Ndërlidhjet

Debat i nxehtë për veriun


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Paralajmërimet e Serbisë se do të mbajë zgjedhje në Mitrovicë e Novobërdë, si dhe vizitat e liderëve politikë nga Serbia në veri, nxitën debat në Kuvendin e Kosovës, ku u vlerësua se këto veprime të Beogradit paraqesin shkelje në integritetin territorial të Kosovës.


Debati parlamentar në lidhje me cenimin e integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë, u kthye në një debat akuzash reciproke ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Ky debat u iniciua nga Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe pasoi vizitat e përfaqësuesve dhe zyrtarëve të shumtë serbë në veri të Mitrovicës, me qëllim të zhvillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të Serbisë që pritet të mbahen në Mitrovicë këtë të diel.

Inicuese e debatit ishte Lidhja Demokratike e Dardanisë. Deputetja e kësaj partie, Besa Gaxherri, iu drejtua kryeministrit Hashim Thaçi me kritika për mosveprim ndaj fenomeneve negative, përfshirë edhe cenimin e integritetit të vendit.

“Ty po të shkelet sovraniteti, integriteti i vendit. Ty po të hyjnë çdo ditë të të kontrollojnë në institucione për korrupsion. Për çka jeni sot aty? Për çka? Mua do t’më vinte turp të ulesha në vendin ku e keni marrë votën, që ta udhëhiqni këtë vend krejt ndryshe, e jo kështu. Prandaj bëhet ky debat”
, tha Gaxherri.

Debati u ashpërsua edhe më shumë kur në foltore doli ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli, e cila thirrej në një raport të Komitetit Kombëtar të Politikës së Jashtme Amerikane, që flet për përfitime të mëdha të SHIK-ut (Shërbimi Informativ i Kosovës), si strukturë e Partisë Demokratike të Kosovës, nga veprimtaria jolegale.

“Një komitet shumë i rëndësishëm amerikan jep të dhënë alarmante, jep të dhëna tepër të rënda për një qeverisje, në këtë rast do të thosha edhe për një shtet, siç është vendi ynë me një qeverisje fatkeqe me përfitime prej 200 milionë dollarësh në vit nga krimi i organizuar që e bën SHIK-u bashkë me zyrtarë të PDK-së”, theksoi Tërmkolli.

Akuzave të deputetëve opozitarë iu kundërpërgjigj deputeti i PDK-së, Rexhep Hoti, i cili ftoi EULEX-in që të dalë me dosje për liderët e opozitës.

“Ne i dimë dosjet, mbi të cilat flenë njerëzit kryesorë të opozitës dhe të cilët bëjnë krimin më të madh ekonomik në atë pjesë”.

“Në këtë drejtim, nga kjo foltore i kërkojmë EULEX-it, ashtu si i kemi lejuar të bëjnë kontrollin e të gjitha dyshimeve të mundshme nga çfarëdo niveli qeveritar, t’i nxjerrë dosjet dhe të merret me çështjet e krimeve ekonomike, ku shefat e opozitës zënë vendin kryesor”
, tha Hoti.

Ndërkohë, Gani Geci, deputet i LDD-së, foli me bindje se strukturat e PDK-së, përkatësisht SHIK-ut, janë ato që kontrollojnë në jug të Mitrovicës mallrat dhe karburantet që hyjnë pa kaluar procedurat doganore në pikat kufitare me Serbinë.

“Në rend të parë, nuk kemi sovranitet; në rend të dytë, nuk e zhvillojmë sovranitetin në 25 për qind të territorit tonë; dhe në rend të tretë, në bashkëpunim komiteti serb me atë shqiptar dhe një pjesë e komitetit shqiptar, fatkeqësisht, janë anëtarë të PDK-së. Nuk do të kisha qejf, por kemi këtu plot njerëz që i njohin”,
u shpreh Geci.

Këtyre polemikave në Kuvend iu kundërpërgjigj edhe kryeministrit Hashim Thaçi, i cili tha se Qeveria e tij do të ndërmarrë hapa të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare në veri.

Kurse, ofroi edhe zotimin e tij se do të zbatonte çfarëdo vendimi apo mase që do të dilte nga Kuvendi për pjesën veriore të Kosovës.

“Se kush është i involvuar, do ta paraqesë drejtësia, jo politika, jo shpifjet, jo akuzat, jo veprimet aventuriere, e as folklorizmi patriotik”.

“Nëse Parlamenti mendon se Qeveria duhet të jetë më e angazhuar në kuptimin e veprimeve që u dëgjuan këtu, çdo vendim i juaji që mendoni se duhet bërë më tepër në këtë moment, merreni vendimin dhe unë do ta zbatoj”,
theksoi Thaçi.

Kuvendi, në disa raste kishte debatuar për veriun dhe cenimin që Serbia i bën kësaj pjese të Kosovës. Por, edhe të enjten, si në rastet tjera, debati u kthye në polemika ndërmjet shumicës dhe opozitës.

Lexoni edhe këtë: Zgjedhjet serbe në veri sfidojnë institucionet
XS
SM
MD
LG