Ndërlidhjet

Prioritet - integrimi në BE dhe NATO

  • RFE /RL

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë fjalimit në Universitetin Xhons Hopkins, në Uashington.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë fjalimit në Universitetin Xhons Hopkins, në Uashington.

Gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mbrëmë ka mbajtur një ligjëratë në Universitetin Xhons Hopkins, me ç’rast ka folur për zhvillimet në Kosovë.

Fillimisht, ajo i tha auditorit se është e përkushtuar për tri prioritete në punën e saj.

“I pari është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Unë e kam përkushtuar në mënyrë të plotë vetveten, kabinetin tim dhe të gjitha institucionet e Kosovës, drejt rrugës sonë për integrim në Bashkimin Evropian”.

“I dyti është anëtarësimi në Partneritetin për Paqe, që hap rrugën për integrim në NATO. I treti është shndërrimi i Kosovës si vend udhëheqës i rajonit”,
tha Jahjaga.

Deri tash, Kosovën e kanë njohur 85 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet udhëheqëse të Bashkimit Evropian.

Prej 27 anëtarëve të BE-së, Kosovën e kanë njohur 22 , ndërsa 5 vende - Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania - këtë nuk e kanë bërë ende.

Presidentja Atifete Jahjaga u bëri thirrje këtyre vendeve që ta njohin Kosovën, pasi, sipas saj, kjo “do të jetë për të mirën e BE-së”.

“Kosova është rast i vetëm. Ato nuk duhet ta krahasojnë Kosovën me disa situata ose disa specifika brenda vendeve të tyre. Njohja nuk do të ishte mirë vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian”.

“Aq sa do të përfitojë Kosova, po aq përfitime do të ketë BE-ja. Sa më shpejt që të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, lëvizin drejt Bashkimit Evropian, aq më lehtë do të jetë për BE-në”,
tha Jahjaga në Uashington.

Duke u shprehur për problemet në pjesën veriore të Kosovës, ajo kërkoi që serbët në veriun e Kosovës të integrohen në shoqërinë kosovare.

“Komuniteti serb në këtë pjesë të Kosovës duhet t’i marrë përgjegjësitë dhe obligimet për t’u bërë pjesë e shoqërisë, duke e konsideruar Kosovën vend të tijin”, tha presidentja.

Prej vendeve në rajon, pavarësinë e Kosovës nuk e njohin Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Kosovën nuk e ka njohur as Rusia, që është aleati më i madh i Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, shpeshherë janë dëgjuar ide për ndonjë takim eventual të zyrtarëve më të lartë të Kosovës me ata të Serbisë.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se është e gatshme të takohet me çdokënd.

“Unë jam e gatshme të takohem me çdokënd, në çdo kohë, në çdo vend, si dy vende të pavarura dhe sovrane, për të mirën e vendit dhe popullit tim”, tha Atifete Jahjaga në fjalimin e saj në Universitetin Xhons Hopkins, në Uashington. (f.b.)
XS
SM
MD
LG