Ndërlidhjet

Këshilli Kombëtar vendoset në Tripoli


Ndonëse nuk i dihet vendndodhja, Gadafi ka dërguar audio-mesazh.
Ndonëse nuk i dihet vendndodhja, Gadafi ka dërguar audio-mesazh.
Ministri i Financave në Këshillin Tranzicional Kombëtar opozitar, Ali Tarhoun, tha se ky këshill vazhdon punën në Tripoli.

“E shpall nisjen dhe vazhdimin e punës së zyrës ekzekutive në Tripolin e lirë, prej këtij momenti”, u tha Tahroun reporterëve në Tripoli.

Ndërkohë, kryengritësit, që e kundërshtojnë regjimin e kolonel Muamer Gadafit, i cili ka sunduar në Libi për 42 vjet, po vazhdojnë forcimin e kontrollit të kryeqytetit, pasi atë e morën në fillim të kësaj jave.

Ka pasur raporte se kryengritësit kanë shkëmbyer zjarr të rëndë me luftëtarët lojalë të Gadafit, në lagjen Abu Slim, një nga pak hapësirat e mbetura të Gadafit në kryeqytet. Ka pasur edhe të shtëna artilerike.

Por, Muamer Gadafi, nëpërmjet telefonit, për një televizion lojal, vazhdon të bëjë thirrje që luftëtarët e tij që të bëjnë rezistencë.

“Kjo rezistencë është kundër ndyrësirave të këqija. Ne do t’i mundim ata, me dëshirën e Zotit, me forcën e armëve, me vullnetin e fortë për liri, sovranitet, krenari dhe nder. Asnjëherë mos u frikësoni nga ata, por frikësohuni nga Zoti. Ju jeni më afër Zotit se ata. Ata janë të pabesë dhe tradhtarë”, tha Gadafi, i cili i ka ftuar imamët që të rinjve t’iu bëjnë thirrje për “xhihad”.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Xhejmi Kirkik, raportoi nga Triopli se luftëtarët opozitarë vazhdojnë të lëvizin nga gjithë vendi për në kryeqytet.

Një luftëtar i tillë që kishte arritur nga qyteti Misrata, i tha agjencisë Reuters se Gadafi vazhdimisht gënjen.

“Çdo gjë që thotë Gadafi është gënjeshtër. Ai dëshiron ta vrasë gjithë popullin e Libisë. Për këtë arsye ai ka dhënë urdhër për hapjen e të gjitha depove të armatimit, për ta armatosur popullin, në mënyrë që ta vrasin njëri-tjetrin. Ai e ka bërë të ditur se ka humbur çdo gjë: e ka humbur vetveten, e ka humbur popullin e tij, me një fjalë ka humbur çdo gjë që kishte”, tha ai.

Tripoli
Ndërkaq, një tjetër luftëtar kryengritës u shpreh:

“Gadafi nuk ka asgjë. Gadafi - loja përfundoi”.

Luftëtarët opozitarë vazhdojnë të jenë në kërkim të Gadafit, vendndodhja e të cilit nuk dihet.

Sekretari britanik i mbrojtjes, Liam Foks, tha se NATO-ja po i ndihmon forcat kryengritëse në kërkim të Gadafit.

Megjithatë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, u shpreh se ushtria e Shteteve të Bashkuara nuk po merr pjesë në kërkimin për Gadafin, duke theksuar se misioni i Aleancës është për t’i mbrojtur civilët, e jo për t’i marrë në shënjestër individët.

Njëra nga betejat kryesore është edhe ajo për qytetin Sirte, afro 360 kilometra në lindje të Tripolit, derisa kryengritësit i kanë vendosur artileritë dhe tanket në drejtim të qytetit.

Sirte është qyteti i lindjes i Gadafit dhe njëri nga qytetet më të rëndësishme për trupat dhe fiset, që janë lojale ndaj regjimit të tij.

Organizata Amnesty International ka kumtuar se të dyja palët në konfliktin gjashtëmujor, po i keqtrajtojnë të burgosurit, meqë rojet lojale ndaj Gadafit dyshohet se i kanë dhunuar fëmijët e burgosur, ndërsa forcat opozitare i kanë abuzuar fëmijët dhe i mbajnë luftëtarët e jashtëm si të burgosur.

Një shtytje për kryengritësit ka ardhur nga Kombet e Bashkuara, zyrtarët e të cilave janë pajtuar për zhbllokimin e 1.5 miliard dollarësh fonde të Libisë për përdorim humanitar, shërbime sociale dhe rikonstruktim.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, po ashtu ka premtuar mbështetje për “Libinë e re”, duke i bërë thirrje Këshillit Kombëtar Tranzicional për t’i plotësuar përkushtimet e veta për ndërtimin e vendit “tolerant dhe demokratik”. (f.b.)

Lexoni edhe këtë:
Kryengritësit në kërkim të Gadafit
XS
SM
MD
LG