Ndërlidhjet

Sfidat e personave me aftësi të kufizuara


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Drejtuesit e Organizatave Joqeveritare që përfaqësojnë komunitetin e personave me aftësi të kufizuar, kanë shfaqur shqetësimet e tyre për moszbatimin e Planit kombëtar për veprim, lidhur me komunitetin e tyre. Gëzim Abazi, drejtues i organizatës “Hendikep Kosova”, thotë se për personat me aftësi të kufizuara, ende nuk funksionon sistemi i realizimit dhe zbatimit të ligjeve. Ndërkaq, Driton Bajraktari, drejtues i OJQ-së “Dawn Syndrom Kosova”, vlerëson se Plani kombëtar për veprim ka ngecur për shkak të mosplanifikimeve që nevojiten për realizimin e objektivave të parapara.

Ligjet dhe udhëzimet administrative për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, nuk po zbatohen në nivelin e kërkuar, vlerësojnë drejtuesit e Organizatave Joqeveritare që përfaqësojnë këta persona.

Sipas tyre, një gjë e tillë tash e sa kohë është duke i krijuar vështirësi të shumta kësaj kategorie të qytetarëve të Kosovës.

Gëzim Abazi, drejtues i organizatës “Hendikep Kosova”, thotë se deri më tash nuk është vërejtur ndonjë avancim në drejtim të krijimit të mundësive për zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuar.

Kur flasim për çështjen e ligjeve që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara, me keqardhje mund të them se me të vërtetë ende nuk funksionon sistemi i realizimit dhe zbatimit të ligjeve”.

“Arsyet janë të shumta, por një prej tyre është çështja e buxhetit, që për momentin, nivelet institucionale nuk e posedojnë ose nuk është parësore lidhur me avancimin e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara",
thotë Abazi.

Në anën tjetër, në prillin e vitit 2009, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Planin kombëtar për veprim për personat me aftësi të kufizuara.

Driton Bajraktari, drejtues i Organizatës Joqeveritare “Dawn Syndrom Kosova”, thotë se realizimi i këtij plani do të ishte kurajues për personat me aftësi të kufizuara, por, sipas tij, deri më tash ky realizim ka mbetur peng i pamundësive financiare.

Ky plan veprimi përfshin pesë fusha kryesore: shëndetësinë, arsimin, qasjen dhe statistikat. Sa i përket zbatimit të këtij Plani të veprimit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa masa për t’i zbatuar pikat, fushat e veçanta, të kësaj strategjie. Mirëpo, gjithmonë ngecin për t’u zbatuar, pikërisht për shkak të mosplanifikimit të paraparë që nevojitet që këto objektiva të zbatohen”, sqaron Bajraktari.

Ngjashëm thotë edhe Abazi, sipas të cilit deri më tash askush nuk ka dhënë përgjegjësi për moszbatimin e plotë të planit nacional të veprimit gjatë më shumë se një viti e gjysmë.

“Pikë së pari, duhet të jetë obligative për nivelet institucionale që të zbatojnë kriteret dhe ligjet, të cilat i nxjerrin. Ne krijojmë strategji, plane, hartojmë forma ligjore, por për fat të keq, për momentin, çdo gjë ngec”.

“Shkeljet e formave ligjore, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë dhe në kuadër të sistemeve ligjore, ato duhet të ndëshkohen”
, thekson Abazi.

Ndërkaq, Bajraktari vlerëson se për personat me nevoja të veçanta dhe familjarët e tyre është shumë e rëndësishme që përfaqësuesit në institucione, që janë kompetentë për çështjet e tyre, të dinë t’u qasen problemeve, me të cilat ballafaqohen këta persona.

“Është problem, sepse familjarët e fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara gjithmonë ballafaqohen me probleme të llojllojshme. Kjo ndodh për shkak të mosnjohjes së nevojave dhe kërkesave, si dhe mosadresimit të drejtë të kërkesave të tyre në shërbimet, që ata i gëzojnë me ligje të ndryshme, me Planin e veprimit kombëtar për personat me aftësi të kufizuara, si dhe strategjitë tjera që ka Republika e Kosovës”
, shprehet Bajraktari.

Ndryshe, sipas këtyre drejtuesve të Organizatave Joqeveritare, ende nuk është përmirësuar as mundësia e qasjes fizike të personave me aftësi të kufizuara në objektet publike dhe as e mundësia e punësimit të tyre e garantuar me ligj.

Lidhur me këtë çështje, Bajraktari thotë:

“Kjo, faktikisht, është çështje e harruar, sepse këtu nuk janë serioze nismat e institucioneve tona shtetërore për zbatimin e kësaj pike të ligjit”.

“Janë zotuar që në ndonjë ndërmarrje, kompani ose edhe në institucione shtetërore, në çdo numër prej 51 personave të punësuar, një duhet të jetë person me aftësi të kufizuara. Vetë institucionet shtetërore nuk e zbatojnë këtë. Po ashtu, as korporatat shoqërore, e as ato private. Në sektorin privat, gjendja është edhe më e keqe”.

Sido që të jetë, deri më tash Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Kryeministrisë, e cila është kompetente për monitorimin e zbatimit të Planit kombëtar për veprim për personat me aftësi të kufizuara, ende nuk ka dhënë ndonjë vlerësim se sa ka arritur të zbatohet ky plan.
XS
SM
MD
LG