Ndërlidhjet

logo-print

Të reshurat e mëdha të borës dhe ulja e temperaturave në Kosovë, deri tani kanë shkaktuar aksidente të shumta, vështirësi në komunikacion, anulime të fluturimeve, bllokim të rrugëve, si dhe probleme me furnizim me energji elektrike dhe ngrohje.

Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës, bëri të ditur se temperaturat gjatë ditëve në vijim pritet të jenë të ulëta, deri në minus 22 gradë celsius.

Drejtori i këtij instituti, Sylë Tahirsylaj, tha se krahas vendeve të rajonit dhe më gjerë, edhe Kosova po vazhdon të ballafaqohet me temperatura të ulëta dhe reshje bore.

Duke filluar nga nata e nesërme, pra të mërkurën, do të ketë ndërprerje të reshjeve dhe do të ketë ulje të theksuar të temperaturave minimale dhe maksimale në shkallë vendi. Të mërkurën në mbrëmje temperaturat do të zbresin deri në minus 22 gradë celsius në vendet kodrinore malore. Në ultësira nga minus 18 deri në 20 gradë celsius”, u shpreh Tahirsylaj.

Reshjet e borës, kanë shkaktuar edhe bllokimin e disa rrugëve magjistrale në drejtim të vendkalimeve malore kufitare.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës njoftojnë se për shkak të reshjeve të borës, qarkullimi është vështirësuar.

Sa i takon bllokimit të rrugëve, mund të themi se për momentin është e bllokuar për qarkullim rruga në drejtim të pikëkalimit kufitar Pejë- Kullë – Rozhajë, rruga për në Rugovë të rajonit të Pejës, rruga për në pikëkalimin tjetër kufitar të Mutivodës dhe pjesa e zonës së Bajgorës në rajonin e Mitrovicës. Po ashtu janë vështirësuar edhe zonat e tjera për qarkullim, siç janë Brezovica, zona e Dragashit, dhe disa fshatra që u përkasin viseve malore”, bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Në anën tjetër, zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thonë se reshjet e borës po shkaktojnë probleme edhe në trafikun ajror.

Valentina Gara, zyrtare për informim në aeroport, thotë se gjatë paradites janë anuluar dy fluturime.

Një fluturim është anuluar, e një tjetër është detyruar të aterojë në Shkup. Sa i takon pistës së aeroportit, ajo është gjithmonë e pastër për aterim, do të thotë që është e sigurt për aterime. E vetmja pengesë është hapësira ajrore – dukshmëria për shkak të reshjeve të borës”, theksoi Gara.

Nga ana tjetër, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thonë se përveç problemeve më ngrohje, QKUK-ja është duke u përballur edhe me mungesë të herëpashershme të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i kësaj qendre, Shpend Fazliu, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë operacione joemergjente janë shtyrë për shkak të kësaj gjendjeje.

Ditëve të fundit kemi pasur probleme edhe me energji elektrike, por për momentin nuk kemi probleme të tilla. Sa i takon ngrohjes, nga ana e ndërmarrjes ‘Termokos’, cilësia e ngrohjes është shumë e ulët dhe nuk mjafton për të funksionuar normalisht repartet dhe klinikat”, u shpreh Fazliu.

Bora dhe akulli, janë bërë shkak që shumë qytetarë të kërkojnë ndihmë, me fraktura të ndryshme në klinikën e ortopedisë.

Sipas zyrtarëve të QKUK-së, deri më tash numri ka shkuar deri në 236 raste.

Kurse ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos”, përmes një komunikate për media ka njoftuar se gjatë paradites të ditës së martë, në mungesë të mazutit, nuk ka arritur t’iu ofrojë ngrohje konsumatorëve të vet.

Kjo, sipas tyre, është bërë për shkak të vonesës së autoboteve me mazut, si pasojë e përkeqësimit të motit dhe qarkullim normal rrugor.

“Termokos”, në komunikatë bëri të ditur se në orët e pasdites do të vazhdojë furnizimi normal me ngrohje.

Pavarësisht situatës në vend nga reshjet e borës, Ministria e Infrastrukturës ende nuk e parë të arsyeshme që këtë gjendje ta shpallë si të jashtëzakonshme.

Lah Nitaj, këshilltari politik i ministrit Fehmi Mujota, tha për Radion Evropa e Lirë se në ministrinë e tyre ende nuk është diskutuar për këtë çështje.

Jemi duke e vëzhguar nga afër situatën, kemi informata për çdo pjesë të Kosovës, dhe në bashkërendim me Qeverinë dhe të tjerët, dhe në varshmëri të kushteve atmosferike, do të marrim qëndrime dhe vendime përkatëse”.

Tash për tash një gjë e tillë nuk është diskutuar, nuk është në rend dite. Ne kemi dëgjuar që disa komuna, saktësisht disa kryetarë komunash kanë marr vendime të tilla, por në nivel vendi, ajo që është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës ende nuk është diskutuar”, tha Nitaj.

Si pasojë e përkeqësimit të motit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, ka ndërprerë për një javë mësimin në shkollat fillore dhe të mesme në mbarë Kosovën.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG