Ndërlidhjet

Raportet pozitë - opozitë ndikojnë në dialog


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Analistët e çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se raportet e tashme ndërmjet partive në pozitë dhe të atyre në opozitë në Kuvendin e Kosovës, janë të tensionuara. Sipas tyre, këto raporte do të reflektohen në dialogun Kosovë-Serbi, i cili fillon më 8 mars dhe anasjelltas. Ata, gjithashtu, vlerësojnë se në rast se dialogu përcillet me vështirësi nga ana e kosovarëve, kjo do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.


Raportet në mes të partive politike në pozitë dhe të atyre opozitare në Kuvendin e Kosovës, do të reflektojnë edhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili pritet të fillojë më 8 mars, vlerësojnë analistët e çështjeve politike.

Analisti Driton Lajçi thekson se partitë politike në Kuvendin e Kosovës vazhdon t’i përcjellë inercioni i psikozës së procesit zgjedhor dhe tashmë ekziston një krizë e mosbesimit ndërmjet tyre.

Driton Lajçi

“Problematika e zgjedhjeve, të presidentit, të kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, të cilat u përcollën me mjaft diskutime të ashpra dhe me mospajtime të thella, e ka një emërues të përbashkët: krizën e mosbesimit të thellë në mes të partive politike në Kosovë. Kjo krizë, e cila vërehet brenda Kuvendit të Kosovës dhe deri në njëfarë shkalle, edhe te votuesit e Kosovës, do të ndikojë në procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë”,
vlerëson Lajçi.

Mendim të ngjashëm ka edhe Bekim Baliqi, drejtues i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se raportet pozitë - opozitë në Kuvendin e Kosovës do të ndikojnë në dialogun Kosovë - Serbi, por edhe anasjelltas.

“Vetë çështjet që do të diskutohen në këto bisedime, do të jenë të vështira ose do të jenë në kuptimin që palët do të jenë, ndoshta nganjëherë, jo të gatshme ta thonë të vërtetën në opinion. Kjo do të mund të shfrytëzohet ose përdoret, instrumentalizohet nga opozita për ta sulmuar Qeverinë. Gjithsesi që kjo do të ketë njëfarë ndërlidhjeje në bisedimt, në njërën anë, dhe bisedimet do të kenë gjithashtu reflektim në raportet opozitë - pozitë”
, thotë Baliqi.

Por, analisti Krenar Gashi, nga Instituti Kipred, thotë se është vështirë të vlerësohet se si do të ndikojnë raportet e partive politike në Kuvendin e Kosovës në mbarëvajtjen e dialogut Kosovë - Serbi, për shkak se ende ka shumë pak informata lidhur me këtë dialog.
Krenar Gashi

“Ende nuk kemi një pozitë zyrtare të partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ende nuk ka deklaruar nëse do ta mbështesë apo do të abstenojë në lidhje me këtë dialog. Tashmë dihet se vetëm një forcë politike parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, është në mënyrë të hapur kundër dialogut”
.

“Nëse disponimi i partive tjera vazhdon të jetë për dialogun, atëherë nuk shoh ndonjë problem. Megjithatë, topi është te LDK-ja dhe do të varet prej saj, se si do të ndikojë dialogu, pikë së pari në raportin pozitë - opozitë, por edhe se si do të ndikojnë këto raporte në dialogun Kosovë-Serbi”
, shprehet Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Megjithëkëtë, analisti Baliqi vlerëson se edhe në rast se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vendosin që ta mbështesin dialogun parimisht, ato do të tërhiqen në rast se dialogu devijon nga agjenda e çështjeve teknike në atë politike.
Në rast se kjo ndodhë dhe në rast se do të ketë bisedime edhe në këtë aspekt, mendoj që do t’i radikalizojnë qëndrimet e veta, edhe LDK-ja, edhe AAK-ja...


“Në rast se kjo ndodhë dhe në rast se do të ketë bisedime edhe në këtë aspekt, mendoj që do t’i radikalizojnë qëndrimet e veta, edhe LDK-ja, edhe AAK-ja, ose duhet patjetër që të dalin në një anë. Kjo do të ndikojë pastaj në bisedime, si dhe do ta vështirësojë pozitën e Qeverisë në bisedime. Kjo do të ndikojë edhe në rezultatin dhe në suksesin apo mos suksesin e bisedimeve”,
potencon Baliqi.

Ndërkaq, analisti Lajçi thekson për Radion Evropa e Lirë se raportet e tashme të pozitës dhe opozitës, që janë të karakterizuara, siç i vlerëson ai, me mosbesim të thellë, do të reflektojnë efekte negative në mënyrë të drejtpërdrejtë në dialogun Kosovë - Serbi, si dhe në vetë raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Këto ndikojnë në radhë të parë në (mos)arritjen e konsensusit brenda spektrit politik të Kosovës dhe në çështjen e harmonizimit të prioritetit. Gjithashtu do të ndikojnë në qëndrimet e partive politike, do të thotë, kundër. Kjo, natyrisht do të ndikojë edhe në raportet në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, po qe se Kosova nuk e fut si prioritet (dialogun), për faktin se për BE-në, baroneshën Eshton, negociatat Kosovë-Serbi, janë një nga prioritetet e vitit 2011”,
shpjegon Lajçi.

Sidoqoftë, lidhur me dialogun Kosovë - Serbi, pritet që Kuvendi i Kosovës të diskutojë të hënën, më 7 mars, një ditë para nisjes së këtij dialogu.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG