Ndërlidhjet

Analistët: Platforma serbe me elemente të Millosheviqit


Prishtinë, Obelisku i Pavarësisë

Prishtinë, Obelisku i Pavarësisë

Analistë të çështjeve politike në Kosovë kanë qasje të ndryshme lidhur me platformën e paralajmëruar nga Beogradi zyrtar, për dialogun me Prishtinën. Analisti Yll Hoxha nga Klubi për Politikë të Jashtme, vlerëson se platforma serbe, e cila është e bazuar në Kushtetutën dhe rezolutat për Kosovën, përmban elemente, siç thotë ai, të millosheviqizmit. Por, për analistin Behlul Beqaj, pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve serbë, platforma e tyre do të ndryshojë dukshëm nga ajo që e kanë paralajmëruar.


Paralajmërimi i Beogradit zyrtar se platforma për dialogun eventual me Prishtinën, bazohet në Kushtetutën e Serbisë dhe rezolutat parlamentare për Kosovën, të cilat potencojnë integritetin territorial të Serbisë, nga analistët e çështjeve politike në Kosovë po komentohet në mënyra të ndryshme.

Yll Hoxha, drejtor i Klubit për Politikë të Jashtme, thotë se paralajmërimet e Beogradit zyrtar mund të shihen si një vazhdimësi e politikës së dikurshme të Sllobodan Millosheviqit, të instaluar karshi Kosovës.

“Kushtetuta dhe politika që derivojnë prej saj, në fakt, janë elemente, të cilat janë aprovuar në kohën e Millosheviqit. Pavarësisht pretendimeve që ekzistojnë në Beograd, se ka reformime dhe ecje përpara pro-evropiane të Serbisë”.

Për fat të keq, refleksionet ndaj Kosovës mbesin ato të kohës së Millosheviqit dhe nuk ka ndonjë lëvizje më të madhe.

“Për fat të keq, refleksionet ndaj Kosovës mbesin ato të kohës së Millosheviqit dhe nuk ka ndonjë lëvizje më të madhe. Në këtë kontekst, një platformë, e cila bazohet në pretendimet kushtetuese të Serbisë - pretendimet mbi Kosovën, në fakt përmban elementet e millosheviqizmit”, thotë Hoxha.

Por, ndryshe e sheh situatën analisti Behlul Beqaj. Ai vlerëson se vetë përgatitja e platformës nga ana e Serbisë është shenjë se ajo është e gatshme që të hyjë në dialog me Kosovën.

Sipas Beqajt, kjo gatishmëri vjen nga fakti se krahas pyetësorit të Komisionit Evropian, të cilin Serbia duhet ta plotësojë, ajo do të ballafaqohet me pyetje mjaft delikate sa i përket çështjes së Kosovës, duke pasur parasysh që Kosova nuk është përfshirë në mënyrë formale në kuadër të këtij pyetësori. Beqaj pret ndryshime edhe në platformën e Serbisë.

“Serbia, objektivisht, është mirë që ka shprehur gatishmërinë për fillimin e dialogut. Natyrisht, ajo nuk ka mundur t’ju shmanget obligimeve që i ka marrë gjatë tërë kohës. Ka pasur një qëndrim, të cilin, sipas të gjitha gjasave, veçmas duke analizuar veprimet e fundit, sa i përket pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e Kosovës, e ka ndryshuar dukshëm”.

Pres që edhe platforma, ndonëse është nisur me obligimet kushtetuese dhe rezolutave që janë aprovuar në Kuvendin e Serbisë, të ndryshojë dukshëm...

“Si pasojë e kësaj, pres që edhe platforma, ndonëse është nisur me obligimet kushtetuese dhe rezolutave që janë aprovuar në Kuvendin e Serbisë, të ndryshojë dukshëm, në favor të një zgjidhjeje më të përshtatshme, që është shumë larg përfshirjes së Kosovës në Kushtetutën e Serbisë dhe shumë larg rezolutave, të cilat i ka aprovuar gjatë tërë kohës”, shprehet Beqaj.

Në anën tjetër, tashmë është e ditur se liderët institucionalë të Kosovës kanë potencuar se do të refuzojnë të fillojnë çfarëdo dialogu me Serbinë, nëse ajo mëton të vë në dyshim sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Analisti Hoxhaj vlerëson se për të filluar procesi i një dialogu konstruktiv në mes Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian duhet të jetë mjaft i kujdesshëm.

“Bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe Bashkimit Evropian, në fakt, duhet të jenë të projektuara si një trialog. Po qe se nuk shndërrohen në trialog, ku Bashkimi Evropian mban edhe ‘karotën’, shpërblimin për palët, në aspektin e integrimit evropian, si dhe ta kushtëzojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve me procesin e integrimit evropian, gjasat që palët vetvetiu t’i zgjidhin problemet, në formë autonome, janë bukur të vogla. Dhe, që në fillim mund të parashihet dështimi i këtij procesi”, vlerëson Hoxhaj.

Ndryshe nga Hoxhaj vlerëson analisti Beqaj. Sipas Beqajt, rolet e Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut të pritshëm, përgjithësisht janë duke u predimensionuar në opinionet e të dyja vendeve.

Kosova dhe Serbia, thekson Beqaj, domosdoshmërisht do të hyjnë në skenarin, të cilin, siç shprehet ai, e ka përgatitur Bashkimi Evropian.

“Pushteti i Kosovës, së bashku me pushtetin e Serbisë, në rastin e dialogut, më tepër do të jenë vetëm mbulesë e marrëveshjes, të cilën do ta ofrojë bashkësia ndërkombëtare, sesa që do të jenë kreatorë të një veprimi, të përmbajtjes, që do t’i ketë zgjidhjet shumë më racionale dhe praktike dhe që, përfundimisht do ta ndajë Kosovën dhe Serbinë. Por, njëkohësisht, edhe do ta bashkojë konceptin e Serbisë dhe Kosovës në përputhje me idenë e Bashkimit Evropian”,
përfundon Beqaj.

Lexoni edhe këtë:
Bisedimet me Serbinë, pas zgjedhjeve
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG