Ndërlidhjet

Beogradi bën hapin e pritur nga Brukseli


Jagnjenicë
Jagnjenicë
Pas katër muajsh mbështetje ndaj serbëve, të cilët kanë vendosur barrikadat në veriun e Kosovës, zyrtarët e Beogradit po dërgojnë porosi që të hiqen barrikadat.

Kjo thirrje është dërguar, siç thuhet, në orën 12 pa 5 minuta, në vigjilje të bisedimeve joformale në Bruksel, lidhur me çështjen e kandidimit të Serbisë për në Bashkimin Evropian.

Thirrjen e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, për largimin e barrikadave, po e përsërisin edhe bashkëpunëtorët e tij.

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë serbe, Dragan Shutanovac, thotë se problemet nuk mund të zgjidhen nëse serbët gjenden në mes të bllokadave dhe barrikadave me trungje.

“Konsiderojmë se barrikadat duhet të largohen; në të kundërtën, mund të vijë deri te përshkallëzimi i konfliktit. Ushtria serbe po insiston te bashkëpunëtorët e KFOR-it që të mos e përdorin dhunën. Por, më besoni që ndonjëherë është vështirë të kontrollohet situata”, thekson Shutanovac.

Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq, njëkohësisht edhe ministër i Brendshëm në Qeverinë e Serbisë, nuk u bën thirrje serbëve që t'i largojnë barrikadat, por thotë se nuk bën të arrihet deri te ndonjë ndarje ndërmjet Qeverisë së Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

“Kjo që po ndodh tash në barrikada, nuk është asgjë fare në krahasim me atë që mund të ngjajë. Që kjo të mos ngjajë, duhet të gjithë të ndalojnë dhe të shohin se çfarë mund të bëhet më tutje me dialog. Gjithmonë, cilido dialog është më i mirë se humbja e jetëve të njerëzve“, thotë Daçiq.

Sipas tij, serbët duhet përdorur mençurinë në prag të bisedimeve në Bruksel, sepse, shton Daçiq, nëse Serbia e merr statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian, atëherë shumë më lehtë do t'i përfaqësojë interesat e saj në Kosovë.

Megjithatë, kryetari i Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, thotë se “deklaratat e Tadiqit flasin më shumë seç ka qenë e pritshme, por jo mjaftueshëm për të siguruar politikën e re, e cila i nevojitet shoqërisë serbe“.


Opozita: Thirrje "skizofrenike dhe e çmendur"

Subjektet politike djathtiste në Serbi kanë qenë më të zëshme në kundërshtimet e tyre ndaj thirrjes së presidentit serb, Tadiq, që serbët në veri të Kosovës t'i largojnë barrikadat.

Radikalët e Vojisllav Sheshelit, të cilët e kontrollojnë pushtetin ilegal në katër komunat e veriut të Kosovës, thonë se thirrja e Tadiqit është “skizofrenike dhe e çmendur“.

Jagnjenicë, 30 nëntor
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00
Partia Demokratike e Serbisë, lider i së cilës është Vojisllav Koshtunica, vlerëson se thirrjet e Tadiqit nënkuptojnë heqjen dorë nga lufta për ruajtjen e integritetit shtetëror të Serbisë.

Në anën tjetër, analisti serb i çështjeve politike, Vatrosllav Vekariq, thotë se Beogradi e ka bërë hapin, të cilin Brukseli është duke e pritur tash e sa kohë.

“Ky është një hap që demonstron besimin e plot njerëzve, se mbështetja për vënien e barrikadave ka qenë një rrugë, nëpër të cilën nuk është dashur të ecet. Thirrjen e Tadiqit duhet konsideruar si të guximshme, por edhe të rrezikshme. Sidoqoftë, kjo thirrje tashmë ka dalë dhe me siguri është e vetmja e mundshme në këtë situatë“, vlerëson Vekariq.

Ndërsa, Marko Prelec, drejtor i projektit ballkanik të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, thotë se Beogradi ka armë të fuqishme në duart e veta.

Kjo, sipas tij, nënkupton ndërprerjen e financimit të serbëve të veriut të Kosovës, por që “në këtë moment nuk mund të konsiderohet si diçka e mundshme për t'u bërë“.

Prelec thotë se, megjithatë, vetë thirrja verbale që barrikadat të largohen, është një ndryshim i politikës së deritashme të Beogradit zyrtar.

“Ky është një ndryshim i qartë. Pak më herët, qeveria kishte kërkuar që serbët e veriut të Kosovës të qëndrojnë pranë barrikadave, ndërkaq, tash, po kërkon largimin e tyre. Nuk besoj se dikush mund ta dijë se a do të jetë kjo e mjaftueshme për kandidim më 9 dhjetor. Situata në Evropë është shumë dramatike dhe konfuze, ndërkohë që edhe situata në veri të Kosovës është goxha dramatike. Po ashtu, është e paqartë se si do të reagojnë serbët e veriut të Kosovës“, thekson Prelec.

Sipas tij, Qeveria e Beogradit do të jetë ndërmjet dy zjarreve. Në njërën anë, shton Prelec, do t’i nënshtrohet presionit nga serbët e veriut të Kosovës dhe, në anën tjetër, do t’i nënshtrohet presionit të fortë, të cilin tashmë ka nisur ta shpërfaqë Brukseli. (b.b.)
XS
SM
MD
LG