Ndërlidhjet

Shqetësime për korrupsionin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Organizata ndërkombëtare që mbikëqyr shkallën e korrupsionit në botë, Transparency International, ka shpallur renditjen e vendeve sa i përket shkallës së korrupsionit. Kosova renditet e 110-ta me një vlerësim prej 2.8 pikësh në mesin e 178 shteteve të botës.

Pavarësisht këtij rezultati, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës këmbëngulin se institucionet e vendit po vazhdojnë luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri Hashim Thaçi, pas publikimit që bëri Transparency International, deklaroi tolerancë zero ndaj kësaj dukurie negative.

Qeveria e Kosovës, pas dhjetë vjet heshtjeje, ka nisur betejën kundër korrupsionit, në të cilën do të ketë sukses, ripërsëriti kryeministri Thaçi.

Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, e quajti real raportin e fundit të Organizatës Transparency Interantional. Sipas tij, raporti ka përmasa shqetësuese për vendin.

Nuk është lajm i mirë për Kosovën. Nuk është mirë të jesh në mesin e këtyre 178 shteteve me indeksin 2.8 – më i dobëti në rajon. Vërtet është një element i dobët. Është një indikacion për mekanizmat që kanë për mision luftën kundër korrupsionit, që tregon se në këtë lëmi nuk i kemi punët mirë”, tha Preteni.

Sektori i drejtësisë, i pasuar nga institucionet e tjera publike, raportohet të jetë më i korruptuari. Një gjë e tillë tashmë është vënë në pah edhe nga raporte të tjera të organizatave të ndryshme në Kosovë.

Organizata Index Kosova ka marrë pjesë në hulumtimin për Kosovën sa i përket shkallës së korrupsionit. Duke e quajtur real, përfaqësuesi i kësaj organizate, Visar Berisha, dha hollësi të tjera rreth raportit.

Ne kemi kryer hulumtimin për Kosovën, që ka të bëjë me çështjen e korrupsionit. Këtë hulumtim, Transparency International e shfrytëzon për analiza të veta, që kanë të bëjnë me korrupsionin. Sikurse çdo hulumtim tjetër i opinionit publik që kryhet nga ne, edhe ky i fundit ka përfshirë të gjitha rajonet, edhe urbane, edhe rurale. Do të thotë, është një mostër reprezentative, që jep një rezultat real për gjithë Kosovën”, theksoi Berisha.

Drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, hodhi një varg kritikash në drejtim të prokurorive. Sipas tij, ato nuk kanë bërë sa duhet për të ndjekur rastet e dyshuara të korrupsionit.

Preteni tha se hetimet e fundit nga ana e vendorëve dhe e ndërkombëtarëve, ishin shpresëdhënëse, por rezultatet tanimë flasin të kundërtën.

“Mekanizmat që kanë për mision luftën kundër korrupsionit, filluan të dërgojnë disa sinjale pozitive dhe ishin disa aktivitete. Por, tani prapë jemi në një fazë, kur kjo luftë nuk është e vazhdueshme dhe nuk është e qëndrueshme. Po bëhen disa kalkulime që për mua janë të paarsyeshme. Unë konsideroj se gjykatat dhe prokuroritë kanë materiale të mjaftueshme për të dërguar sinjale pozitive”, tha Preteni.

Organizata Transparency International për herë të parë rendit Kosovën në mesin e shteteve të tjera. Një gjë e tillë është vlerësuar lart nga zyrtarët e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Lexoni edhe këtë:
Preteni: Korrupsioni luftohet me hapa konkretë
XS
SM
MD
LG