Ndërlidhjet

S'heqin dorë nga fuqitë ekzekutive


Pjesëtarë të EULEX-it

Pjesëtarë të EULEX-it

Zyra Civile Ndërkombëtare dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë duket se nuk e kanë ndërmend që, njëherë për njëherë, të përfillin kërkesën e autoriteteve kosovare për transferimin e mandatit ekzekutiv.

Thirrjet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, që misionet ndërkombëtare në vend të heqin dorë nga roli ekzekutiv dhe të përqendrohen në atë këshillues dhe lehtësues, u bënë të zëshme sidomos pas prezantimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.

Mirëpo, zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller-Berner, tha se përparimi i institucioneve vendore në zbatimin e Planit Ahtisari do të përcaktojë ndryshimet e ardhshme në këtë mision.

“Aktivitetet dhe struktura jonë nuk u përgjigjen pasqyrave të diktuara kohore, por përparimit të bërë në zbatimin e planit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës - Planit të Ahtisarit, nga institucionet kosovare”.

“Natyrisht se është përmbushur një pjesë e konsiderueshme e Planit të Ahtisarit, por kanë mbetur fusha kruciale të punës, siç është ajo e decentralizimit, veçanërisht në veriun e Kosovës”,
tha Mueller-Berner, duke theksuar se ndryshimet eventuale në mandatin e misionit të ICO-së varen nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.

Në EULEX thonë se transferimi i kompetencave ekzekutive tek autoritetet vendore në fushat e sundimit të ligjit do të shkojë paralelisht me përmirësimin e gjendjes në gjyqësi, polici dhe në dogana. Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, sqaroi:

“EULEX-i mund të largohet nga Kosova dhe t’i transferojë në mënyrë graduale funksionet e tij ekzekutive. Kjo do të thotë që sa më shpejt të përmirësohet puna e policisë, gjyqësisë dhe e doganave, aq më shpejt EULEX-i do t’i transferojë kompetencat ekzekutive”.

Krasniqi tha se EULEX-i është i ftuar nga institucionet e Kosovës për të operuar në Kosovë me mandatin e dhënë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Mandati, i cili e përcakton EULEX-in si mision teknik me rol mbikëqyrës, ndihmues dhe këshillues me, siç thuhet, fuqi të kufizuar ekzekutive në fushën e sundimit të ligjit, u zgjat pa modifikime për dy vjet shtesë.

Korniza vepruese e EULEX-it, sipas Krasniqit, tash për tash mbetet në kuadër të këtij mandati.

“Ky mandat, ashtu siç është, rishtazi është vazhduar për dy vjet të tjerë, do të thotë deri në qershor të vitit 2012”,
njoftoi Krasniqi.

Kompetencat ekzekutive të shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, i mundësojnë atij ndërhyrjen në punën e institucioneve kosovare, në rast se ato shkelin Planin e presidentit Ahtisari.

Mirëpo, këto përgjegjësi, të cilat ngrihen mbi ato të institucioneve vendore, deri më tani nuk janë përdorur asnjëherë nga diplomati holandez. EULEX-i, ndërkaq, me hetimet kundër korrupsionit që po i zhvillon në Kosovë, ka shfrytëzuar rolin e tij ekzekutiv në disa raste.
XS
SM
MD
LG