Ndërlidhjet

Kriza në Eurozonë: Edhe vendet e Evropës Juglindore në rrezik


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Efektet e një ngadalësimi të mëtejshëm global dhe pasiguritë e zgjatura rreth krizës në Eurozonë do të ndikojnë në ekonomitë e gjashtë vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë këtu edhe Kosovën, thuhet në raportin e rregullt ekonomik mbi Evropën Juglindore, të publikuar sot nga Banka Botërore.

Sipas këtij raporti, gjashtë vendet e Evropës Juglindore: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, do të ndikohen nga kriza ekonomike në Eurozonë nëpërmjet tregtisë, investimeve të huaja të drejtpërdrejta, bankave të huaja dhe remitencave.

Ron Hud, ekonomist i lartë i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, gjatë prezantimit të këtij raporti përmes një video-konference, tha se vendet e Evropës Juglindore kanë bërë përparim të rëndësishëm gjatë viteve të fundit, por, megjithatë, sipas tij, ato janë të rrezikuara nga ndikimet e një ngadalësimi të mëtejshëm global dhe kanë nevojë të adoptojnë politika që mbështesin stabilitetin dhe rritjen afatgjate.

Banka Botërore
Banka Botërore
“Parashikimet tona për rritjen ekonomike në këtë rajon janë 2.5 për qind në vitin 2011 dhe 2.1 për qind më 2012”, bëri të ditur Hud.

Ai tha se këto supozime jepen nëse kriza e Eurozonës zgjidhet në mënyrë të rregullt. Por, në rast se kriza përkeqësohet, rritja ekonomike në këto vende mund të jetë edhe më negative, paralajmëroi Hud.

Në anën tjetër, Borko Handjiski, ekonomist i Bankës Botërore, foli për ndikimet e krizës së Eurozonës në Kosovë.

“Në vitet 2009-2010, Kosova ishte e izoluar nga kriza për shkak se ka një integrim të ulët në ekonominë globale, pastaj ka nivel të ulët të eksportit, përderisa remitencat janë mjaft stabile”, tha Handjiski.

Ai shprehu besimin se një trend i tillë mund të mbetet edhe në të ardhmen, ndonëse shfaqi shpresën që Kosova të integrohet më shumë në ekonominë evropiane.
Që ekonomia të jetë konkurruese dhe stabile, duhet të ketë një zhvillim të sektorit privat, kurse qeveria duhet të ketë rolin mbështetës në krijimin e infrastrukturës së nevojshme.

Sa u përket planifikimeve të Qeverisë, e cila në vitin 2012 ka menduar të marrë hua nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, u shpreh:

“Janë dy aspekte kritike. Çështja e parë është se nuk mund t’i lihet rritja ekonomike vetëm qeverisë. Që ekonomia të jetë konkurruese dhe stabile, duhet të ketë një zhvillim të sektorit privat, kurse qeveria duhet të ketë rolin mbështetës në krijimin e infrastrukturës së nevojshme, filluar nga rrugët, energjia dhe çështjet e ngjashme”, theksoi ai.

Më optimist sa i përket Kosovës u shpreh ekonomisti i Bankës Botërore, Agim Demukaj.

“Kosova, megjithatë, duket se do të jetë një performues i mirë në raport me rajonin. Kjo u pa edhe në prezantim të raportit. Kosova, edhe në krizën e kaluar, ka qenë më mirë se të tjerët, për shkak të ndikimit të limituar të efekteve negative të krizës globale. Në këtë relacion, ne ende parashikojmë rritje ekonomike prej 5 për qind”, tha Demukaj.

Sipas dokumentit të ri të Bankës Botërore, integrimi më i thellë i gjashtë vendeve të Evropës Juglindore në ekonominë evropiane, mbetet perspektiva më e mirë afatgjate për zhvillimin e tyre.

Përmirësimi i mundësive të punësimit mbetet një sfidë tjetër afatgjate po për këto vende, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Lexoni edhe këtë:
Bie numri i investitorëve të huaj
XS
SM
MD
LG