Ndërlidhjet

Kuvendi shtyn miratimin e rezolutës


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Dallimet e mëdha në lidhje me bisedimet e ardhshme me Serbinë ndikuan që Kuvendi i Kosovës ta shtyjë për të enjten miratimin e një rezolute të paralajmëruar për të hënën. Partia Demokratike e kryeministrit Hashim Thaçi propozoi një rezolutë në mbështetje të këtyre bisedimeve, përderisa partia opozitare Vetëvendosje doli me një rezolutë kundër. Në fund u vendos që të provohet hartimi i një teksti të harmonizuar për seancën e së enjtes.


Kuvendi i Kosovës shtyri miratimin e rezolutës për bisedimet me Serbinë për ditën e enjte.

Pas një debati që zgjati rreth gjashtë orë, ku pozita dhe opozita shprehën qëndrime krejtësisht të kundërta rreth këtij dialogu, me 60 vota për dhe 45 kundër u vendos që Kuvendi, përmes shefave të grupeve parlamentare, të provojë hartimin e një rezolute për seancën e së enjtes.

Kjo rezolutë u tha se do të jetë një produkt i dy drafteve në përmbajtje krejtësisht të kundërta mes vete të propozuara të hënën, njëra nga PDK-ja dhe tjetra nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me bisedimet.

Në fjalimin e tij para Kuvendit, kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi dialogun si një proces të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për Kosovën.

Sipas Thaçit, ky dialog shënon përpjekjet e para ndërmjet dy shteteve për normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se Kosova e ka mbështetjen paraprake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Thaçi u shpreh optimist se ky proces do të përfundojë me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Kurse, pa këtë dialog, Kosova, sipas tij, nuk mund të fitojë perspektivën e saj evropiane.

Hashim Thaçi

“Kosova, nga bashkëpunimi i fqinjësisë së mirë, fiton pesë njohjet e munguara nga vendet e BE-së, përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, pastaj përshpejtime në procesin e integrimit në NATO, si dhe përshpejtim të procesit për integrim në BE dhe në OKB. Nuk do të ketë liberalizim të vizave, as anëtarësim në NATO e BE pa normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore me të gjitha vendet e rajonit”,
tha Thaçi.

Ndërkaq, opozita shprehu qëndrime krejtësisht të kundërta me kryeministrin dhe partinë e tij në Kuvend. Duke mos u pajtuar me kryeministrin Thaçi, deputeti Sabri Hamiti tha se perspektiva evropiane e Kosovës nuk varet fare nga Serbia, por nga zhvillimi i saj i brendshëm.

Kurse, dialogu, sipas Hamitit, në këtë fazë i duhet Serbisë që të sigurojë statusin e kandidatit për integrim në BE.

Sabri Hamiti

“Të gjitha negociatat mes Kosovës dhe Serbisë në dy deceniet e fundit kanë dështuar. Të dhënat thonë kështu, jo ne, por të dhënat. Retorika politike e formulimit të sojit, ta harrojmë të kaluarën të merremi me të ardhmen, është një utopi politike. Në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, e kaluara, për fat të keq, është e tashmja”
, theksoi Hamiti.

Më të ashpër në fjalimet e tyre u paraqitën deputetët e Vetëvendosjes. Ky subjekt politik kërkoi fillimisht aprovimin e një rezolute kundër bisedimeve me Serbinë, përderisa ky vend të mos e njohë Kosovën si shtet dhe të mos i largojë nga Kosova strukturat e saj paralele.

Lideri dhe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se Kosova po i bën një shërbim Serbisë duke i dëmtuar interesat e veta për fajin e politikës së saj të korruptuar.

“Në takimin e nesërm në Bruksel, zonja Edita Tahiri do të mundësojë që Serbia të duket ashtu siç nuk është. Të duket e mirë me shqiptarët, ndaj të cilëve nuk lëshon asnjë shans që t’ua nxijë jetën dhe të fitojë pikë për fqinjësinë e mirë karshi Kosovës, brenda së cilës i financon dhe dirigjon strukturat e saj ilegale”.

“Këto bisedime po i nevojiten kryeministrit Thaçi për pushtet, e jo Kosovës si shtet. Politikanët e korruptuar e shantazhuar si puna e Hashim Thaçit po i pranojnë negociatat në mënyrë që korrupsioni e shantazhi ndaj tyre të bëhet i negociueshëm”,
u shpreh Kurti.

Kundër dialogut u pozicionua edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Nënkryetari i saj, Ahmet Isufi, tha se Qeveria po nxiton për të dialoguar me Serbinë, pa e pasur idenë se çka do të përfitojë dhe çka mund të humbë vendi.
Shkohet në bisedime pa pasur agjendë, pa pasur platformë, pa e pasur një marrëveshje, konsensus të brendshëm, i cili do të mundësonte bisedime serioze!


“Shkohet në bisedime pa pasur agjendë, pa pasur platformë, pa e pasur një marrëveshje, konsensus të brendshëm, i cili do të mundësonte bisedime serioze! Me mënyrën se si po sillet kjo qeveri, unë e di që s’ka fat tjetër përveçse sa më shpejt kjo përbërje të shkojë prej këtij institucioni”
, potencoi Isufi.

Po ashtu, edhe deputetët e PDK-së nuk ishin unikë në qëndrimet e tyre karshi dialogut. Deputeti Fatmir Limaj tha se Kosova duhet t’i adresohet BE-së dhe Uashingtonit me kërkesat e veta para se të hyjë në bisedime.

“Serbia, pa kushte, zyrtarisht ta bëjë shuarjen e të gjitha institucioneve ilegale, paralele, me të cilat ka cenuar dhe cenon integritetin territorial të Kosovës, dhe jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën. Serbia të bëjë shuarjen dhe largimin e administratës, policisë, MUP-it, BIA-s, dhe të gjithë mekanizmave, që në një mënyrë, apo një tjetër, po ndikojnë direkt në cenueshmërinë e sigurisë në Kosovë”
, tha Limaj.

Qeveria është kritikuar edhe nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, e cila tha se debati që po zhvillohet nuk ka peshë politike, pasi që një ditë pas, delegacioni i Kosovës do t’i nisë bisedimet, pavarësisht se çka thonë deputetët dhe Kuvendi.

Hezitime e paqartësi reflektoi edhe partia partnere e PDK-së në Qeveri AKR-ja.

Deputeti Muhamet Mustafa tha se po krijohet përshtypja që palës kosovare i mungon platforma e bisedimeve.

Duke u ndërlidhur në debat, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se PDK-ja dhe Vetëvendosja nuk kanë shumë dallime, por te Vetëvendosja ka më shumë pesimizëm.

“Është e vërtetë që keni dilema dhe dilema keni pasur edhe në 2007-n. Unë ju kam dëgjuar me veshët e mi kur keni thënë se Kosova nuk do të jetë shtet, s’do të ketë ambasada, e s’do të ketë këtë e atë. Unë nuk po them se nuk ke të drejtë të kesh dilema, por as ti nuk mund t’ia mohosh askujt të drejtën të ketë pak më shumë optimizëm në jetë”,
theksoi Kuçi.

Ndaj Kuçit reagoi Albin Kurti, duke thënë se polarizimet janë të thella dhe se negociatat janë në shërbim vetëm të Hashim Thaçit dhe klanit rreth tij.

Albin Kurti

“Doni ta orientoni Kosovën në shtegun që e çon drejt Brukselit nëpërmjet Beogradit. Kjo është, sepse shumë vende të BE-së e kanë izoluar kryeministrin Thaçi nëpërmjet akuzave, padive, raporteve dhe kësisoj vetëm një deriçkë ia kanë lënë këtij për skenën ndërkombëtare evropiane - e kjo është deriçka nëpërmjet Boris Tadiqit. Prandaj, edhe pati deklaruar se takimi me Tadiqin është i shëndetshëm, e unë nuk e di se çfarë shëndeti ka aty”
, nënvizoi Kurti.

Nëse Kuvendi nuk mund ta kontrollojë Qeverinë, atëherë sipas Albin Kurtit, mund të thirret edhe referendumi dhe të shihet vullneti i qytetarëve se a janë apo nuk janë për këto bisedime. Me një tezë të tillë u pajtua edhe Sabri Hamiti i LDK-së.

“Nëse ky Kuvend s’është i zoti t’i marrë detyrimet kushtetuese, ta ruajë substancën e qëndrueshmërisë për aspektet fundamentale politike sot e nesër, atëherë shkohet në referendum dhe kërkohet një votë edhe më substanciale, e që është vota popullore”,
pohoi Hamiti.

Gjatë gjithë debatit, deputetët e opozitës e kundërshtuan tezën se bisedimet me Serbinë janë teknike. Si një argument, ata përmendën në vazhdimësi postin e zëvendëskryeministres Edita Tahiri, si koordinatore e këtyre bisedimeve.

Këtyre dilemave iu përgjigj më pas vetë Edita Tahiri:
Edita Tahiri

“Ju, së pari, më njihni mua. Unë jam 20 vjet në politikë. Njëzet vjet kam luftuar për pavarësinë e Kosovës. Po a mendoni se unë mund të shkoj në Bruksel për diçka tjetër, përveçse ta forcoj pavarësinë, por ta forcoj edhe aleancën me SHBA-në dhe BE-në?! Unë po e marr me përgjegjësi këtë punë, i di vijat e kuqe”.


Synimet e kryeministrit Thaçi dhe Qeverisë ishin që debati të rezultojë me miratimin e një rezolute për këto bisedime. Por, marrë parasysh pozicionimet e opozitës, u fituan edhe disa ditë shtesë që të provohet unifikimi i qëndrimeve në Kuvend në raport me bisedimet e ardhshme me Serbinë.

Debati në Kuvend u mbajt një ditë para se në Bruksel të zhvillohet takimi inicial i paralajmëruar ndërmjet përfaqësuesve të të dy qeverive.
XS
SM
MD
LG