Ndërlidhjet

Huamarrje e kufizuar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësues të organizatave ekonomike në Kosovë përkrahin planifikimet e Qeverisë së Kosovës për të marrë hua nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë. Megjithatë, ata thonë se institucionet e Kosovës duhet të tregohen shumë të kujdesshme në marrjen e borxheve.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, pranon se ekonomia e Kosovës ka nevojë për borxhe. Dhe, sipas tij, këto mjete duhet të shfrytëzohen në projekte që gjenerojnë rritje ekonomike.

“Kosova ka nevojë për një institucion financiar. Në mungesë të tij, ne nuk kemi një rritje të përshpejtuar dhe të dëshiruar. Ne, si AKB, mendojmë se një gjë e tillë (huamarrja) duhet të mirëpritet, porse duhet të shikohet edhe racionalizimi dhe shpenzimi i këtyre parave - në çfarë rrethanash dhe në cilët sektorë”, thotë Shahini.

Edhe sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thekson nevojën e huamarrjes, pasi, në mungesë të kapaciteteve buxhetore, “vendi nuk do të mund të investojë në projekte të mëdha zhvillimore”.

“Duke pasur parasysh nevojat në zhvillimin e Kosovës, mendoj se me kapacitetet aktuale buxhetore që ka Kosova, nuk ka mundësi t’i mbulojë nevojat e veta. Por, megjithatë, duhet pasur kujdes të shtuar. Për këtë kemi shembullin e shumë vendeve të Eurozonës”, thotë ai.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore, të publikuar ditë më parë, thuhet se Kosova qëndron mirë sa i përket borxhit publik, që është 6.9 për qind e Bruto Produktit Vendor (GDP).

Ekonomistë të Bankës Botërore kanë deklaruar se Kosova ka hapësirë për të huazuar mjete nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë. Megjithatë, ata kanë paralajmëruar se shteti i Kosovës është i mbrojtur nga ligji, i cili nuk lejon të merret hua më shumë se 30 për qind e Bruto Produktit Vendor.

Ata u kanë rekomanduar autoriteteve hyrje në borxh, por në mënyrë të matur, pa tejkaluar parametrat e paraparë.

Me këtë pajtohet edhe sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Ai thotë se Kosova mund të marrë hua nga këta mekanizma, por jo më shumë se 20 për qind e GDP-së.

“...pra, brenda këtyre konditave, Kosova duhet të ketë kujdes të shtuar, në mënyrë që të mos vijë në situatën, që pas 10 vjetësh, të futet në krizë të thellë, si shumë vende të Eurozonës”, deklaron Rukiqi.

Agim Shahini shfaq bindjen se shfrytëzimi i kujdesshëm i mjeteve nga huamarrja, do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit.

“Nëse huaja nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore merret dhe shfrytëzohet me racionalitet të plotë, që gjeneron rritje ekonomike, ajo nuk e rrezikon, por e ndihmon ekonominë e Kosovës, sepse asnjë shtet nuk ka mundur të zhvillohet pa mbështetje të fondacioneve financiare. Ne duhet ta dimë se si t’i shfrytëzojmë këto para”, thekson Shahini.

Asistenca e Fondit Monetar Ndërkombëtar do të jetë në formë të ndihmës direkte buxhetore, ndërsa nga Banka Botërore, për disa sektorë që janë në zhvillim, mendohet të intervenohet me kredi të buta.

Pjesa e huas publike kryesisht mendohet të bëhet nga emitimi i letrave me vlerë, që do të thotë se është borxh i brendshëm, por mund të jetë edhe një pjesë e borxhit të jashtëm.
XS
SM
MD
LG