Ndërlidhjet

(S')respektohet marrëveshja e FMN-së


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Autoritetet kosovare duhet t'i respektojnë marrëveshjet e nënshkruara me institucionet financiare ndërkombëtare, thonë ekspertë të ekonomisë. Komentet e tyre pasojnë premtimet e kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçi, për rritjen e pagave të punëtorëve të arsimit dhe të sektorit publik. Zotimet e tilla thuhet se shkelin një marrëveshje të Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.


Detyrimet që Republika e Kosovës ka karshi Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve tjera financiare ndërkombëtare, duhet të respektohen, thonë njohës të çështjeve ekonomike, për të shtuar se ndryshimet eventuale të marrëveshjeve me këta mekanizma, mund të bëhen vetëm me pëlqimin e të dyja palëve.

Në një marrëveshje të arritur në korrik të këtij viti, në mes të ekzekutivit të vendit dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, thuhet se të gjitha shpenzimet për paga gjatë vitit 2011 nuk guxojnë të tejkalojnë shumën prej 7.4% të Bruto Prodhimit Vendor (GDP).

Me këtë marrëveshje, qeveria ishte zotuar, siç thuhej, se do t'i kushtëzojë shpenzimet e saj edhe gjatë vitit 2011.

Por, gjatë fushatës parazgjedhore, kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, ka premtuar rritje të pagave për punonjësit në sektorin publik, ndërkaq mësimdhënësve iu ka premtuar rritje pagash deri në 50 për qind.

Të gjitha zotimet janë të planifikuara dhe do të jenë të zbatueshme, ka thënë Thaçi, për të shtuar se për buxhetin dhe destinimin e tij vendosin institucionet e Republikës se Kosovës.

“Ritheksoj se gjithçka është e planifikuar, e kam planin... Buxheti i Kosovës do të aprovohet në të ardhmen. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran. Për buxhetin dhe destinimin vendosin institucionet demokratike, institucionet e Republikës së Kosovës. Por, gjithçka do të jetë e koordinuar ngushtë edhe me komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.

Njohës të çështjeve ekonomike nuk mund të vlerësojnë nëse është shkelur marrëveshja e nënshkruar ndërmjet FMN-së dhe qeverisë tashmë në dorëheqje.

Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se marrëveshja me Fondin nuk eliminon në mënyrë strikte mundësinë e rritjes së pagave. Megjithatë, ai thekson se një gjë e tillë do të vërtetohet pas miratimit të buxhetit për vitin 2011.

“Pa e pasur saktë buxhetin për vitin 2011, nuk mund të konstatojmë asgjë. Unë besoj se në parametrat realë ka mundësi rritjeje të të hyrave. Për shembull, nëse kemi një aktivitet të shtuar në luftimin e ekonomisë joformale, kjo mund të reflektohet në rritje të të hyrave. Rritja e të hyrave mund të reflektohet pastaj edhe në rritje të pagave”, thekson Rukiqi.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Nagip Skenderi, thotë se në bazë të praktikave me shtete të tjera, marrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar mund të ndryshohen.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar shikon vetëm si menaxhohen shpenzimet shtetërore. Nëse ato janë shumë të tejkaluara, natyrisht që intervenon në momente të caktuara”.

“Kujtoj se me FMN-në, Qeveria e Kosovës, për t’i hyrë një ndryshimi të tillë të marrëveshjes, duhet ta ‘rinovojë’ marrëveshjen“,
thotë Skenderi.

Marrëveshja e nënshkruar me FMN-në në korrik të këtij viti, do të duhet të rinegociohet pas miratimit të buxhetit për vitin 2011 dhe, siç thonë ekspertët, aty mund të parashihet një rritje e shpenzimeve.

Lexoni edhe këtë: Kosovës i duhet rritje dyshifrore ekonomike
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG