Ndërlidhjet

Jeta e rëndë në kampin e Plemetinit


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Kampi i Plemetinit, në afërsi të Obiliqit, është strehimore për 14 familje me përkatësi rome, ashkalinjе dhe serbe. Banorët e këtij kampi thonë se kushtet e jetesës në tri barakat e drurit, ku ata jetojnë, janë tejet të vështira, ndërkohë që, siç thonë, edhe shëndeti u rrezikohet nga ndonjë epidemi e mundshme.



Kampi i Plemetinit, në afërsi të Obiliqit, i cili është ndërtuar para më se 11 vjetësh, nuk ofron kushte për strehim të duhur, thonë disa banorë të këtij kampi. Në barakat e drurit aktualisht strehohen 14 familje me përkatësi rome, ashkalinje dhe serbe.

Pamja e parë e këtij kampi janë pullazet e dëmtuara ose gjysmë të rrënuara të barakave dhe muret e plasaritura nga koha. Në korridoret e barakave ndjehet kundërmimi i myshkut dhe lagështisë.

Dhjetëra fëmijë, me veshmbathje të dobët, vrapojnë nëpër këto korridore për të dalë në oborrin e mbuluar me baltë dhe pluhur. Kjo është hapësira e vetme ku mund të luajnë.

Brahim Gashi thotë se 4 vjet më parë është kthyer nga Mali i Zi dhe jeton me bashkëshorten dhe 8 fëmijët në një dhomë të vogël të njërës prej barakave të kampit.

“Kam ardhur këtu. Ma kanë dhënë këtë barakë, tri me katër është hapësira. Kurrsesi nuk është për ne. Dimrit po heqim shumë. As nuk kemi dru, as thëngjill, asgjë dhe askush nuk vjen të na ndihmojë. Ja çfarë dritaresh i ka, me llastik. As xhama, as dyer. Lagështia na mbyti. Vajza më e madhe është 11 vjeçe, ndërkaq fëmija më i vogël është 2 vjeç. Nuk kam kushte që t’i dërgoj në shkollë, sepse duhet t’iu marr libra, fletore, lapsa... Nuk i kam kushtet. Socialin nuk e marr... asgjë... Askush nuk vjen të na shikojë”, rrëfen Gashi.

Ngjashëm e përshkruan gjendjen edhe Naile Zeneli, e cila jeton me 4 anëtarë të familjes në një dhomë të njërës prej barakave. Derisa ajo fliste, përgjatë korridorit të barakës endeshin minjtë. Ajo thotë se kjo është pamje e përditshme për banorët e barakave.

“Lëri këta minj, ka minj të mëdhenj, po hyjnë brenda. Pastaj lagështia, po pikon pullazi kur bie shi. Nuk është mirë. Rryma jo vetëm se është e dobët, por është e rrezikshme. Kush e di se sa vjet i ka kjo barakë. Një e tillë tashmë është djegur para dy vjetësh prej rrymës. Kjo është mjaft rrezik, por... Banjo jo, nuk ka...”, thotë Naile Zeneli.

Ulur në një gurë, në oborrin e kampit, rrinte 77-vjeçari, Demir Kovaçi I dobët nga shëndeti dhe i kërrusur nga mosha, ai thotë se nuk mund të rrijë brenda për shkak se e mundon lagështia.

I dëshpruar me gjendjen, kjo jetesë, thotë ai, është e padrejtë për dikë që ka punuar gati gjysmën e jetës për ndërtimin e vendit, në një nga sipërmarrjet më të mëdha të Kosovës.

“Çfarë ka hequr shpirti im, vetëm Zoti dhe shpirti im e dinë, kur kam punuar në ‘Ramiz Sadiku’. Kam 31 vjet e 1 muaj e 23 ditë pune. E tash çfarë më japin? Dyzet e pesë euro. Me ato jetoj vetë i katërti. Shumë kemi hequr. Ftohtë, nuk kemi pasur dru. Shtrojën e mirë nuk e kemi. Çdo gjëje i vjen era e mykur. Unë dal jasht dhe aty jam mirë. Ndërkaq, brenda menjëherë më kap kollitja. Po i marr disa ineksione e do ilaçe...”,
tregon Kovaçi.

Jo të gjithë banorët e këtij kampi marrin ndihmë sociale. Shumica e tyre mbijetojnë nga mbledhja e kanaqeve dhe gjësendeve të tjera metalike nëpër plehra, të cilat i shesin për pak para.

Esma Fazliu, e cila gjithashtu është e strehuar në këtë kamp me 5 anëtarë të familjes, thotë se ankesat e banorëve të këtij kampi askush nga strukturat përgjegjëse të komunës së Obliqit nuk i merr parasysh.

“Kam qenë në komunë. Nuk ka, nuk duan, askush nuk na merr neve parasysh. Nuk duan as të dëgjojnë. Puna është vetëm nëse ke të njohur. Nëse ke para, rregullon diçka, nëse jo, ke për të vdekur dhe askush nuk të shikon. Po të ishte burri në punë, do të ishte njëfarë dore. Por, ai nuk është në punë e as unë. Nëna 75 vjeçe është e sëmurë dhe ne nuk kemi si të jetojmë me një ndihmë sociale. Ndihma sociale 55-60 euro, çfarë të bëjmë me to? Kjo baraka këtu dy herë është djegur dhe ne vetë e kemi rregulluar. Rrymën vetë e kemi rregulluar. Nëse ke të hash dhe të pish, mirë. Nëse jo, ke për të vdekur dhe askujt asgjë”,
shprehet Fazliu.

Banorët e kampit në Plemetin, megjithatë, mbesin me shpresë se një ditë do të largohen nga ky kamp dhe se komuna e Obiliqit do të gjejë strehim më të mirë për ta.

Lexoni edhe këtë: Të pastrehët kërkojnë zgjidhje

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG