Ndërlidhjet

Kuvendi, ratifikues i marrëveshjeve me Serbinë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Paralajmërimet e shefes së delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, për mundësinë e arritjes së disa marrëveshjeve gjatë mesit të qershorit, kanë nxitur reagimin e deputetëve, të cilët kërkojnë që Kuvendi ta ketë rolin e vet në këtë proces. Sidomos tabori opozitar këmbëngul që çdo marrëveshje që parashihet të ratifikohet nga Kuvendi, ta kalojë këtë procedurë, ose në të kundërtën do të konsiderohej e pavlefshme.


Kuvendi i Kosovës duhet t’i ratifikojë marrëveshjet eventuale me Serbinë, në kuadër të dialogut tashmë të filluar, thonë deputetët.

Reagimet e tyre pasojnë deklaratat e koordinatores së palës kosovare në këto bisedime, Edita Tahiri, e cila ditë më parë tha se gjatë mesit të muajit qershor mund të priten pako marrëveshjesh Kosovë - Serbi për disa nga fushat dhe çështjet e shtruara në dialog.


Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, thotë se Kuvendi i ka përcaktuar vijat e kuqe me rezolutën e miratuar dhe çdo marrëveshje eventuale duhet të jetë në harmoni me këtë rezolutë, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Mendoj se Qeveria, gjegjësisht kabineti qeverisës, do t’i përmbahet rezolutës së nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës, mbi bazën e së cilës janë vendosur vijat e kuqe, që nuk mund të tejkalohen. Ndërsa, të gjitha marrëveshjet që do të arrihen dhe vlerësohen se janë të dobishme për procesin, normalisht që ato, nëse ka nevojë të ratifikohen në Kuvend, padyshim që do të ratifikohen”, thotë Grabovci.

Rezoluta e miratuar nga Kuvendi për bisedimet me Serbinë nuk kishte marrë edhe votat e opozitës. Spektri opozitar i cilëson këto bisedime të dëmshme për vendin, përderisa ato nuk kanë një agjendë dhe qëllim të caktuar pse po zhvillohen.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se Kuvendi patjetër që duhet të jetë ratifikues i marrëveshjeve nëse mendohet që ato të zbatohen.
Nuk guxon askush ta anashkalojë rolin e Kuvendit, sepse fundja do të mbetej marrëveshje e pavlerë, nëse nuk kalon përmes Kuvendit ...


“Nuk guxon askush ta anashkalojë rolin e Kuvendit, sepse fundja do të mbetej marrëveshje e pavlerë, nëse nuk kalon përmes Kuvendit - marrëveshje e pazbatueshme. Natyrisht që gjithçka që bie në këtë rrafsh, në këtë segment ligji është shumë i qartë”, thekson Haziri.

Kryenegociatorja Tahiri pati paralajmëruar se garantues i zbatimit të marrëveshjeve eventuale Kosovë - Serbi do të ishte Bashkimi Evropian. Por, deputeti Lutfi Haziri thotë se këtu ka një problem, pasi që BE-ja vazhdon të mbajë një status neutral karshi pavarësisë së Kosovës, për shkak të mosnjohjes nga pesë vende anëtare.

“BE-ja ka status neutral ndaj pavarësisë së Kosovës dhe nuk mund të jetë garantuese e marrëveshjes. Mund të jetë garantues i zbatimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë, ndërsa në emër të Kuvendit të Kosovës nuk mund të flasë askush pos Kuvendit”, shprehet Haziri.


Kategorike që marrëveshjet të kalojnë përmes Kuvendit është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se çdo marrëveshje që parashihet të ratifikohet nga Kuvendi dhe nuk e kalon këtë procedurë, do të konsiderohej e pavlefshme.

“Çka do që do të jetë në kolizion me Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë, do të jetë e pavlefshme, pavarësisht se kush është garantues. Nëse janë marrëveshje që duhet të kalojnë nëpër Kuvend, duhet të kalojnë”, nënvizon Gjini.

Takimi i radhës Prishtinë - Beograd parashihet të mbahet diku nga mesi i qershorit.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka paralajmëruar që në këtë takim mund të arrihet një pako marrëveshjesh që përfshijnë çështjet e lëvizjes së lirë dhe tregtisë së lirë. Ajo është shprehur optimiste edhe marrëveshje për çështjet e energjisë, të telekomunikacionit, si dhe për regjistrin civil - kadastral dhe njohjen e diplomave shkollore dhe universitare.
XS
SM
MD
LG