Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik: Pengesë, problemet e trashëguara


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Disa nga faktorët, të cilët kanë ndikuar që ekonomia e Kosovës të jetë në nivel të ulët të zhvillimit, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, është trashëgimi i një ekonomie të shkatërruar pas luftës dhe mungesa e investimeve në sektorët ku sigurohet punësim. Për të dalë nga kjo gjendje, thonë ata, Kosovës i duhet hartimi i një strategjie të mirëfilltë me vizione të qarta.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismail Kastrati, thotë për Radion Evropa e Lirë se investimet kryesisht në infrastrukturë rrugore dhe pak në zhvillimin e ekonomisë reale dhe në rritje të shëndetshme ekonomike, kanë bërë që Kosova të jetë në këtë gjendje ekonomike.

“Mbi të gjitha, mungesa e një plani zhvillimor afatmesëm me vizione të qarta, ambient i biznesit jo i përshtatshëm ku është e vështirë të sigurohet ardhja e investime të jashtme, e aq më pak të mbrohen investimet e brendshme, kanë bërë që ekonomia e Kosovës të jetë në këtë gjendje”, thotë Kastrati.

Pas luftës së fundit, 13 vjet më parë, Kosova trashëgoi një ekonomi të dëmtuar. Problemet ekonomike në Kosovë ishin si pasojë e shumë faktorëve, pasi që Kosova ka qenë vendi më i pazhvilluar në ish-Jugosllavi, pastaj dëmet e shumta gjatë luftës së vitit 1999, mungesa e kapaciteteve, si në aspektin infrastrukturor ashtu edhe njerëzor, mungesa e politikave për të adresuar çështjet sociale, etj.

Kastrati thotë se Qeveria duhet të miratojë një plan strategjik zhvillimor, një plan të mirëfilltë, si dhe të angazhohet në përmirësimin e ambientit zhvillimor të ekonomisë të Kosovës. Sipas tij, duhet të investohet më tepër në sektorin e bujqësisë apo agrobiznesit.

“Patjetër duhet që tregu i Kosovës të jetë më i organizuar dhe tregu financiar të jetë në favor të zhvillimit ekonomik dhe jo në zhvillimin e vetvetes”, thekson Kastrati.

Ndërkohë, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Mejdi Bektashi, Kosova gjatë këtyre viteve të fundit ka realizuar norma të larta të zhvillimit ekonomik, mirëpo shumë probleme që janë trashëguar nga e kaluar, nuk ka dhënë mundësi për hapjen e vendeve të mjaftueshme të punës.

“Përafërsisht 2 për qind të zhvillimit ekonomik absorbon apo zvogëlon shkallën e papunësisë prej 1 për qind. Ne në këto momente në Kosovë 4 për qind zvogëlojmë shkallën e papunësisë në 2 për qind që është përafërsisht norma e shtimit të popullsisë në Kosovë”, thekson Bektashi.

Faktorët tjerë që kanë ndikuar në moszhvillimin e nevojshëm ekonomik, sipas Bektashit, është se Kosova në viteve të fundit nuk ka arritur të tërheqë investitorë strategjik, të cilët do të mundësonin hapjen e vendeve të reja të punës.

“Si faktor tjetër është mosqartësimi i saktë i strategjisë zhvillimore të Qeverisë, për zhvillimin e disa sektorëve apo veprimtarive prioritare. Problemi kryesor është se ne duhet t’i favorizojmë vetëm ato segmente ku kemi përparësi absolute dhe relative në krahasim me shtetet tjera”, shton Bektashi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte mbyllur vitin 2011 me rritje ekonomike prej 5.3 për qind - rritje ekonomike kjo e cila ka pamundësuar të zbusë shkallën e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë.

Zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve mbete ende njëra nga sfidat për institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG