Ndërlidhjet

Basha, Rama: Vlerësime të kundërta për KZ-në

  • RFE /RL

Lulzim Basha dhe Edi Rama

Lulzim Basha dhe Edi Rama

Kandidati i PS-së dhe ai i PD-së në garën për të parin e Tiranës, japin vlerësime të kundërta lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor.


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vlerësuar se Kolegji Zgjedhor, duke hedhur poshtë ankesën e socialistëve ndaj një vendimi të KQZ-së për votat e hedhura në kutitë e gabuara, e ka sfiduar vullnetin e popullit.

Sipas Ramës, i cili pak pas orës 15 të ditës së shtunë iu drejtua mediave, tha se “vendimi i mbrëmshëm është alarmi më i fortë për humnerën ku mund të rrëshqasë Shqipëria”.

Për këtë arsye, ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, me theks të veçantë BE-së, për një hetim ndërkombëtar, pasi votat “u vodhën në dritë të diellit, vjedhje kjo që më pas u vulos nga trupa gjykues të nënshtruar tërësisht ndaj pushtetit”.

Duke vlerësuar se asnjë vendim nuk mund të shpallë fitues dikë që është humbës, Edi Rama vlerësoi se vendimi i së premtes i Kolegjit Zgjedhor shënon thellimin e krizës që e ka kapluar Shqipërinë.

Ndryshe vendimin e Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi ankesën e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale në Tiranë, e përshëndeti kandidati demokrat, Lulzim Basha, duke e quajtur atë një fitore të madhe.

Ndonëse Basha e quajti të ligjshme të drejtën për të festuar, ai megjithatë bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit e rregullave derisa rezultati të certifikohet.

Mbrëmjen e premtes, Kolegji Zgjedhor e hodhi poshtë ankesën e socialistëve lidhur me vendimmarrjen e KQZ-së më 23 maj, pasi kjo e fundit e kishte shpallur fitues Lulzim Bashën, me 81 vota më shumë sesa kundërkandidati socialist, Edi Rama.

Lexoni edhe këtë:
Opinione të ndryshme për vendimin e KZ-së
XS
SM
MD
LG