Ndërlidhjet

Korrupsioni - armiku kryesor i ambientit afarist


Ilustrim
Ilustrim

Niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, po e dëmton shumë rëndë ekonominë e Kosovës.

Ata thonë se kjo dukuri është njëra nga barrierat thelbësore në zhvillimin e sektorit privat. Për ta luftuar këtë dukuri, ata thonë se duhet filluar prej strukturave të larta të qeverisë

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë se Kosova po vuan shumë nga dukuria e korrupsionit, dhe me një shkallë kaq të lartë të kësaj dukurie, siç thekson ai, është shumë e vështirë të arrihet zhvillim i gjithëmbarshëm ekonomik.

Përveç dëmeve financiare që korrupsioni i shkakton buxhetit të vendit, përveç dëmeve në efiçencë dhe në mosshfrytëzimin e resurseve në mënyrën më të mirë të mundshme, korrupsioni dëmton edhe ambientin afarist në Kosovë, pasi që kjo dukuri i jep mundësi që firmave jo të mira të marrin pjesë në treg dhe firmave që kanë aftësi gradualisht të shpërbëhen”, thekson Abdixhiku.

Korrupsioni në Kosovë, sipas Abdixhikut, po krijon një konkurrencë të pabarabartë mes akterëve në treg, dhe kjo konkurrencë e tillë, siç thekson ai, po rezulton me mungesë të mbledhjes së tatimeve si dhe jo shfrytëzim adekuat të resurseve.

Abdixhiku, po ashtu, flet edhe për raportin e fundit të “Transprancy International”, ku
Kosova ishte renditur e 112-ta në mesin e 183 shteteve të botës, sa i takon korrupsionit.
Në raportet e mekanizmave ndërkombëtare është theksuar se, si pasojë e korrupsionit të lartë, po dëmtohet ekonomia e Kosovës.

Po ashtu, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, në një deklaratë të tij kohë më parë, kishte theksuar se nuk mund të ketë përmirësim të mjaftueshëm ekonomik sa të ketë korrupsion.

Ndërkaq, sipas profesorit të ekonomisë Musa Limani, dukuria e korrupsionit në Kosovë është faktor kryesor që e bën Kosovën të ballafaqohet me gjendje të vështirë ekonomike.

Situatën shumë të rendë ekonomike dhe sociale unë mund të them se e ka sjellë pikërisht korrupsioni. Korrupsioni është shumë i shprehur dhe ndikon jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por në të gjitha sferat e jetës”.

Mirëpo është një dukuri që është shumë vështirë të luftohet, për arsye se edhe ai që jep, edhe ai që merr, marrin përgjegjësi dhe është shumë vështirë tët zbulohet dhe të luftohet”, thekson profesor Limani.

Për ta evituar problemin e korrupsionit, profesori Limani thotë se duhet të krijohet infrastrukturë e mirë ligjore, që atyre personave të cilët janë pasuruar në mënyrë të dyshuar, t’iu konfiskohet pasuria.

Ai, për dukurinë e lartë të korrupsionit, përgjegjës i quan krerët më të lartë të institucioneve.

Te ne paraqitet një varfri shumë e madhe, problemet sociale duke u rritur, dhe një ditë, me siguri se do të eksplodojë bomba sociale, të cilën nuk besoj që do të mund ta ndalë dikush”.

Lidershipi aktual kosovar, duhet t’i kthehet interesit të këtij populli, dhe t’i lë garat mes veti, që të mos luftojnë të vijnë në pushtet, por të punojnë që ta ngritin zhvillimin ekonomik dhe ta zbusin gjendjen e rëndë sociale në vend”, thekson profesor Limani.

Ndërkohë, sipas drejtorit të Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, lufta e institucioneve kundër korrupsionit është duke u bërë më tepër në formësimin e disa këshillave.

Ai thekson se në radhë të parë, në Kosovë ka mungesë serioze të vullnetit të mirë për luftimin e korrupsionit.

“Në radhë të parë, korrupsioni krijohet në institucionet qeveritare, dhe aty e ka burimin. Nëse duhet luftuar, atëherë duhet filluar prej strukturave më të larta të qeverisë”, thekson ai.
XS
SM
MD
LG