Ndërlidhjet

Institucionet dhe qytetarët e dënojnë sulmin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dënuan ashpër sulmin në Aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, ku u vranë dy ushtarë amerikanë nga një person, për të cilin thuhet se është me origjinë nga Kosova.

Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, për këtë ngjarje i dërgoi një telegram ngushëllimi presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.

Në telegramin e presidentit Pacolli thuhet se “I tërë populli i Republikës së Kosovës shpreh njëzëri dhimbjen tij për ata që e kanë humbur jetën”.

“Këtë akt të tmerrshëm të dhunës e dënoj në mënyrën më të fuqishme. Populli i Kosovës e kupton shumë mirë sakrificën dhe përkushtimin e ushtarakëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999”,
thuhet mes tjerash në telegramin e ngushëllimit të presidentit Pacolli.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara gjatë ditës së enjte hapi dyert në mënyrë që qytetarët të nënshkruhen në Librin e Ngushëllimeve, ku përveç qytetarëve të shumtë, u nënshkruan edhe presidenti Behxhet Pacolli dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Thaçi me këtë rast edhe njëherë u shprehu ngushëllime familjeve të të vrarëve dhe popullit amerikan. Ai deklaroi se asnjë veprim i asnjë individi nuk mund t’i dëmtojë marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës.

“Miqësia mes popullit të Kosovës dhe popullit amerikan është e përjetshme, është shumë e thellë, është e vlerave euroatlantike. Ushtari amerikan paraqet edhe vlerat e popullit tim të paqes dhe lirisë së vendit dhe popullit tim”,
tha Thaçi.

"Ambasada e Shteteve të Bashkuara i bashkohet Qeverisë dhe popullit të Kosovës në dënimin e sulmit të djeshëm në Frankfurt-Gjermani, që mori jetën e dy amerikanëve dhe plagosjen e dy të tjerëve",
thuhet në komunikatën e lëshuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

"Mendimet tona janë me ata që u plagosën dhe familjet dhe miqtë e të gjithë atyre që u preken nga kjo tragjedi. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve për këtë humbje".

"Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, falënderon Qeverinë dhe Presidentin e Kosovës për deklaratat e tyre të ngushëllimit dhe të përkrahjes në këto çaste. Ne jemi të vetëdijshëm se populli i Kosovës është gjithashtu i tronditur me këtë krim neveritës që është një fyerje për vlerat dhe traditat e popullit shqiptar",
thuhet në komunikatë.

"Akti i një individi të vetëm nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në miqësinë e thellë dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona, ose në marrëdhënie jashtëzakonisht të ngrohta dhe të ngushta të popujve tanë dhe qeverive"
, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.

Edhe qytetarët në Prishtinë e dënuan vrasjen e ushtarëve amerikanë. Ata thanë se rasti duhet të hetohet deri në fund dhe të kuptohen motivet e këtij sulmi.

Ylber Mullaademi nga Prishtina shprehu keqardhje për rastin. Ai tha se rasti duhet të konsiderohet si i izoluar.

“Ndjejmë një keqardhje shumë të madhe duke ditur që shteti amerikan ka kontribuar shumë për çështjen e lirisë së Kosovës. Andaj mendojmë se ky rast duhet të trajtohet si individual, meqë dihet se shqiptarët janë të lidhur shumë me shtetin amerikan”
, tha Mullaademi.

Afërdita Loxha tha se vrasja e djeshme në Gjermani është një akt makabër.

“Shumë keq, nuk ka më keq se t’i vrasësh dy pilotë”,
tha zonja Loxha.

Ndërkaq, Musatafa Lutolli konsideroi se vetëm ndonjë person me sëmundje mendore, mund ta kryejë një akt të tillë të rëndë.

“Më erdhi shumë keq, njerëzit me probleme patologjike mund të bëjnë kësi lloj gjërash, por një shqiptar, më konkretisht i besimit mysliman, nëse është, dhe i ka bërë këto, atëherë ka bërë një gabim shumë të madh. Është e papranueshme një gjë e tillë. Kjo mund të ketë shtytje nga armiqtë tanë”, tha Lutolli.

Laura Berisha u shpreh e shqetësuar për rastin dhe tha se i vjen keq për atë që ka ndodhur:

“Ndihem jashtëzakonisht keq dhe ju shpreh ngushëllime familjeve të të vrarëve”
.

Rasti që ka ndodhur duhet të shihet si rast individual, tha Fadil Sadikaj. Ai theskoi se ky rast nuk duhet të ndikojë në miqësinë e përhershme mes shqiptarëve dhe amerikanëve.

“Normalisht që më vjen shumë keq, më vjen shumë keq për njerëzit që kanë humbur jetën dhe më vjen keq që dorasi është bashkëkombës i yni. Po, megjithatë, unë besoj që e kuptojnë të gjithë se kosovarët dhe gjithë shqiptarët jemi pro-amerikanë dhe ai është një aksion dhe një akt i ligë, por është akt individual dhe duhet të ketë përgjegjësi individuale. Dua të shtoj se ai person është me prejardhje kosovare, por është shtetas gjerman”,
u shpreh Sadikaj.

Ndërsa, Semie Rama tha:

“Më vjen shumë keq, sepse nuk është një rast i rëndomtë që do të kishte mundur të ndodhte”.


Hazir Neziri u shpreh se edhe me këtë rast imazhi i Kosovës është zbehur edhe më shumë.

“Ai person është i manipuluar, ose është mendjelehtë. Ai është një dëm i madh për ne, për imazhin e Kosovës, duke pasur parasysh edhe ndihmën që Amerika i ka dhënë Kosovës”,
tha Neziri.

Gazmend Islami pohoi se ka të rinj, të cilët nga organizata të ndryshme islamike janë manipuluar dhe mund të jenë të shtyrë të ndërmarrin veprime të tilla që janë të pafalshme.

“Kjo është një ngjarje makabër dhe ndihem tepër të turpëruar për miqtë tanë më të mëdhenj siç janë SHBA-të që kanë ndihmuar popullin shqiptar në momentet më kritike. Por, siç shihet, kanë depërtuar disa organizata, po them në atë kuptimin logjik që po ndikojnë negativisht të rinia dhe po i infiltrojnë gjëra që nuk janë në dobi të kombit tonë. Ju shprehim keqardhje familjarëve dhe gjithë popullit amerikan për këtë ngjarje të dhimbshme që ka ndodhur”,
tha Islami.

Qytetari tjetër, Selim Pacolli konsideroi se rasti duhet të hetohet deri në fund. Sipas tij, dorasi ka qenë i manipuluar nga armiqtë e Kosovës.

“Ky rast do të duhej hetuar deri në maksimum që të nxirret e vërteta në shesh. Çka e ka shtyrë atë të ndërmarrë këtë veprim? Ne konsiderojmë që ai njeri është një dorë e zgjatur e dikujt tjetër që nuk ua do të mirën shqiptarëve as Amerikës as miqve tonë”
, u shpreh Pacolli.

Ndërsa Atife Rexha tha:

Na ka koritur, na ka turpëruar. Ndihem jashtëzakonisht keq".
XS
SM
MD
LG