Ndërlidhjet

Partitë serbe dhe Qeveria e Kosovës


Prishtinë (Foto arkivi)
Prishtinë (Foto arkivi)
Partitë politike nga radhët e komunitetit serb, të cilat kanë fituar ulëse në Parlament, presin të përfshihen në bisedime për formimin e Qeverisë së Kosovës, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Përderisa Partia e Pavarur Liberale e Sllobodan Petroviqit thotë se nuk ka vija të kuqe dhe e sheh veten si pjesë të koalicionit të ardhshëm qeverisës, Lista e Përbashkët Serbe e Rada Trajkoviqit nuk do të përfshihet në qeveri ku do të jetë edhe Hashim Thaçi.


Qeveria e ardhshme e Kosovës, pavarësisht formulës mbi të cilën do të ndërtohet, sipas Kushtetutës do t’i ketë në përbërjen e vet edhe komunitetet pakicë.

Partitë politike nga radhët e komunitetit serb thonë se rezultati preliminar i zgjedhjeve të 12 dhjetorit u siguron atyre të paktën 13 deri në 14 ulëse në Kuvend, duke përfshirë aty edhe 10 ulëset e rezervuara me Kushtetutë.

Partia e Pavarur Liberale, e udhëhequr nga Sllobodan Petroviq, paraqitet si subjekti serb që ka fituar më së shumti vota.

Sllobodan Petroviq
Petroviq thotë se ende nuk i ka filluar bisedimet zyrtare me liderët shqiptarë rreth përfshirjes në qeveri. Ai beson se partia e tij nuk do të mund të anashkalohet në koalicionin e ardhshëm.

“Deri më tash kemi 9 vende në Parlament, por mund të kemi edhe më tepër”
, thotë Petroviq.

Kurse, bisedimet për përfshirjen në qeverinë e re, ai i parasheh pas certifikimit të rezultatit.

“Sa u përket vendeve ministrore, ajo është çështje e bisedimeve me mandatarin për formimin e qeverisë, por besojmë se nuk mund të kemi më pak se dy ministri - ashtu siç kishim edhe në mandatin e kaluar”, thotë Petroviq.

Sipas rezultateve preliminare, Partia Liberale ka fituar mbi 12 mijë vota.

Rada Trajkoviq
Subjekti i dytë serb për kah votat e fituara është Lista e Përbashkët Serbe e Rada Trajkoviqit. Ajo thotë se në kombinimet eventuale për qeverinë e re, ka edhe vijat e kuqe për PDK-në e Hashim Thaçit, me të cilën nuk do të hyjë në koalicion.

Ajo thotë se ka pasur disa kontakte me liderët shqiptarë, por pret që bisedimet reale të nisin pas rivotimeve të pjesshme të 9 janarit.

“Llogaris se, para së gjithash, duhet t’i presim rezultatet e zgjedhjeve dhe më pas të dimë se për çfarë hyjmë në bisedime”, thotë Trajkoviq.

Partia e saj ka fituar 5010 vota dhe pritjet e këtij subjekti janë për 3-4 vende në Parlament.

Përveç partive nga radhët e serbëve, 10 ulëse janë të rezervuara edhe për komunitetet tjera. Edhe subjektet nga radhët e partive joserbe, me Kushtetutë e kanë një ministri të rezervuar në qeveri, kurse ministritë shtesë mund të vijnë vetëm si rezultat i marrëveshjeve politike.

Lexoni edhe këto:
Tri opsione për qeverinë
Kalkulimet për koalicion
XS
SM
MD
LG