Ndërlidhjet

Kërkohet ekstradimi i familjarëve të Gadafit


Anëtarët e familjes së Gadafit - bashkëshortja Safia, vajza Aisha dhe djali Hanibali.
Anëtarët e familjes së Gadafit - bashkëshortja Safia, vajza Aisha dhe djali Hanibali.
Kryengritësit libianë kanë akuzuar Algjerinë fqinje se ka kryer “akt agresioni” me strehimin që u ka ofruar anëtarëve të familjes së Gadafit, përkatësisht gruas dhe tre fëmijëve të tij.

Ministria e Jashtme e Algjerisë ka konfirmuar se gruaja e dytë e Gadafit, Safia Farkash, ka arritur të hënën në Algjeri, së bashku me vajzën 34-vjeçare të sundimtarit, Aisha, dhe dy djemtë e mëdhenj të tij, Muhamedin dhe Hanibalin.

Zhvillimet kërcënojnë të krijojnë një çarje diplomatike ndërmjet Algjerit dhe Tripolit, në kohën kur Këshilli Kombëtar i opozitës po punon për konsolidimin e pozicionit të tij si Qeveri e re e Libisë.

Zëdhënësi i Këshillit, Mahmud Shamam, tha se qeveria e re do të kërkojë ekstradimin e anëtarëve të familjes Gadafi.

“Ky është një akt agresioni kundër popullit të Libisë dhe dëshirave e aspiratave të tij. Ne do t’i përdorim të gjitha masat ligjore për t’i ekstraduar kriminelët dhe për t’i vënë para drejtësisë. Ne paralajmërojmë të gjithë ata që bëjnë përpjekje të strehojnë Gadafin apo familjen e tij, se do të bëhen armik i popullit libian”, tha Shamam.

Vendndodhja e Gadafit mbetet e panjohur. Këshilli Kombëtar i Tranzicionit dëshiron që ai dhe trashëgimtarët e tij të përballen me drejtësinë, për vitet e sundimit represiv. Ata po ashtu shprehin drojën se Gadafi dhe bijtë e tij mund të orkestrojnë një kryengritje të re në Libi, nëse nuk kapen.

Shamam tha se Qeveria e re libiane ka dëgjuar se Algjeria planifikon të strehojë familjarët e Gadafit derisa ata të mund të udhëtojnë në një vend tjetër. Ai tha se ata po bëjnë përpjekje të arrijnë “në një vend të Evropës Lindore”.

Harta e Algjerisë
Ekstradimi i familjarëve të Gadafit thuhet të jetë ligjërisht i komplikuar, meqë Qeveria e Algjerisë nuk e ka njohur Këshillin Kombëtar të Tranzicionit si autoritet legjitim.

Kreu i Këshillit Kombëtar të kryengritësve libianë, Mustafa Abdel Xhalil, u ka bërë thirrje autoriteteve algjeriane të bashkëpunojnë me Këshillin, për të dorëzuar bijtë e Gadafit që janë në listën e të kërkuarve.

Muhamed al-Gadafi ka qenë djali i vetëm i martesës së parë të ish-liderit libian. Së bashku me Saif al-Islam Gadafin – djalin e madh nga martesa e dytë – ai u konsiderua si pasardhës i mundshëm i sunduesit të Libisë.

Muhamedi ka drejtuar Komitetin Olimpik libian. Ai po ashtu ishte kryetar i Kompanisë së Telekomunikacionit, e cila operon shërbimet telefonike dhe satelitore në Libi dhe është ofruesi kryesor i internetit në vend.

Muhamedi është kapur nga rebelët e opozitës javën e kaluar, kur ata morën kontrollin e kryeqytetit Tripoli. Por, ai thuhet të jetë arratisur të nesërmen, me ndihmën e besnikëve të mbetur të regjimit.

Ndërkaq, Hanibal Gadafi ka punuar për Kompaninë Detare të Transportit në Libi, firmë kjo e specializuar për eksportet e naftës. Ai ka qenë i përfshirë në një numër incidentesh të dhunshme në Evropë, përfshirë rrahjen e të dashurës së tij shtatzënë në Paris, në vitin 2005.

Tre vjet më vonë, ai u arrestua në një hotel të Gjenevës, pasi dy nga shërbëtorët e tij e akuzuan për sulm. Por, ai u lirua shumë shpejt me kusht. Ky rast e pat bërë regjimin libian të bojkotojë mallrat zvicerane, të bojkotojë kompanitë zvicerane dhe të tërheqë diplomatët nga Zvicra.

E bija e diktatorit, Aisha, është avokate dhe ka qenë anëtare e ekipit mbrojtës të ish-sundimtarit të ekzekutuar të Irakut, Sadam Husein. Ajo është martuar me kushëririn e babait të saj në vitin 2006.

Muamer Gadafi, së bashku me djalin e tij, Saif al-Islam, dhe kreun e inteligjencës, Abdullah al-Senusi, akuzohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime kundër njerëzimit.

Kryengritësit thonë se al-Senusi është vrarë të shtunën, se bashku me njërin djalë të Gadafit, Khamisin, por raportet e tilla nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur. (v.t.)

Lexoni edhe këtë:
Beteja për vendlindjen e Gadafit
XS
SM
MD
LG