Ndërlidhjet

logo-print

Mocioni dhe hapësira “manipuluese”


Fotografitë e personave të pagjetur në rrethojën e Kuvendit të Kosovës.(Foto nga arkivi)

Fotografitë e personave të pagjetur në rrethojën e Kuvendit të Kosovës.(Foto nga arkivi)

Derisa në Bruksel janë në pritje të përfundimit të procesit zgjedhor në Serbi për ta vazhduar ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, një mocion i miratuar disa ditë më parë në Kuvendin e Kosovës mund të ketë zbehur shanset për vazhdimin e procesit në rast se respektohet si i tillë.

Kjo, të paktën, mund të ndodhë nëse mocioni zbatohet ashtu siç e parashohin Kushtetuta e Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës, tha eksperti për çështje ligjore, Blerim Burjani.

“Nëse bazohemi në Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe nëse bazohemi në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nënkuptohet shumë saktë që duhet të zbatohet ky mocion nga Qeveria - do të thotë se duhet të kushtëzohen bisedimet me personat e pagjetur”, u shpreh Burjani.

Me mocionin e miratuar në seancën parlamentare të 10 majit parashtrohen katër kërkesa që kanë të bëjnë me çështjen e personave të pagjetur në Kosovë që nga lufta e 1999-s.


Qeverisë së Kosovës i kërkohet “që ta kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve të mëtejshme me Serbinë me zbardhjen e plotë të fatit të tyre”.

Mocioni ishte miratuar me 57 vota “për”, 2 “kundër” dhe 3 abstenime.

Partia Demokratike e Kosovës, deputetët e së cilës kishin votuar “për” mocionin, një ditë më pas, patën kërkuar rishqyrtimin e tij - kërkesë kjo nga e cila PDK-ja ka hequr dorë tashmë.

Pa saktësuar se a do ta respektojnë mocionin për kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me çështjen e personave të pagjetur, përfaqësues të ekzekutivit të vendit, janë zotuar për respektimin e të gjitha vendimeve që dalin nga Kuvendi i Kosovës.

Ndërprerja e bisedimeve me palën serbe, sipas Burjanit, do të shkaktojë reagime të faktorit ndërkombëtar.

“Në taborin politik do të ketë refleksione të tjera-sidomos në Bashkësinë Ndërkombëtare, në regjion e kështu me radhë. Këto janë konotacione të tjera që mund të dalin si pasojë e kësaj, por natyrisht se Qeveria obligohet ta zbatojë mocionin e Kuvendit”, tha Burjani.

Një reagim kundërshtues ndaj kushtëzimit të vazhdimit të bisedimeve me çështjen e personave të pagjetur është shpërfaqur tashmë nga autoritetet evropiane në Prishtinë, të cilat janë shprehur në mbështetje të vazhdimit të dialogut duke thënë se është në interesin e të dyja palëve që të ndodhë kjo.

Por, zbatimi i mocionit, sipas Ardian Arifajt nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, nuk nënkupton doemos ndërprerjen e bisedimeve.

Nëse dialogu synon përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas tij, kërkimi i zgjidhjes për çështjen e personave të pagjetur nuk do të ishte në kundërshtim me frymën e procesit.
Bisedimet mund të vazhdojnë, por pala kosovare sigurisht që duhet t’i përmbahet mocionit...

“Bisedimet mund të vazhdojnë, por pala kosovare sigurisht që duhet t’i përmbahet mocionit dhe në takimin e ardhshëm ta ngritë temën e personave të pagjetur”, vlerësoi Arifaj.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës e Serbisë pati nisur më 8 mars të vitit të kaluar në Bruksel për të rezultuar me arritjen e shtatë marrëveshjeve gjatë nëntë raundeve të deritashme të takimeve.

Edhe pse pala kosovare ishte zotuar se në agjendën e temave të diskutimit me Beogradin do të figuronte edhe çështja e personave të pagjetur, kjo çështje ka mbetur deri më tani, jashtë agjendës zyrtare.

Mbi 1700 persona konsiderohet të jenë të pagjetur në Kosovë që kur përfundoi lufta 13 vjet më parë.
XS
SM
MD
LG