Ndërlidhjet

Skepticizëm për rritje pagash


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Vendimin e qeverisë në dorëheqje për rritje pagash në sektorin publik, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e konsideroi një sfidë e madhe. Sipas tij, nga kjo do të dëmtohet sektori privat me rritje tatimesh për shtimin e të hyrave në buxhetin e Kosovës.

“Jemi dëshmitarë se një vend që hyn në vitin e ri kalendarik pa miratim të buxhetit, është një sfidë dhe në këtë kohë të flitet për rritje të pagave. Kjo është vërtet diçka që e dëmton shumë procesin ekonomik në Kosovë dhe në këtë drejtim, si Odë Ekonomike, e kemi dhënë një propozim që të mos bëhet presion në sektorin privat, ndërsa si alternativë, është luftimi i përbashkët i krimit të organizuar”
, tha Gërxhaliu.

Këto komente zoti Gërxhaliu i bëri në një takim të përbashkët me Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës, kryeshefi ekzekutiv i së cilës, Lekë Musa, gjithashtu shprehu shqetësimin për, siç tha, tendencën e qeverisë që t’i rrisë të hyrat nëpërmjet ngritjes së tatimeve.

Një hap të këtillë, tha Musa, qeveria mëton ta ndërmarrë për të dëshmuar te Fondi Monetar Ndërkombëtar se është në gjendje t’i mbulojë shpenzimet e planifikuara për rritjen e pagave.

”Qeveria duhet të përqendrohet në përmirësimin e klimës së biznesit dhe duhet të bazohet në fushat më problematike si, gjyqësia, e shumë çështje të tjera që janë të lidhura me sektorin financiar. Kemi dalë edhe me disa sugjerime për qeverinë e ardhshme për fushën e prodhimit në Kosovë se si të kemi një lirim nga akciza e derivateve që përdoren në industri për prodhim”,
u shpreh Musa.

Duke folur për sfidat e përgjithshme në sektorin ekonomik, edhe zoti Musa, edhe zoti Gërxhaliu u shprehën të mendimit se rritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për 19 për qind, do të ketë pasojat e veta. Lidhur me këtë zoti Gërxhaliu tha:

”Do të ishte një qasje e gabuar që të rritet buxheti nga rritja e TVSH-së në 19 për qind dhe do të jetë një grusht për politikën sociale dhe varfërinë në Kosovë; shporta e qytetarit do të jetë më e varfër, kurse gjendja edhe më e rëndë sesa që ka qenë deri tani. Prandaj, është koha t’i shpallim luftë ekonomisë së kriminalizuar dhe në qoftë se në këtë drejtim do të kemi sukses, do të kemi edhe investitorë të huaj, sepse do të krijohet një ambient i përshtatshëm”.


Por, zyrtarë të qeverisë në largim tashmë kanë pohuar se rritja e të hyrave buxhetore, duhet të bëhet pa ngarkesa të reja fiskale, pa i ndëshkuar bizneset dhe tatim-paguesit, por vetëm duke i identifikuar të gjithë ata që kanë mundësi të paguajnë tatime, në këtë mënyrë duke ngushtuar hapësirën për ekonomi joligjore dhe invazion fiskal.
XS
SM
MD
LG