Ndërlidhjet

logo-print

Si të rikthehen investitorët?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në një raport të Bankës Botërore, Kosova është radhitur në vendin e 119-të, në listën e bërjes së biznesit, nga 183 shtete ku bëhen këto matje. Kosova është ranguar për gjashtë vende më ulët, nga vendi i 113-të, sa ka qenë vitin e kaluar. Në këtë raport Kosova, ndërkaq radhitet e 173-ta sa i përket mbrojtjes së investitorëve. Lidhur me këtë, njohës të çështjeve ekonomike thonë se korrupsioni është arsyeja, pse investitorët hezitojnë të investojnë në Kosovë.


Kosova ende konsiderohet si vend i pasigurt për investitorët e huaj dhe kjo çështje ka ndikuar që investitorët eventualë të hezitojnë që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për vitin 2011“ Të bërit biznes”, në disa nga nëntë aspektet Kosova renditet më mirë, dhe në disa ka nevojë për reforma.

Aty ku Kosova duhet të përkushtohet më shumë, është siguria e investitorëve, pasi, sipas raportit, në mbrojtjen e investitorëve, Kosova radhitet në vendin e 173-të.

Lidhur me këtë, ekspertë për çështje ekonomike thonë se vetë nivelet e ulëta të investimeve të huaja, gjatë viteve të fundit, tregojnë klimën e pafavorshme për të bërë biznes në Kosovë.

Isa Mulaj, nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, thotë se në gjithë këtë ka ndikuar shkalla e lartë e korrupsionit, ekonomia jo legale dhe mungesa e zbatimit të ligjeve në Kosovë.

“Arsyeja kryesore pse është bërë një lloj regresi, në kuptimin e përkeqësimit të kushteve të bërjes biznes, sidomos për pamjaftueshmërinë e mbrojtjes së investitorëve, duket të jetë, ndër të tjera, korrupsioni i lartë, qoftë nëpër institucione shtetërore, qoftë nëpër biznese”
, thotë Mulaj.


Ndryshe, në tri vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme. Në vitin 2007, kur është futur operatori i dytë i telefonisë mobile në Kosovë, investimet e huaja drejtpërdrejt në vend kanë qenë 421 milionë euro.

Në vitin 2008, këto investime kanë qenë 355 milionë, ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro.

Në anën tjetër, kryeshefi për promovimin e investimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Mustafë Hasani, pohon se rënia e investimeve ka qenë pasojë e krizës ekonomike globale.

Sa i përket raportit të fundit të Bankës Botërore, ai thotë se raporti nuk është në nivelin e kënaqshëm, por shprehet se pas raportit të vitit të kaluar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka filluar t’i shqyrtojë të gjitha rekomandimet e Bankës Botërore.

“Ne menjëherë pas raportit të Bankës Botërore të vitit të kaluar, kemi filluar procedurat për ata pesë indikatorë, që konsiderohet se nuk jemi të ranguar në nivelin e kënaqshëm, për mbrojtjen e investitorëve, për tregtinë përtej kufijve, për lejen e ndërtimit, si dhe për indikatorin e bërjes së biznesit, ku ditët (procedurat) për të hapur një biznes janë të gjata”,
thekson Hasani.

Megjithatë, Hasani shprehet optimist se gjatë vitit të ardhshëm Kosova do të radhitet më mirë në raportin e Bankës Botërore.

Por, se cilat janë mundësitë për rikthimin e investitorëve të huaj, Isa Mulaj, shpjegon:

“Investitorët mund të joshen pak më tepër, nëse bëhen përmirësime të dukshme dhe të shumanshme. Nuk është vetëm një faktor që po ndikon në hezitimin e investitorëve serioz, për të investuar në Kosovë. Por, është edhe çështja e jotransparencës, qoftë edhe në organizatat ndërkombëtare, të cilat bashkëveprojnë me institucionet e Kosovës”
.

Ndryshe, raporti i Bankës Botërore, potencon se Kosova e ka vështirësuar fillimin e biznesit përmes zëvendësimit të numrit tatimor me një numër fiskal, që merr kohë më shumë për t’u nxjerrë dhe kërkon nga administrata tatimore që së pari të bëjë inspektimin e objektit të biznesit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG