në këtë kontekst, ajo ka shpjeguar përfaqësimin e barabartë të Kosovës me republikat tjera në ish-Federatën Jugosllave, për të vazhduar pastaj me elaborimin e suprimimit të dhunshëm të kësaj pozite kushtetuese të Kosovës në vitin 1989 nga ana e Serbisë.

“Asnjë ndryshim i pozitës kushtetuese të njësive federale dhe rrjedhimisht edhe i Kosovës nuk ka mundur të bëhet pa pëlqimin e tyre”, ka thënë Andreja Metelko Zgombiq, për të shtuar se ky parim nuk është respektuar në rastin e Kosovës.

Ajo ka përkujtuar dhunën e ushtruar nga Serbia pas suprimimit të statusit autonom të Kosovës, që kishte kulminuar në vitin 1991 me referendumin në të cilin 99 për qind e shqiptarëve u deklaruan për pavarësi.

"Duke rrënuar statusin autonom të Kosovës, Serbia ka minuar themelet e shtetit federal", ka thënë përfaqësuesja e Kroacisë, Andreja Metelko Zgombiq.

Pas Kroacisë ka folur përfaqësuesi i Danimarkës, Tomas Uinkler, i cili fillimisht ka thënë se "nuk ka dispozitë në të drejtën ndërkombëtare që ndalon shpalljen e pavarësisë".

Ai ka pohuar se "Rezoluta 1244 nuk është neutrale dhe nuk përjashton pavarësinë si epilog i mundshëm i procesit politik për Kosovën dhe rrjedhimisht shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të".

"Në fund të vitit 2007 ishin eksploatuar të gjitha mundësitë për zgjidhje politike dhe nuk qëndrojnë pohimet se vazhdimi i bisedimeve ka mundur të sjellë epilog të pranueshëm për të dyja palët", ka thënë Tomas Uinkler, për të apostrofuar në vazhdim dokumentin e Rambujesë, në të cilin kërkohet respektimi i “vullnetit të popullit” të Kosovës.

“Kosova është rast ‘sui generis’ dhe nuk mund të shërbejë si precedent”, ka konkluduar përfaqësuesi i Danimarkës.

Të martën flasin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Spanja dhe Finlanda.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG