Ndërlidhjet

logo-print

Të akuzuarit e rastit “Kleçka” - të pafajshëm


Fatmir Limaj - foto nga arkivi

Fatmir Limaj - foto nga arkivi

Katër të akuzuarit e rastit “Kleçka”, Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala, të mërkurën janë shpallur të pafajshëm nga trupi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Trupi gjykues i përbërë nga dy gjykatës ndërkombëtarë dhe një vendor, i ka liruar këta të akuzuar, të cilët prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro, i kishte akuzuar për krime luftë.

Vendimi për pafajësinë e katër të akuzuarve, sipas trupit gjykues ishte sjellë me arsyetimin se nuk ka pasur dëshmi ta mjaftueshme, të cilat do ta vërtetonin fajësinë e të akuzuarve.

Fatmir Limaj, pas shpalljes së pafajësisë së tij, ka thënë se vendimi i trupit gjykues, edhe një herë vë në pah fakti, sipas tij, se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.
...shpresoj që edhe kjo ditë e sotme dhe ky vendim, tregon edhe një here qartë që lufta jonë çlirimtare ka qenë një luftë e drejtë, e pastër.

“Besoj që përfundimisht të gjithë ata që kanë pasur, fatkeqësisht, dilema, e deri më tani, pas 12 viteve, shpresoj që edhe kjo ditë e sotme dhe ky vendim, tregon edhe një here qartë që lufta jonë çlirimtare ka qenë një luftë e drejtë, e pastër. Një luftë në shërbim të njerëzimit, jo vetëm të kombit tonë, një luftë e cila e ka hapur perspektivën e rajonit”, ka thënë Limaj.

Limaj, gjithashtu, e ka falënderuar trupin gjykues për, siç ka thënë, ndjekjen e drejtësisë dhe jo agjendave politike.
.
“Falënderoj trupin gjykues! Shpreh respektin dhe duhet shprehur respektin në mënyrë specifike! Ata nuk lejuan që nga vendet nga vijnë, nga zemra e demokracisë, nga shpresa e lirisë, nga vendet, të cilat kanë udhëhequr dhe po udhëheqin shpresat e njerëzimit për liri, demokraci dhe drejtësi - e kam fjalën për gjyqtarët nga Anglia, zyrtari i trupit gjykues, si dhe gjyqtari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës - edhe një herë treguan që pavarësisht rrethanave, dëshirave dhe agjendave politike, të ata, e kaluara e tyre tregon që drejtësia është mbi të gjitha”, ka theksuar Limaj.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i Limajt, Karim Kan, e ka quajtur të gjatë procesin, i cili rezultoi me shpalljen e pafajësisë së Fatmir Limaj dhe tre të akuzuarve tjerë, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala.

Kan ka thënë se për herë të dytë, Fatmir Limaj është shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat e ngritura kundër tij në ndërlidhje me periudhën e luftës.

“EULEX-i, natyrisht dhe komuniteti ndërkombëtar, mëton të ndihmojë Kosovën në ndërtimin e saj; një gjë është e sigurt ndërkaq, se e ardhmja e Kosovës mbështetet te besimi dhe veprimet e qytetarëve të saj, e jo gjetkë”, ka thënë avokati Kan.

Duke folur për lirinë që Kosova gëzon sot dhe çmimin që qytetarët e saj kanë paguar për të, Kan ka thënë se të drejtat e të gjithëve, mund të njihen vetëm nëse mbizotëron sundimi i ligjit.
Pushteti dhe politika janë dytësore karshi lirisë dhe qytetërimit.

“Pushteti dhe politika janë dytësore karshi lirisë dhe qytetërimit”, është shprehur Kan, duke shtuar se tani është koha kur sundimi i ligjit duhet të jetë fitimtar.

“Tani që Fatmir Limaj u shpall i pafajshëm nga dy procese gjyqësore, të dyja me gjykatës ndërkombëtarë, shpresoj se Fatmir Limaj do të gjejë paqe me familjen e tij”, ka theksuar Kan.

Në fund, duke falënderuar ekipin e tij, Kan gjithashtu ia ka atribuuar meritat edhe vetë drejtësisë, duke thënë se “drejtësia mund të jetë e verbër ndaj etnisë dhe cilitdo faktor tjetër, por nuk mund të jetë e shurdhër”.

Ndryshe, Prokuroria kishte akuzuar Limajn dhe nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së për krime kundër popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999.

Gjashtë të akuzuarit e tjerë janë shpallur të pafajshëm në të gjitha pikat e aktpadisë më 30 mars.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG